Rënia e flokëve tek nënat gjidhënëse

Nga Mr.ph Laureta Berisha Kosumi – Farmaciste

Në punën time në barnatore, nënat pas lindjes së fëmijës shprehin shqetësim të madh për rënien e madhe të flokëve, gjë që nuk u kishte ndodhur më herët.

Vërtetë që barnatoret tona janë të pasura me suplemente të ndryshme dhe komplekse vitaminash!

Unë si farmaciste mundohem që nënat t’i këshilloj që së pari të largojnë stresin sepse sa më i madh të jetë shqetësimi që po keni rënie flokësh, aq më e madhe do jetë rënia, pasi që stresi është ndër shkaktarët kryesorë të rënies së flokëve.

Pas kësaj, i këshilloj në ushqyeshmëri të shëndetshme, pasi që me anë të ushqimit mund t’i marrin vitaminat dhe mineralet e nevojshme që mund të ulin rënien e flokut.
Po ashtu, një shampo i mirë dhe një kondicioner i paraparë për flokë të holla, ndihmon në përmirësimin e rënies së flokut, pastaj një prerje do i rifreskonte flokët si dhe përdorimi i vajrave të ndryshme në formë maskash si:

– vaj lavande,

– vaj ricini dhe

– vaj i Vitaminës E,

dhe për fund në qoftë se nëna kërkon diçka nga vitaminat i propozoj marrjen e vitaminave, të cilat do i cek në vijim.

Rënia e flokëve pas lindjes, është një ndryshim normal dhe i përkohshëm që nuk ndërlidhet me ushqyerjen me gji.

Shumica e grave do të kthehen në ciklin e zakonshëm të rritjes së flokëve ndërmjet 6 dhe 12 muajve pas lindjes. Me lindjen e fëmijët tuaj (dhe ndryshimet hormonale që shoqërojnë lindjen), një numër i madh i qimeve hyjnë në fazën e pushimit, meqenëse faza e pushimit pasohet nga rënja e flokëve, nënat e reja do të kenë humbje më të mëdha flokësh se sa normalja.
Humbja e flokëve fillon rreth tre muaj pas lindjes së foshnjës. Humbja e flokëve mund tu duket më ekstreme, nëse gjatë shtatzënisë keni pasur rritje më të vrullshme sesa normalja si dhe nëse keni pasur flokë të gjatë.

Humbja e tepërt e flokëve pas lindjes mund të shkaktohet edhe nga hipotiroidizmi dhe nga anemia.

Çfarë vitamina duhet të merrni pas lindjes? 

Një grua që ka lindur duhet të konsumojë:

– Vitamina E,

– vitamina C,

– vitamina B,

– Zink, dhe

– Biotinë

Këto vitamina janë gjithashtu të nevojshme për të reduktuar rënien e flokëve pas shtatzënisë.
Vitaminat prenatale (së voni ne tregun tonë gjenden edhe vitamina që janë adekuate për nënat gjidhënëse)

Hekuri mund të jetë një lëndë thelbësore për gratë pas lindjes
Acidet yndyrore, Kalciumi, Ushqimet e rëndësishme për flokë normale.

– Perimet jeshile si spinaqi, i cili është i pasur me vitaminë A dhe C (të nevojshem për prodhimin e yndyrës e cila ushqen rrënjën), calcium dhe hekur.

– mishi i pulës, i cili është burim proteinash dhe hekuri.

– veza e pasur me proteina dhe vitaminë B12,

– bizelet,- kuinoa, të cilat janë burim proteinash,

– hekuri, dhe

– zinku ndihmojnë rritjen e flokut.

– qumështi dhe produktet e qumështit (kos, djathë, gjizë, hirrë) të pasura me kalcium dhe proteina të domosdoshme për rritje te flokut.

– peshku salmon, i pasur me Omega 3, vitaminë B12 dhe hekur.

– drithëra të pasura me hekur vitaminën B12 dhe zink.

Stresi, ndryshimi i stilit të jetës dhe tendosja në trup janë faktorë tjerë që mund të zgjasin problemin e humbjes së përkohshme të flokëve pas lindjes së fëmijës.

Ju këshilloj që të shmangni përdorimin e shampove si Permethrin (në treg si Hygia, Pedacet, që janë kundër parazitëve të kokës) pasi që nuk bën të përdoret asgjë kimike kur ka alternativa tjera të padëmshme./FamiljadheShëndeti