DHURUESIT E GJAKUT – HERONJTË E HESHTUR QË SHPËTOJNË JETË

 

Nga Dr. Jeton Zenuni, Qendra Kombëtare e Kosovës për Transfuzionin e Gjakut

 

Në kohërat e sotme na pëlqen shumë të flasim për heronjtë. Mediat sociale janë të mbushura përplot me rrëfime për këta persona që ndodhen në vendin e duhur në kohën e duhur, të cilët veprojnë në mënyrë heroike, duke u bërë kështu shumë shpejtë të njohur për veprimet e tyre. Fotografitë ose videot e tyre i gjeni të shpërndara në të gjitha rrjetet sociale. Por heronjtë nuk janë gjithmonë të njohur publikisht.

Kur jemi te këta të fundit, a e dini se një dhurim i vetëm i gjakut mund të shpëtojë jetën e 3 personave, ku secili prej tyre mund të ketë nevojë për lloje të ndryshme të transfuzionit! Një dhurues i rregullt i gjakut mund të japë gjak çdo 3-4 muaj, që i bie 3-4 herë brenda një viti! Po edhe sikur të japë gjak vetëm një herë në vit, çfarë veprimi mund të jetë më heroik se kjo?

Dhuruesit e gjakut janë heronj të personave që kanë nevojë për të. Në fakt, dhurimi i gjakut është një nga kontributet më domethënëse që një person mund të bëjë për komunitetin e tij.

 

NË FAKT, CILA ËSHTË RËNDËSIA E GJAKUT?

Megjithëse janë bërë zbulime dhe shpikje të jashtëzakonshme në të gjitha disciplinat shkencore, ende është i pamundur prodhimi i ilaçit ‘magjik’ – gjakut në kushte laboratorike. Qelizat e gjakut nuk ka mundësi të prodhohen në laborator, andaj kjo e bën dhurimin e gjakut të vetmen mënyrë të përfitimit të tij. Pasi që gjaku i njeriut nuk ka zëvendësim e as alternativë tjetër, furnizimi i spitaleve me gjak varet ekskluzivisht nga dhuruesit e gjakut. Kërkesat për gjak të sigurt janë në rritje andaj edhe dhurimet e rregullta vullnetare të gjakut janë jetike për shërbimet e transfuzionit. Gjaku mund të ruhet për një periudhë të kufizuar kohore, prandaj Qendra e Transfuzionit ka nevojë për një koleksion të qëndrueshëm dhe të vazhdueshëm të sasive të gjakut.

 

ATËHERË, PREJ NGA VIJNË KËRKESAT MË TË MËDHA PËR GJAK?

Kërkesat më të mëdha për gjak vijnë nga Qendra Emergjente, për personat që kanë pësuar trauma dhe aksidente komunikacioni, pastaj për pacientët të cilët iu nënshtrohen intervenimeve kirurgjike, pacientët me anemi kronike dhe sëmundje tjera të gjakut, jeta e të cilëve varet nga transfuzionet periodike të gjakut, personat e prekur nga kanceri, gratë shtatzëna dhe rastet gjinekologjike, të posalindurit dhe fëmijët të cilët mund të kenë nevojë për gjak në raste emergjente, etj.
Kjo sasi e gjakut nuk mund të sigurohet ndryshe përveçse nga dhuruesit vullnetarë. Sipas statistikave të Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, rreth 80% e nevojave të pacientëve mbulohen nga dhuruesit vullnetarë të gjakut, ndërsa 20% nga familjarët. Dhuruesit e rregullt të gjakut janë individë që dhurojnë gjak të paktën dy herë në vit, në baza të rregullta. Ata janë dëshmuar të jenë burimi më i sigurt i dhurimeve të gjakut. Këta persona i nënshtrohen kontrolleve të rregullta shëndetësore me rastin e çdo dhurimi, andaj edhe konsiderohet se kanë një stil të shëndetshëm jetese.

Për fund, themi se ka një hero brenda secilit prej nesh, i gatshëm për të bërë ndryshime kur të tjerët kanë nevojë për ndihmën tonë. Kur dhuroni gjak ju jeni një hero, dhe ju mund ta përjetoni këtë ndjenjë disa herë brenda vitit. Paramendojeni se çfarë ndjenja ndajnë për ju ata persona që kanë nevojë për gjakun tuaj. Ju jeni, pa dyshim, një hero për ta.

Gjaku që dhuroni do të thotë një shansë për jetë për dikë. Një ditë ky mund të jetë ndonjë i afërm, mik, i dashur yni apo vetë ne. Dhurimi i gjaku nuk kushton asgjë, ndërsa shpëton jetë. Lotët e një nëne nuk mund të shpëtojnë fëmiun e saj, por gjaku i juaj po.

Andaj, dhuroni gjak! Shpëtoni jetë!/Familjadheshendeti.com