Xhelatina në Produktet Farmaceutike

Marrë parasysh pyetjet e shumta që kam pasur rreth lëndës ndihmëse-xhelatinës, kryesisht pyetje nga komuniteti i besimit islam në Kosovë, të cilët kanë dyshimet e tyre nëse është e lejuar apo jo fetarisht përdorimi i xhelatinës në produktet farmaceutike, e mora mundimin që të bëjë këtë përmbledhje në mënyrë që të zgjidhin të gjitha dilemat rreth kësaj lënde ndihmëse dhe të mos vihet më në dyshim përdorimi i saj.

Duke qenë farmaciste me profesion, unë mund të flas vetëm në suaza të profesionit tim, ndërsa sa për lejesë/ ndalesë fetare, për këtë nuk jam kompetente dhe për këtë pjesë kam marrë mendimin e një profesionisti të fushës në aspektin fetar, në mënyrë që informacioni të jetë sa më i përmbushur.
Falënderoj hoxhën Bajram Karabeg për ofrimin e ndihmës dhe sqarimet e nevojshme në aspektin fetar.
Xhelatina nuk ndodhet vetëm në prodhimin e suplementeve apo vitaminave, por xhelatina është prezente në të gjitha format kapsulare, në tableta dhe më gjerë. Sepse shumica e pyetjeve janë se a bën ky produkt me xhelatinë duke aluduar ndonjë vitaminë D3 apo omega-3.

Duke lënë secilin të japë më të mirën nga ana profesionale, shpresoj që të kemi vetëdijesim më të plotë dhe të mos hyjmë në qështje që nuk na takojnë, aq më tepër me akuza se si po më jep produkte të ndaluara.

Të jemi respektues dhe të matur ndaj çdo profesionisti të fushës, këso forme lejojmë njëri tjetrin të bëj më të mirën në profesionet e tyre dhe gjithmonë në të mirë të qenies njeri.

Çka është Xhelatina?
Xhelatina është një proteinë natyrale, e tretshme në ujë, e tejdukshme dhe e pangjyrë.
Përftohet përmes hidrolizës së kontrolluar dhe të pjesshme të kolagjenit nga lëkura, kockat dhe indet e kafshëve.

Xhelatina ofron një spektër të gjerë cilësishë që e bëjnë atë një lëndë ndihmëse shumë efektive për aplikime farmaceutike.
Pavarësisht përpjekjeve për të gjetur alternativa të përshtatshme, vetitë e saj unike teknologjike dhe biofarmaceutike sigurojnë që ajo të ketë një rëndësi të madhe për industrinë farmaceutike dhe më gjerë.

Përdoret për prodhimin e kapsulave, tabletave dhe formave tjera farmaceutike, për më gjerë përfitimet e shumta të xhelatinës përfshijnë aftësinë e saj për të mbrojtur përbërësit aktivë farmaceutik, duke pasur biodisponibilitet të shkëlqyeshëm dhe potencial për çlirim të modifikuar.

Xhelatina plotëson nevojat e konsumatorit dhe të prodhimit, gjë që e bën atë një përbërës ideal për industrinë farmaceutike.

Xhelatina është një përbërës i sigurt, nuk shkakton alergji dhe pranohet në formë të përgjithshme nga trupi i njeriut. Mund të përdoret në aplikime të ndryshme mjekësore.

Poashtu ka tretshmëri të shkëlqyeshme, tretet shpejt në stomak dhe kjo lejon një çlirim të shpejtë të përmbajtjes aktive të formave orale të barnave duke maskuar erën dhe shijen e tyre.

Kur përdoret në kapsula, xhelatina siguron një mjet efektiv për të mbrojtur mbushjen e tyre nga drita, oksigjeni, ndotja dhe rritja e bakterieve. Xhelatina gjithashtu plotëson kërkesat e viskozitetit për prodhimin e kapsulave.

Dispozitat fetare rreth përdorimit të xhelatinës

Meqënëse barnat janë të nevojshme për përmirësimin e cilësisë së jetës, padyshim që ka një shpjegim rreth produkteve që përdoren për përfitimin e tyre, gjithnjë në të mirë të njerëzimit.
Edhe pse rreth kësaj qështje ka diskutime të shumta mes grupeve të dijetarëve, me arsyen se xhelatina përfitohet nga lëkura dhe një pjesë e eshtrave të shtazës, pjesë të cilat duke u futur në temperatura të larta (gjatë procesit teknologjik) transformohet dhe nga kjo përfitohet një materie e caktuar që quhet xhelatinë.

Kjo masë e përfituar, nëse gjatë tërë këtij procesi bartet nga një lëndë në lëndë tjera (transformohet gjatë rrugës), formohet një lëndë tjetër (lëndë e re) e cila nuk ka asgjë të ngjashme me lëndën paraprake, atëherë është hallall apo e lejuar fetarisht.

Shumica e studiuesve thonë se nëse bëhet procesimi i plotë të ndërrimit të gjendjes (bartjes prej një gjendje në gjendjen tjetër) dhe nga lënda që përfitohet nuk ngelë asgjë nga lënda e përbërjes paraprake, atëherë është e lejuar pa marrë parasysh se a është me origjinë bimore apo shtazore, duke marrur parasysh që tashmë kemi nxjerrë një produkt tjetër (krejtësisht të ri nga ai që ka qenë).

Psh siç ndodhë tek riciklimi i ujërave të zeza, proces i cili gjatë rrugës ka stacione në të cilat riciklohen (pastrohen) dhe pas riciklimit kthehen në ujra të pastra, baza e saj është mbledhje kanalizimesh dhe rezultati është krejtësisht ujë i pastër, padyshim që ky ujë lejohet të përdoret për pije dhe për nevoja tjera.

Sa i përket xhelatinës, edhe nëqoftëse është me origjinë nga derri, mendimi që përkrahin studiuesit bashkëkohorë të jurisprodencës islame (shumica e tyre), ndyshon tërësisht gjendjen paraprake dhe pas ndryshimit që ka pësuar, është tërësisht e lejuar të përdoret.

Për më tepër, edhe nëse duhet të supozojmë se xhelatina në shumicën e barnave përfitohet nga derrat, ju lejohet të merrni ato barna.

Si përfundim, nuk duhet të keni asnjë rezervë në përdorimin e barnave të përshkruara nga mjeku juaj dhe të sqaruara nga farmacisti juaj.

Me respekt:
Laureta Berisha Kosumi