Nga: Dr Jeton Zenuni, specialist i transfuziologjisë

Dhurimi i gjakut është një mënyrë e thjeshtë dhe e sigurt për të bërë ndryshime të mëdha në jetën e njerëzve që kanë nevojë për të. Informacionet lidhur me atë se çfarë ju pret para, gjatë dhe pasi të dhuroni gjak, mund t’ju ndihmojnë që të përgatiteni për këtë proces. Gjithë procesin e dhurimit të gjakut për qëllim praktik e kemi ndarë në 5 etapa:

1.Përgatitjet para dhurimit

Rregulli i parë dhe më i rëndësishmi – mos dhuroni gjak në stomak bosh. Hani një vakt të shëndetshëm rreth 2-3 orë para se të dhuroni gjak, për të mbajtur nivelin e qëndrueshëm të sheqerit në gjak. Koha e vaktit është gjithashtu e rëndësishme. Ju duhet të lejoni që ushqimi të tretet siç duhet, para se të nxirret gjaku. Ushqimi pak para dhurimit mund të shqetësojë stomakun tuaj dhe t’ju vie mundim. Shmangni ushqimet yndyrore për 24 orë para se të dhuroni gjak. Rritja e yndyrës në qarkullimin e gjakut mund ta bëjë të pamundur leximin e saktë të disa prej testeve të kryera në mostrat e gjakut tuaj pasi të keni dhuruar gjak.

Pini sasi të mjaftueshme uji – është e rëndësishme që të jeni të hidratuar kur dhuroni gjak, pasi uji është thelbësor për të mbajtur në vlera normale shtypjen e gjakut dhe qarkullimin e shëndetshëm të gjakut. Mundohuni të pini të paktën gjysmë litri ujë apo lëngje të shëndetshme para se të dhuroni gjak. Konsumimi i ujit do të ndikojë që të mos keni marramendje gjatë kohës sa ju dhuroni gjak. Shmangni pijet me kafeinë si kafeja ose pijet joalkoolike, për shkak se mund t’ju dehidratojnë nëse konsumoni sasi të tepruar të tyre.

Disa lloje të veshjeve mund të ndihmojnë në shpejtimin e procesit të dhurimit. Mëngët e shkurtra ose mëngët e gjata që mund të përvilen shpejt, do t’ia lehtësojnë teknikut medicinal të gjejë një vend të përshtatshëm në krahun tuaj. Rrobat me mëngë të lirshme janë një plus, edhe për faktin se ato nuk kufizojnë rrjedhën e gjakut.

Bëni gjumë të mjaftueshëm natën para se të planifikoni të dhuroni gjak.

2.Regjistrimi

Kur të mbërrini në Transfuzionin e Gjakut, do të kërkohet nga ju që të prezantoni një mjet të identifikimit (letërnjoftim, pasaportë apo patentshofer). Më pas do t’ju caktohet grupi i gjakut në rast se jeni dhurues për herë të parë, dhe do të regjistroheni në kompjuter, pavarësisht nëse dhuroni për herë të parë apo jo. Pas 2-3 ditësh, nëse jeni dhurues vullnetar, do të pajiseni edhe me kartelën e dhuruesit.

3.Ekzaminimi mjekësor

Pas regjistrimit, do t’ju ofrohet një pyetësor për t’u plotësuar. Pyetësori është një dokument i rëndësishëm, i cili shërben për vlerësimin e përshtatshmërisë së dhuruesit, në mënyrë që dhurimi i gjakut të jetë i sigurt si për dhuruesin ashtu edhe për marrësin e gjakut. Në të janë të përfshira të gjitha informacionet eventuale lidhur me ndonjë sëmundje, lëndim, intervenim kirurgjik apo ilaçet e përdorura. Përgjigjuni në secilën pyetje ndershëm dhe saktë.

Ekzaminimi mjekësor përfshin një bisedë me doktorin transfuziolog, matjen e shtypjes së gjakut, kontrollimin e rrahjeve të zemrës dhe peshën e trupit tuaj, nëse është e nevojshme. Do të ishte mirë që para dhurimit të gjakut të bëni edhe një pasqyrë të gjakut.

Një person që dëshiron të jetë dhurues, patjetër duhet të informojë stafin për çdo shqetësim në lidhje me shëndetin, në lidhje me ilaçet që kanë marrë kohët e fundit, sëmundjet që ka pasur, dhe detaje të tjera që mund të jenë të rëndësishme nga pikëpamja e garantimit të sigurisë së furnizimit me gjak. Të gjitha të dhënat personale dhe informacionet mjekësore janë konfidenciale dhe nuk do të zbulohen për palët e treta.

Stafi mjekësor i Qendrës së Gjakut ka të drejtë të refuzojë personin e caktuar të dhurojë gjak, nëse dhuruesi vendos të mos përgjigjet në ndonjë nga pyetjet – qoftë ato në formular, ose pyetje shtesë nga personeli mjekësor. Natyrisht, pyetjet janë mirëpritura edhe nga ana e dhuruesit.

Vendimi përfundimtar nëse një person është dhurues i përshtatshëm për të dhuruar gjak, merret nga doktori transfuziolog në Qendrën e Gjakut gjatë një bisede të shkurtër dhe ekzaminimit mjekësor.

4.Dhurimi

Tekniku medicinal me përvojë zgjedh me kujdes venën në gropën e bërrylit dhe pa dhimbje fut gjilpërën në venë.

Një libër, celular ose bisedë e zhvilluar me teknikun medicinal apo mjekun mund t’ju ndihmojë ta zhvendosni vëmendjen nga dhurimi i gjakut, gjatë kohës sa gjaku juaj mbush qesën me antikoagullant. 8-10 minuta mund të tingëllojë kohë e gjatë, por do të kalojë përpara se ta kuptoni se keni mbaruar me dhurimin.

Do t’ju kërkohet të shtriheni në pozitë gjysmë të shtrirë, dhe krahu juaj do të pastrohet me një antiseptik. Tekniku medicinal do të marrë gjakun tuaj duke përdorur një gjilpërë krejt të re, sterile. Sapo të përfundojë dhurimi, tekniku do të heqë me kujdes gjilpërën, do të ushtrojë presion në zonë, pastaj do ta mbështjellë me fashë dhe do të kërkojë ta ngrihni dorën lart ngadalë.

Kjo është vetëm 7-13% e sasisë së gjakut në trupin e një të rrituri. Plazma zakonisht kthehet në nivelin normal brenda 24 orëve, kurse numri i qelizave të gjakut plotësohet brenda tre javësh. Gjatë secilit dhurim, rreth 25 ml gjak gjithashtu nxirret nga trupi i dhuruesit për testim.

Seti (kompleti) është i prodhuar në atë mënyrë që parandalon ripërdorimin e tij. Prandaj, gjatë dhurimit të gjakut, nuk ka kurrëfarë mundësie të kontraktimit të ndonjë sëmundje ngjitëse nga ana e dhuruesit.

Qëndroni shtrirë për disa minuta pasi të keni dhuruar gjak dhe mos u ngrihni shumë shpejt.

5.Pas dhurimit

Është e rëndësishme të hani dhe kompenzoni lëngjet pas çdo dhurimi. Ne ju rekomandojmë të prisni 15 minuta pas dhurimit, ndërkohë që do t’ju ofrohen pije dhe biskota për t’ju mbajtur të hidratuar dhe për të mbajtur në vlera normale nivelin e sheqerit pas dhurimit të gjakut.

Pushoni pasi të keni mbaruar dhurimin 15-20 minuta. Shumica e bankave të gjakut ofrojnë një hapsirë të caktuar për pushim ku dhuruesit mund të ulen derisa të rimarrin forcën e tyre. Nëse ndieni marramendje ose ndiheni të çorientuar gjatë 24 orëve të ardhshme, shtrihuni në shtrat dhe vendosni këmbët lart, ngritur sipër zemrës tuaj. Kjo ndjesi do të kalojë shumë shpejtë.

Shmangni aktivitete të sforcuara siç janë ushtrimet, lojërat sportive për të paktën 24 orë pas dhurimit.

Jini të kujdesshëm nëse ndieni marramendje nga ulja e shtypjes së gjakut. Do të ishte ide e mirë të përdorni parmakët gjatë ecjes lart dhe poshtë shkallëve ose dikush t’ju vozisë gjatë kohës sa ndiheni të disorientuar.

Mbani fashën për 2 deri 3 orë të lidhur. Nëse vëreni nxirje të krahut në vendin e shpimit, vendosni akull.

Pastroni zonën e fashuar në mënyrë periodike me sapun dhe ujë të ngrohtë për të shmangur ndonjë skuqje ose infeksion të mundshëm.

Kompenzoni lëngjet tuaja me ujë ose lëngje të tjera gjatë dy ditëve në vazhdim për t’u siguruar që jeni hidratuar siç duhet. Uji është jetik për prodhimin e gjakut të shëndetshëm. Çfarëdo lodhje ose çorientimi që mund të keni përjetuar duhet të zhduket brenda disa orësh.

Është normale që të ndjeheni pak të lodhur pasi të keni dhuruar gjak. Kjo është për shkak se nivelet e lëngjeve të trupit tuaj dhe nivelet e gjakut të oksigjenuar janë më të ulëta sesa para dhurimit.

Mos pini alkool për të paktën 24 orë. Konsumi i alkoolit mund të hollojë gjakun tuaj, duke zgjatur kohën që ju nevojitet që vendi i gjilpërës të mbyllet, gjë që mund t’ju bëjë të ndjeheni më keq dhe të çojë në një rrezik të shtuar të gjakderdhjes. Alkooli gjithashtu bën që ju të urinoni më shumë, kështu që trupi juaj humbet edhe më shumë sasi të lëngjeve.

Prisni të paktën 3 muaj nëse jeni mashkull, apo 4 muaj nëse jeni femër para se të dhuroni përsëri gjak, duke marrë parasysh humbjen e hekurit nga cikli menstrual. Pasi të mbarojë kjo periudhë kohore, përqendrimi i gjakut tuaj do të kthehet në normalitet dhe do të jeni gati të dhuroni përsëri, pa paraqitur ndonjë rrezik të panevojshëm për shëndetin tuaj.

Nëse dhuroni vetëm trombocite, mund të dhuroni përsëri pas 7 ditësh, ose deri 24 herë brenda vitit.

Shijoni ndjenjën e përmbushjes suaj, me faktin se po shpëtoni jetë.

Bëni një selfie, ose thjesht ndani me miqtë dhe familjarët veprën tuaj të mirë. Kjo mund t’i frymëzojë ata të bëhen dhurues gjaku. /familjadheshëndeti

Shpërndaje
  • 574
  •  
  •  
    574
    Shares