Llojet e drogave dhe efektet e tyre negative

Nga Dr. Valbona Hysenaj Miftari

Specializante e vitit te gjashtë dhe të fundit të psikiatrisë dhe psikoterapisë në Zvicër.

 Pasojat nga përdorimi i substancave narkotike janë të rënda. Shifrat e errëta të përdoruesve janë shumë herë më të mëdha se sa rastet e regjistruara. Edhe në viset shqiptare drogat po bëhen vrastarët kryesorë të shëndetit të pjesës më vitale të popullit.

Nëse mendoni që është shkrim ndihmues shpërndajeni. Le të shërbejë si një ndihmë sado e vogël në vazhdën e përpjekjeve të mia për një edukim të mirëfilltë shëndetësor.

Njerëzit e varur nga drogat duhet ndihmuar në çdo formë nga familja, rrethi, shkolla, institucionet etj. për të shpëtuar nga kthetrat e egra të sëmundjes së varësisë.
Duke u bazuar në përvojën me pacientët e mi ( 60-70 % narkomanë) mund të them që droga mund ta mund secilin, kuptohet kandidatët më të përshtatshëm janë njerëzit psikolabilë, të rinjtë me një bazë të brishtë familjare.

Ndarja e prindërve në moshën e hershme ose qoftë vetëm zënkat e vazhdueshme në familje mund të jenë shkaktar potencial për zhvillimin e varësisë (mungesa e strategjive për ti zgjedhur problemet, mos aftësia për tu konfrontuar me problemet) . Pastaj tendenca për të qenë “IN”, për të qenë pjesë e grupit ose nga kureshtja për ta shijuar kënaqësinë e çastit. Arsye tjetër mund të jenë traumat e ndryshme, mobbing, sëmundjet e ndryshme etj.

Çka janë drogat?

Përgjigjja më e mirë është; substanca të ndaluara dhe të rrezikshme. Përgjigjia e dytë është; drogat shkaktojnë varësi të rëndë.

Por cilat substanca bëjnë pjesë në droga, a janë cigaret dhe alkooli gjithashtu droga, kur fillon varësia, si veprojnë ato veç e veç dhe pse janë të rrezikshme, është përmbajtja e këtij shkrimi sot.

Definicioni i organizatës botërore të shëndetësisë (WHO) për drogat është ky; drogat janë lëndë që i ndryshojnë funksionet e organizmit. Edhe drogat legale sikurse duhani dhe alkooli janë shumë të dëmshme dhe shkaktojnë varësi të rëndë, gjithashtu ndryshojnë funksionet e organizmit.

CIGARET/ Tabaku Substanca aktive- Nikotina

Bima tabak përmban në rrënjën e saj nikotinë gjethet e së cilës janë helmuese për insektet. Tabaku i tharë përmban helmin nervor të quajtur nikotinë. Do të thotë nikotina është njē helm që ndikon në qelizat nervore përkatësisht në indin trunor ose në sistemin nervor qendror në përgjithësi.

Në sasi të vogël nikotina shkakton vetëm një efekt stimulues. Pasi që nëpërmes mushkërive arrin në qarkullimin e gjakut, stimulon zbrazjen e streshormonit- adrenalinës si dhe të hormoneve të kënaqësisë- dopaminës dhe serotoninës të cilat e rregullojnë shtypjen e gjakut dhe funksionet e sistemit nervor qendror. Nikotina e rrit aftësinë e vëmendjes dhe kujtesës. Mirëpo ky efekt ndodh vetëm një kohë të shkurtër.

Nikotina pastaj i shpejtëson rrahjet e zemrës, rrit shtypjen e gjakut dhe i ngushton enët e gjakut. Kështu që furnizimi me oksigjen dhe materie ushqyese është i reduktuar. Rezistenca dhe temperatura e lëkurës ulen, lëkura fillon të mplaket më shpejt se zakonisht.

Nikotina iu takon substancave me aftësinë potenciale më të lartë të varësisë e krahasuar me kokainën. Nëse organizmit i ndërpritet nikotina shfaqen dhimbjet e kokës ose gjendje ankthi e cila mund të zgjasë deri në 72 orë. Efekti secilën herë zgjat më shkurt e kështu që nevoja për cigaren tjetër rritet duke shkaktuar kështu një varësi të rëndë. Në përgjithësi konsumimi i cigares është një varësi-ves. Pas 3 javësh nga lënia e cigares nuk ka aspak nevoja trupore për konsumimin e cigares, mirëpo shumë duhangjinj për shkak të shprehisë së keqe I kthehen prapë në situata stresi vesit të keq pirjes së duhanit.

MARIHUANA ose Hashishi (Bari/ Kanabisi) 

Substanca aktive; Tetrahydrocannabinol (THC)

Hashishi nxirret nga rrëshira e luleve femërore të barit Indian. Rreshira thahet, shtypet në pllaka dhe pastaj tymoset ose nganjëherë përdoret në pije ose në ushqim e përzier.

Substanca aktive THC ndikon në koordinimin e lëvizjeve, perceptimit, emocioneve dhe kujtesës. Krahasohet me efektin e acidit yndyror trupor andamidit. Andamidi është një acid i pangopur yndyror i cili posaçërisht është i nevojshëm për sistemin nervor qendror. Një përshkrim i detajuar i efektit të THC është akoma i pasqaruar por dihet që më shumë shkakton efekt psikologjik se sa reaksion trupor.

Tek konsumimi i hashishit ndodhin çrregullime të të menduarit, koncentrimit, vëmendjes si dhe të kujtesës. Konsumuesit hutohen nga çdo detal. “Ndjenja e mirë” nga hashishi pason shpesh me zvogëlim vullneti dhe një tendencë molisjeje. Çrregullimet e mendimeve sjellin në një gjendje kur gjithçka duket pa kuptim, gjendje e cila me kalimin e kohës të shpie në izolim social. Konsumimi i hashashit nuk qon vetëm në varësi trupore. Para së gjithash nevoja psiqike është ajo që mbetet dhe shumica e konsumentëve e kanë të vështirë të mësohen pa hashish. Hashishi kondiderohet si drogë fillestare. Pasi që është ilegale shitet në të zezën nga dilerët të cilët natyrisht shesin edhe drogat e rënda kokain, heroin, Ecstasy etj.

Mundësia për të ardhur tek një drogë e rrezikshme d.m.th. është e thjeshtë. Njerëzit e varur nga hashishi janë më afër të bëjnë një “karrierë të drogave tjera ” e cila jo rrallë ka pasoja të rënda.

ALKOOLI
Substanca aktive Etanoli

Alkooli prodhohet nga fermentimi i pemëve, drithërave dhe patateve. Gjatë fermentimit sheqeri shndërrohet në alkool. Alkooli thithet nga i gjithë aparati tretës, duke filluar në mukozë të gojës, në lukth dhe përfundon në zorrë. Alkooli shkon direkt pastaj nëpërmes gjakut në sistemin nervor duke ndikuar posaçërisht në tru. Fusha e të pamurit ngushtohet (pamja e tunelit) si dhe koha e reagimit është e zvogëluar. Duke filluar nga një gotë verë (0,2 Litër), një birrë (0,3 Litër) ose një gotë raki zhduken ngurrimet dhe përdoruesit fillojnë të flasin më shumë. Kjo sasi i përgjigjet sasisë 0,2 promila. Me 2 ose 3 gota verë (0,3 Liter) ose gjysmë litri ulet aftësia e reakcionit ndërsa rreziku rritet.

Me këtë sasi kemi 0,5 Promila në gjak. Prej 5-6 birrave ose 1 Litër verë ulen funksionet trupore si koordinimi i lëvizjeve dhe baraspesha, aftësia e të folurit të kuptueshëm. Alkooli në gjak tani arrin 1.0 promila. Rreth 2.0 promila fillon vjellja dhe çrregullimet e baraspeshës. Një helmim me alkool mund të jetë vdekjeprurës. Nga 2,5 Promila do të crregullohet frymëmarrja dhe qarkullimi i gjakut. Nëse vije deri te humbja e vetëdijes paraqitet rreziku për jetë.

Pasojat e përdorimit të alkoolit janë të shumëfishta. Organi që atakohet më së shumti është mëlçia. Lista e organeve të dëmtuara është megjithatë e gjatë. Alkooli sot është njëri ndër shkaktarët kryesorë të vdekjes.

ECSTASY
Substanca aktive amfetamina/ MDMA

Ecstasy është një drogë e prodhuar në mënyrë artificiale. Është një Party-drogë posaçërisht tepër e përdorur nëpër diskoteka në formë të tabletave me ngjyra të ndryshme. Ecstasy e zvogëlon aftësinë e të gjykuarit dhe të koncentrimit. Tableta nxit ndjenja të afërsisë trupore, ndjenja lumturije, zhduket ndjenja e turpit, zhduket frika, muzika përjetohet më intenzivisht.

Kjo drogë megjithatë e qet jashtë funksionit sistemin trupor të paralajmërimit, që normalisht e sinjalizon organizmin për mungesë të lëngjeve nga nxehtësia e tepërt. Konsumuesit e ekstazisë e kanë për këtë arsye ndjenjën që münden”gjithë vikendin për të vallëzuar”. Vallëzimi i tepruar sjell jo rrallë tek një humbje e madhe e lëngjeve si dhe deshtim veshkash. Shumë raste në vit përfundojnë me vdekje.

Konsumimi i rregullt i ekstazisë shpie në çrregullime të mëdha shpirtërore si p.sh. depresione dhe çrregullime personaliteti. Simptome tjera janë djersitja e tepruar, shtangimi i nofullës, dridhja e muskujve, çrregullimet e qarkullimit të gjakut, tharja e gojës, marramendja, puçrrat në fytyrë etj. 20-80 min. pas marrjes së tabletës ekstazi fillon veprimi e po qesë konsumuesi njekohesisht ka pirë edhe alkool atëherë veprimi është i paparashikuar. Pas rreth 4 deri 6 orësh fillon të bie veprimi.

Gjendja e lodhjes së madhe, kokë dhimbjet, nervoziteti, gjendja depresive dhe çrregullimet e kujtesës janë pasojat.

Marrja e vazhdueshme e kësaj droge shpie tek mungesa e seritoninës. Kështu që vije tek efekti i kundërt i veprimit të kësaj droge. Edhe pas lënies së kësaj droge pasojat janë afatgjate. Përdoruesit e kësaj droge ngecin në shkollë dhe në profesion, vuajnë nga mungesa e vullnetit dhe perspektivës. Mosha e fillimit po bëhet gjithnjë e më e re. Përdoruesit janë shumë të varur psiqikisht nga kjo drogë e rrezikshme. Pasojat mund të jenë fatale.

KOKAINA/ Crack 

Substanca aktive: Kokain/ Kokainhydrochlorid

Pluhuri i bardhë, njëra ndër drogat më të rrezikshme dhe me të përhapura, perfitohet nga gjethet e bimës Coca e cila rritet 600-1000 m lartësi në Amerikën jugore.

Kokaina vepron në sistemin nervor qendror dhe shpie tek disponimi i mirë deri në eufori si dhe sjell ndjenjën e të qenit aktiv në punë. Vetëbesimi rritet kështu që konsumentët e kokainës janë shumë egocentrikë. Ndjenja e urisë dhe lodhjes zvogëlohet. Tek konsumimi i kokainës vije deri tek çrregullimet e frymëmarrjes dhe pulsit të zemrës. Enët e gjakut ngushtohen dhe kështu rritet shtypja e gjakut. Kokaina mund të sjell tek çrregullimet fatale të ritmit të zemrës me pasoja vdekjeprurëse.
Edhe pagjumësia e madhe si pasojë e kokainës mund ta rëndojë trupin në mënyrë ekstreme dhe të dërgojë në dekompensim.

Kokaina sjell halucinacione pamore, ide të ndjekjes, çrregullime orientimi, nervozitet dhe agresivitet e nganjëherë edhe gjendje psikoze. Pas rënies së efektit vije tek gjendje depresiviteti. Për këtë arsye shtohet nevoja për dozën e ardhshme. Tek përdorimi i gjatë I kokainës vije tek ndryshimet në personalitet. Personi e humb arsyen dhe aftësinë e ndjeshmërisë, për këtë arsye njihe si ego-drogë.

Kokaina të bën shumë shpejt të varur, para së gjithash psiqikisht. Tek disa edhe pas një përdorimi të vetëm. Pas përdorimit të vazhdueshëm vije tek varësia trupore.

Një formë tjetër e kokainës e ashtuquajtura Crack e cila përdoret si cigare vepron shumë shpejt dhe është shumë e rrezikshme. Një mbidozim ndodh shpejt dhe i cili mund të shpie tek ndërprerja e frymëmarrjes dhe arresti kardiak. Crack të bën shumë shpejt të varur psiqikisht dhe fizikisht dhe mund të sjell tek çrregullimet e mushkërive, çrregullimet e qarkullimit të gjakut, shtypjes së gjakut, çrregullimet e oreksit etj. Përveç kësaj ndërron personalitetin. Konsumentët vuajnë nga çrregullimet e perceptimit, ose ndjehen persona të mëdhenj, të rëndësishëm ose në të kundërtën shumë depresivë, janë shpirtërisht të humbur dhe vuajnë nga çrregullime ankthi. Një konsumim i gjatë sjell pasoja të papërmirësueshme.

HEROINA
Substanca aktive opiumi dhe morfina

Heroina i takon grupit të opiateve. Bima e saj lulëkuqe rritet deri në 1,5 m sidomos në Azinë juglindore dhe Turqi.

Efektet; qetësues, relaksues dhe kundër dhimbjes. Efektet negative, frika dhe ankthi, ndjenja e zbrastësisë shpirterore, mungesē vullneti. Ndjenja e kënaqësisë zgjat vetëm disa minuta. Konsumentët pastaj janë me orë të tëra të përgjumur. Kur efekti kalon kërkon trupi dozën tjetër. Konsumentët kalojnë shpejt në përdorimin intravenoz mirëpo e përdorin edhe me inhalim gojë/ hundë.

Cilat janë pasojat e përdorimit të heroinës?

Kjo drogë vepron në mënyrë shkatërruese. Pasojat fizike përfshijnë dëmtimin e mëlçisë, çrregullime gastrointestinale, prishen dhe humbjen e dhëmbëve si dhe sëmundjet e mushkërive. Injektimet mund të shkaktojnë infeksione si HIV dhe hepatit. Edhe dëmtimet e zemrës nuk janë të rralla. Tek burra, heroina ndikon në uljen e potencës seksuale, tek gratë në çrregullimet e menstruacioneve. Varësia redukton aftësinë e koncentrimit dhe të të mësuarit.

Heroina qon në varësi të fortë fizike dhe psiqike. Simptomet trupore p.sh. po që de trupit i mungon heroina janë; djersitja, ndjenja e të ftohtit, dridhja, dhimbje e fortë e nyejve, çrregullimet e gjumit, çrregullimet e shtypjes së gjakut, kështu që konsumentet mundohen që t’i evitojnë këto simptome me çdo çmim dhe marrin dozën tjetër.

Pasi që varësia bëhet e papërballueshme financiarisht konsumentët shëndrrohen në delikuentë, fillojnë të vjedhin, shndërrohen në dhunues e kriminelë. Shumica e dëshirojnë më shumë vdekjen se sa një mënyrë të tillë të jetesës.

Pse vdesin aq shumë konsumues të heroinës?

Rreziku qëndron këtu sepse kufiri në mes të përballimit dhe mospërballimit gjegjësisht rrezikut të mbidozimit është shumë i ngushtë. Një dozë heroinë përmban zakonisht 10 mg pluhur. Për dikë që nuk është mësuar munden të jenë vdekjeprurës edhe 5 mg. Por edhe konsumentët e rregullt munden të vdesin nga mbidozimi kur nga pamjaftueshmëria ose për shkak të nevojës në rritje detyrohen ta rrisin dozën. Sidomos vdekjeprurëse mund të jetë përzierja me kokainë (Speed).

Këto ishin vetëm disa informacione për drogat kryesore. Në ditët e sotme për fat të keq numri i konsumentëve të drogave sidomos atyre sintetike (Party-drogat) është duke u rritur në përmasa alarmante. Këto droga (MDMA, Ecstasy, amfetaminet, Speed, LSD, opioidet sintetike) nuk dinë pardon.

Të rinjtë janë viktimat kryesore të këtyre shkatërruesve të ardhmërisë. Pasojat nga përdorimi i drogave të lartpërmendura janë shumë të rënda. Natyrisht që për secilën mund të flitet e të shkruhet shumë më gjatë.

Edukimi shëndetësor është shumë i rëndësishëm po aq sa edhe mjekimi psikoterapeutik.
Mjekimi është i mundur nëse ekziston përkrahja e familjes, shoqërisë dhe e institucioneve.

Kam parë këto vite shumë pacientë që kanë eksperimentuar shumë me droga mirëpo pas vuajtjeve të përjetuara i janë nënshtruar mjekimit dhe sot bëjnë jetë normale.

Të tjerët kanë zgjedhur vuajtjen dhe përballen me pasojat e rënda.

Unë jam e bindur që nëse institucionet tona gjegjësisht shteti po qesë nuk ndërmerr hapa konkretë duke filluar nga edukimi shëndetësor pastaj ndarja e mjeteve për krijimin e institucioneve speciale për pastrimin nga drogat dhe atë në të gjitha qendrat e Kosovës do të përballemi shumë shpejt me probleme shumë të mëdha.

Paramendojeni kur për Zvicrën ky problem shpeshherë është aq sfidues, çfarë do të jetë në vitet në vijim për Kosovën e Shqipërinë.

Andaj secili prej nesh të bëjmë diçka për ti ndihmuar rinisë sonë të bukur që ka rënë pre e kësaj të keqeje të rrezikshme. Kjo e keqe mund ti troket secilit në derë, andaj mos i paragjykoni ata që kanë hyrë në këtë rrugë të errët, mos i fajësoni familjarët që tashmë janë duke vuajtur me të dashurit e tyre, kjo mund ti ndodh secilit me fëmijët, nipat apo mbesat.

Sipas informatave jozyrtare që kam edhe përdorimi i benzodiazepineve- barnave qetësuese në Kosovë është alarmant. Pasojat afatgjate të përdorimit të tyre janë gjithashtu të rënda. Sipas hulumtimeve shkencore më të reja disa lloje demencash llogariten të jenë favorizuar nga përdorimi i gjatë i benzodiazepineve. Në Zvicër p.sh. një pastrim nga këto barna shpesh është i mundur vetëm në kushte spitalore. Për varësinë nga qetësuesit do të shkruaj në një shkrim të veçantë./FamiljadheShëndeti