Barnat kundër diarresë të lejuara në shtatzëni dhe gjidhënie

Nga Mr. Ph Laureta Berisha Kosumi – Farmaciste

Pjesa e katërt

Diarreja është simptomë që paraqitet me jashtëqitje të shpeshta me konsistencë të hollë (5 deri 6 herë ose më shumë në ditë). Ajo shkaktohet nga kalimi më i shpeshtë i lëngjeve ushqimore në traktin tretës. Një ndër problemet kryesore që mund të shkaktojë diarreja është dehidrimi, d.m.th humbja e lëngjeve e ndër to edhe elementeve si kaliumi dhe natriumi, si dhe pamundësia e organizmit për të kryer si duhet funksionet e tij.

Shenjat kryesore të dehidrimit janë: etja, urinim i rrallë dhe me ngjyrë të errët, tharje e lëkurës, lodhje dhe marramendje.

Diarreja mund të shkaktohet nga infeksionet bakteriale, virale apo sëmundje tjera që janë prezente në traktin tretës.

Mënyra më e mirë e mbrojtjes së diarresë, është parandalimi i saj, ashtu siç do të kishit vepruar jashtë shtatzënisë apo gjidhënies :

Të eliminoni shkaqet e mundshme (nëse mendoni se vitaminat ose ilaçet tjera që ju përdorni janë shkaktare) dhe ushqime problematike, përfshirë produktet e qumështit dhe çdo gjë me sasi te madhe sheqeri ose kafeine, të tilla si lëngje dhe pije të gazuara. Në vend të kësaj, konsumoni ushqime qe të kanë efekt zbutës në sistemin tuaj të tretjes, si mollë, banane, supa, perime si fasulet, karota ose patate e ëmbël, biskota etj.

Hidratimi është i rëndësishëm edhe në shtatzënisë, andaj marrja e sasive më të mëdha të ujit duhet të jetë e patjetërsueshme.

Nifuroxazide (emra tregtarë: Enterofuril, Fural, Nifurex) nuk lejohet në shtatzëni, ndërsa në gjidhënie lejohet nëse përdoret jo më gjatë se 3 ditë.

Barnat qe mund te perdoren janë kryesisht në forme probiotikësh (emra tregtarë: Linex, Deflor, Lactinorm, Probalans, Kolonbiotik, Prolife, Lactoblock etj) dhe rehidrues të ndryshëm (emra tregtarë: Equidral, Hidraton, Hydratonic, Rehidromix, Almora, Trisol etj).

Sqarim: të gjithë emrat tregtarë të paraqitur në shkrim janë për qëllime lehtësuese te lexuesit e assesi për qëllime reklamuese./FamiljadheShëndeti

Vazhdon…