Nuk dua të shkoj te psikiatri, nuk jam i çmendur

Nga Valbona Hysenaj Miftari
Specializante në vitin e gjashtë dhe të fundit të psikiatrisë dhe psikoterapisë në Zvicër

?Stigma në psikiatri një problem tejet serioz?

Para se të shkruaj për këtë temë dua ta bëj një përmbledhje themelore për psikiatrinë si shkencë, çka e karakterizon atë në veqanti, dallimi në mes të psikiatrisë dhe psikologjisë etj.

Psikiatria është degë e mjekësisë e cila mirret me zbulimin dhe trajtimin e sëmundjeve mendore si p.sh. depresionit, neurozave, psikozave, çrregullimeve të kujtesës, të vëmendjes, reaksioneve të shkaktuara nga stresi ose traumat, çrregullimeve të personalitetit, varësive nga substancat psikotrope, demencës etj.

Psikiatri e ka të kryer fakultetin e mjekësisë (është mjek e jo siq mendon një pjesë jo e vogël e njerëzve tanë) dhe pastaj e ka të kryer specializimin e psikiatrisë 4-6 vjet varësisht ku e bën specializimin (në Zvicër zgjat 6 vjet nëse punon 100 %, nëse punon me pensum të reduktuar mund të zgjasë shumë më gjatë.

Psikologjia është studimi shkencor i mendjes dhe sjelljes. Objekti studimor i saj është të kuptuarit e individit dhe të grupit. Definicioni i psikologjisë nuk përfundon me kaq, sjellja jonë është alfa dhe beta e karakterit dhe personalitetit tonë. Sjellja buron nga truri/ intelekti. Do të thotë sistemi nervor është bartës i funksionit të jetës sonë psiqike dhe rregullator i gjithmbarshem i saj. Sistemi nervor përbëhet nga rreth 14 miliard qeliza nervore kështu që mund ta paramendoni kompleksitetin e fiziologjisë së trurit.

Psikologu nuk e ka përfunduar fakultetin e mjekësisë por fakultetin filozofik, dega e psikologjisë. Psikologu mund të punojë në shkolla, kompani, institute dhe në spital. Psikiatri punon në klinikë, në ambulantë, burg etj. dhe mund të përshkruajë medikamente për dallim nga psikologu.

Edhe psikiatri edhe psikologu mund të bëhen psikoterapeut, nëse kryejnë specializim shtesë për psikoterapi. Drejtimet e psikoterapisë janë psikoterapia kognitive dhe e sjelljes, psikoterapia sistemike ose përpara e quajtur psikoterapia familjare si dhe terapia psikoanalitike. Ka edhe nënspecializime tjera të veqanta për trajtimin psikoterapeutik të një sëmundjeje të caktuar.

Psikiatrinë e bën të veqantë lidhshmëria e saj me çdo segment të jetës së individit por edhe me letërsinë dhe artin. Çasjen psikoanalitike ndaj problemeve e gjejmë në shumë autorë të letërsisë botërore si Dostojevski, Niçe, Kafka, Zwajg etj. Gjithashtu në filmat holivudianë, sidomos në filmat e Alfred Hitchcock. Pastaj në pikturat më të njohura të Picasos ose Salvador Dalit të cilët patologjitë mendore i kanë skalitur në pikturat e tyre duke vënë në pah në këtë mënyrë marrëdhënien e psikiatrisë me artin.

ÇKA JANË SËMUNDJET MENDORE
ÇKA NËNKUPTOJMË ME STIGMËN NË PSIKIATRI

Çrregullimet mendore në thelb janë mosfunksionimi i të menduarit logjik, mosmundësia e kontrollimit të ndjenjave dhe çrregullimet e sjelljeve. Këto gjendje e pengojnë dhe e vështirësojnë marrëdhënien e personit me të tjerët duke ia vështirësuar përballiminin e sfidave të jetës.
Shkalla e simptomave mund të ndryshojë për nga kohëzgjatja dhe intensiteti, në varësi të rrethanave etj, por nuk mund të thotë asnjëri që unë jam rezistent ndaj sëmundjeve psikiatrike njëjtë sikundër që asnjëri nuk mund t’i shmanget 100 % një infarkti të miokardit. Sëmundjet mentale prekin dy gjinitë, prekin çdo moshë, njerëzit e çdo kulture, feje, profesioni ose gjendjeje ekonomike.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë një në katër persona vuan nga një problem i shëndetit mendor. Gjithashtu 1 në 4 familje mund të ketë në gjirin e saj të paktën një anëtar me çrregullime mendore. Tek ne duke marrë parasysh përjetimet e rënda të luftës, problemet sociale si dhe mungesën e perspektivës së ëndërruar, sigurisht që numri i personave që vuajnë nga shqetësime të tilla, është shumë më i lartë dhe raporti 1:4 mund të jetë më i ngushtë.
Nisur nga ajo që tek ne ende shmanget shkuarja tek psikiatri, sëmundjet mentale për fat të keq ngelin të pa kuruara dhe jo rrallë me pasoja të rënda për individin dhe shoqërinë.
Kështu këta pacientë shkojnë tek specialistë të tjerë duke kërkuar shkakun tek zemra, lukthi apo tiroidea duke mos pasur guxim të ballafaqohen me paragjykimet e shoqërisë. Një pjesë tjetër përpiqen ta mbijetojnë gjendjen duke përdorur alkool, medikamente qetësuese të rekomanduara nga një mik “bashkëvuajtës” e që tek ne blehen pa recept në barnatore, e edhe më keq akoma duke kërkuar ndihmën e hoxhallarëve, priftërinjëve, babës Sheh, falltoreve, tyrbeve etj duke mos u evidentuar asnjëherë si persona me shqetësime të shëndetit mental.

Stigmatizimi i personave me çregullime psiqike -paragjykimi i egër për këtë kategori është një dukuri e dhimbshme kundrejt cilës duhej luftuar secili, mjeku, mësuesi, artisti, familja, shkolla…në mënyrë që të shpëtohen jetëra njerëzish. Ne të gjithë jemi dëshmitarë për rritjen e numrit të vetvrasjeve ndër të rinjtë tek ne…njê shembull tragjik i mosmjekimit të një depresioni ose një vuajtjeje tjetër shpirtërore.
Për fat të keq shumica e njerëzve nuk e mendon që p.sh. njëjtë sikurse tek sëmundjet trupore ku vie tek një disbalanc hormonal ose elektrolitik ose sikurse tek tumoret që vie tek një rritje e pakontrolluar e qelizave të nxitura nga një agjent kancerogjen, edhe sëmundjet mendore janë rrjedhojë e disbalancit të neurotransmiterëve në tru i cili disbalanc shkakton çrregullime të sjelljes, të humorit, të ankthit, psikoza shizofrenike etj… Se a vie tek psikoza, neuroza apo depresioni varet se për cilët neuratransmiter në tru është fjala. Pastaj shkaktarë tjerë të një sëmundje psikiatrike mund të jenë infeksionet e ndryshme, tumoret, traumat fizike, gjenet etj. Askush nga ne nuk është i “vaksinuar” për të pasur imunitet dhe për të mos u prekur asnjëherë nga problemet mendore. Të sëmuresh psiqikisht nuk do të thotë mungesë e karakterit ose e personalitetit. Të sëmuresh psiqikisht nuk është turp.

Përveq pacientëve tanë për fat të keq shpesh edhe familjarët e tyre e gjithashtu edhe ne si personel mjekësor jemi vikitima të stigmatizimit. Ironia është më e madhe kur vie nga disa kolegë mjekë të lamive të tjera të cilët me narcizmin e tyre patologjik e konsiderojnë psikiatrinë një lami koti dhe psikiatrin shpesh nuk e shohin në nivelin e tyre ngase u pengon hunda përpjetë e tyre. Ata duhej të ishin pikërisht ata që duhej kontribuar më së shumti në edukimin shëndëtsor dhe në higjienën psiqike të pacientëve sepse ata së pari bien në kontakt me pacientët tanë. Mos të flas për mentalitetin e mjerë të shumëkujt që kur e merr vesh që je psikiatër e para as që të konsideron mjek, e dyta fillon kinse me shakatë pakripë, kinse psikiatrat vetë “e kanë nga një dërrasë mangut“.

Stigmatizimi në psikiatri është evident në mbarë botën mirëpo jo aq në mënyrë drastike se sa tek ne. Këtë dallim mund ta shoh unë dhe kolegët e mi shqiptarë tek pacientët këtu. Përdërisa një zvicerian vie tek psikiatri për një konflikt të thjeshtë, një shqiptar vie vetëm atëherë kur i janë shterrur të gjitha resurset ose kur është i detyruar nga policia. Janë të rralla rastet kur pacienti problemit i qaset herët dhe fillon mjekimin me kohë. Kjo çasje e gabuar ndaj sëmundjeve psiqike do t’na damkosë për një kohë të gjatë dhe do ta paguajmë rëndë poqëse nuk i qasemi seriozisht si shoqëri.
Shoqëria shqiptare ka nevojë për një sensibilizim të opinionit publik, që të kuptojë se përtej dritareve të spitaleve psikiatrike janë disa njerëz që kanë zemër e shpirt, të cilët posedojnë resurse të fshehura por që kanë nevojë për ti kuptuar, për t’iu ndihmuar, për t’mos i paragjykuar gjithmonë, e për t’mos i cilësuar vetëm si “të trënt” , për ti perceptuar pikë së pari si njerëz.

Do të përmendja një shprehje të psikoanalistit Jung, që e vërteton këtë gjë: “Vetëm kur unë arrij të penetroj brenda qenies së të sëmurit, atëherë arrij ta kuptoj atë. Në këtë moment i sëmuri bëhet njësh me mua. Por jo çdo mjek e arrin këtë cak. Kjo kërkon mjaft përpjekje dhe dhunti”, përfundon Jung.
E unë po them; jo secili njëri mund të jetë mjek, jo secili mjek mund të jetë psikiatër, jo secili njeri mund t’a kuptojë mbretërinë e shpirtit të njeriut në hall.

Sidoqoftë, kush vuan, do të përfitojë vetëm nëse pranon trajtimin e përshtatshëm tek profesionisti i përshtatshëm.
Për të trajtuar një çrregullim mendor tek të rriturit, duhet gjetur burimi. Thuajse gjithmonë ai i përket të shkuarës së largët, fëmijërisë.
Shkaqet kryesore të çrregullimeve mendore tek fëmijët janë marrëdhëniet në familje, raportet në shkollë, faktorët socialë si varfëria apo dhuna, abuzimet seksuale, pastaj vdekja apo largimi i njerëzve të dashur, sidomos divorcet.
Çrregullimet më të shpeshta që fillojnë në fëmijëri dhe manifestohen kryesisht në adoleshencë në kohën e sotme janë autizmi, depresioni, ADHS, fobitë, anoreksia neuroza, bulimia, varësitë, shizofrenia, mendimet suicidale etj.

Paramendoni nëse do të mbizotëronte një edukim i mirëfilltë shëndetsor i prindërve dhe mësuesve suksesi i mjekimit do të ishte shumë më i madh.
Pasi që fëmijët janë ardhmëria e një kombi do ta përfundoja këtë shkrim me disa këshilla për prindërit, duke qenë e vetëdijshme që për këtë temë ka shumë e shumë për tu thënë dhe një shkrim assesi nuk e plotëson boshllëkun qê ekziston në lidhje me këtë temë tejet të rëndësishme.

ÇFARË DUHET BËRË PRINDËRIT?

Në rast se shohin që fëmija është i shqetësuar, gjëja e parë që duhet të bëjnë, është ta sigurojnë fëmijën se çfarëdo të ndodhë, përsëri prindërit do t’i duan dhe do t’i ndihmojnë. “Prindërit duhet të mundohen të kuptojnë çfarë i shqetëson, të flasin me fëmijën, të flasin me partnerin, të flasin me mësuesit. Fëmija duhet inkurajuar të flasë për ndjenjat e tij, vetëm atëherë do ti kuptoni ndryshimet e sjelljes tek ta. Nëse nuk ia dilni t’u ndihmoni, mos ngurroni dhe kërkoni ndihmën e psikologut ose psikiatrit. /Familjadheshendeti.com