NGËRQET E MUSKUJVE TË KËMBËVE

Nga Mr.ph Laureta Berisha Kosumi farmaciste

Çka i shkakton ngërqet e muskujve?

Çka mund të përdorim për t’i lehtësuar ato?
Cilat janë arsyet që ndodhin ngërqet e muskujve?

Ngërqet e muskujve janë kontraktime të vogla të pavullnetshme të muskujve, ato janë normale dhe shpesh kalojnë pa u vënë re, edhe pse ato mund të jenë një tregues i një gjendjeje më serioze shëndetësore të organizmit.
Ngërqet e muskujve më së shumti shfaqen kur jeni i lodhur apo pas stëvitjeve të mëdha në palestër.

7 shkaqet që shkaktojnë ngërqet e muskujve

1. Ushqimi i dobët dhe mungesa e elektroliteve

Ushqimi i dobët dhe thithja e lëndëve ushqyese mund të çojnë në ngërqe të muskujve. Elektrolitët janë të përfshirë në një shumëllojshmëri të gjerë të proceseve metabolike dhe janë esenciale për funksionimin efikas të muskujve. Shumica e elektroliteve luajnë rol esencial në mënyrën se si funksionojnë muskujt tanë.

Kalciumi është i rëndësishëm për kontraktimet e muskujve dhe sinjalizimin nervor, mungesa e tij mund të shkaktojë ngërqe të muskujve.

Kaliumi është gjithashtu i rëndësishëm për sinjalizimin nervor, dhe është i përfshirë në procese muskulore të pavullnetshme siq janë ato që rrethojnë zemrën.
Magnezimi punon ngushtë me kalciumin dhe ndihmon në zvogëlimin e ngërçeve të muskujve.

Këshillë
Hani një dietë më të ekuilibruar që përmban më shumë ushqime të pasura me kalcium (si patate të ëmbla), ushqime që përmbajnë kalium (si salmoni dhe brokoli) dhe ushqime që përmbajnë magnezium (si spinaqi dhe bananet).

2. Dehidrimi

Rrjedha e gjakut në muskuj zvogëlohet ndjeshëm kur ne jemi të dehidruar, gjë që mund të ndikojnë në efikasitetin e muskujve tanë për të kryer funksione si tkurrje dhe relaksim. Pas djersitjeve, urinimit të shpeshtë, vjelljeve ose nxjerrjeve në mënyra tjera të lëngjeve të organizmit, humbim elektrolitë të rëndësishëm si kaliumi dhe kalciumi, të cilat, siç e dijmë janë thelbësore për funksionimin e mirë të muskujve.

Këshillë
Pini më shumë ujë, veçanërisht kur ushtroni. Shuma e përditshme e rekomanduar e ujit është rreth 8 ose 9 gota. Nëse nuk mund të pini shumë ujë, përziejeni me nenexhik, luleshtrydhe apo xhenxhefil, gjithashtu mund të merrni rehidrues të ndryshëm që përmbajnë mineralet magnez, kalium dhe kalcium.

3. Barnat kundër depresionit

Barnat kundër depresionit në kombinim me barna tjera, mund të rezultojnë me lirimin e sasisë më të madhe të serotoninës në tru duke çuar në ngërqe të muskujve. Ngjashëm me kafeinën, disa antidepresantë kanë një efekt stimulues dhe shkaktojnë kontraktimet e pavullnetshme të fibrave të muskujve.

Këshillë
Asnjëherë mos kombinoni barnat nëse nuk është miratuar nga një mjek apo profesionist i kualifikuar. Gjithmonë flisni me mjekun tuaj përpara se të tentoni të ndryshoni barnat tuaja, ata do të jenë në gjendje të këshillojnë cilët antidepresantë janë më të duhurit për ju.

4. Sasia e madhe e kafeinës

Stimuluesit në sasi të mëdha të kafeinës mund të shkaktojnë ngërqe të vogla, të pavullnetshme të fibrave të muskujve në të gjithë trupin.

Këshillë
Konsumoni sa më pak kafeinë, duke e zëvendësuar me pijet tjera që përmbajnë sasi më të vogël të kafeinës.

5. Mungesa e gjumit

Ngërqet e muskujve shpesh ndodhin pas ushtrimeve fizike ose kur trupi është i lodhur ose i privuar nga gjumi. Truri ynë përdor sinjale kimike për të komunikuar me trupin tonë. Kur ne jemi të privuar nga gjumi, efikasiteti i trurit tonë për të dërguar këto sinjale është zvogëluar dhe mund të dërgojë sinjale shtesë tek fibrat tona të muskujve, gjë që rezulton me ngërqe.

Këshillë
Mundohuni të bëni 8 orë gjumë çdo natë.

6. Stresi
Stresi është një tjetër shkak i mundshëm i ngërqeve të muskujve. Kur aktivizohet sistemi ynë i stresit, pasi që impulset tona nervore janë përgjegjëse për kontrollin e muskujve, shkaktohen ngërqe të muskujve.

Këshillë
Ushtrimet fizike, meditimi ose teknikat e frymëmarrjes janë mjete të dobishme për të ndihmuar në zbutjen e stresit.

7. Barnat

Një numër i caktuar i barnave që mirren me recetë ( diuretikët, kortikosteroidet, estrogjenet,statinat) mund të shkaktojnë ngërqe të muskujve, si efekte anësore të përdorimit të tyre. Andaj, nëse ju shfaqen ngërqe pas përdorimit të këtyre barnave, patjetër ti tregoni mjekut apo farmacistit tuaj.

Si të veprojmë për të ulur ngërqet ?

Nëse ngërqet janë të zakonshme, rekomandohet të ulet konsumimi i kafeinës, poashtu të provohen disa teknika relaksuese si frymëmarrja relaksuese apo masazha, shtrirja e ngadalshme mund të lehtësojë ngërqet.
Gjithashtu mund të provoni të merrni shtesë të kalciumit dhe magnezit. Të dyja këto minerale janë çelësi i funksionit të shëndetshëm neurologjik dhe kontrollit të muskujve. Filloni me 200 mg magnezium në ditë dhe ngadalë rriteni dozën në drejtim të 500 mg në ditë, derisa vini re ndryshime pozitive.
Tek shumë njerëz 500 mg magnezium në ditë mund të shkaktojë diarre (duke marrë atë me kalcium zvogëlon këtë mundësi), andaj në këtë dozë duhet patjetër të mirret me kalcium.

Për të mos ngatërruar me dhimbje muskulore (të cilat janë të forta, të dhimbshme, kontraktimet e pavullnetshme të të gjithë muskujve), ngërqet nuk janë të dhimbshme dhe normalisht ndodhin në fibrat e muskujve dhe jo në tërë muskujt. Ngërqet e muskujve mund të zgjasin nga disa minuta deri në disa javë. Nëse zgjasin më shumë se kaq, kjo mund të jenë tregues i gjendjes shëndetësore themelore dhe duhet të kontrollohen nga një mjek neurolog. /Familjadheshendeti.com

Shpërndaje
  •  
  •  
  •