Intervistë me dr Petrit Mulaku, specialist i Mjekësisë Emergjente

Gazetarja Hafize Elshani ka intervistuar këtë herë për rubrikën e vet ‘Shëndeti’ Dr Petrit Mulaku, specialist i Mjekësisë Emergjente që punon në Emiratet e Bashkuara. Në një intervistë ekskluzive për Gazetën “ Familja dhe Shëndeti” ai tregon për punën dhe sukseset e shumta që ka arritur duke rrëfyer gjithçka nga jeta dhe puna në Emiratet e Bahkuara.

Dr. Mulaku përcjell dhe një mesazh duke thënë se orientimi në punë ekipore dhe përkrahje të ndersjellë larg individualizmave në karrierë. Sekreti i suksesit në mjekësi qëndron në punë ekipore, seriozitet në punë dhe respekt të ndërsjellë.

Kjo është intervista e parë nga Dr. Petrit Mulaku, specialist i Mjekësisë Emergjente.

Ju lutemi a mund të na flisni pak për biografinë tuaj personale?

Fillimisht ju falendëroj përzemërsisht për intervistën.Nuk është se jam mësuar shumë me intervista prandaj ishte një pervojë e re për mua.

Jam Dr Petrit Mulaku, specialist i Mjekësisë Emergjente. Studimet themelore i kam përfunduar në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë me 2005. Pas kësaj kam përfunduar edukimin specialistik për Mjekesi Emergjente në Qendren Klinike Universitare në Prishtine me 2012.Te njejtin vit jam zhvendosur bashke me familjen në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku vazhdoj të punoj si specialist i Mjekësisë Emergjente. Perpos kësaj kam perfunduar edhe studimet Master per Menagjment Shëndetësor prane Swiss Business School me seli ne Cyrih te Zvicres por me degë në Emiratet e Bashkuara Arabe. Kam punuar në disa spitale të ndryshme gjatë këtyre viteve, se fundi punoj pranë Sheikh Khalifa Medical City Ajman, që është një grup spitalesh në kuadër të Ministrise se Punëve Presidenciale, por që menagjohet nga Global Health Partners, kompani kjo nga Suedia.

Rruga juaj është bukur e gjatë dhe e mundimshme, përse përzgjodhët mu bash Emiratet e Bashkuara ?

Rruga profesionale e çdo mjeku është mjaft e gjatë dhe e mundimshme, e tillë është natyra e edukimit të çdo mjeku ku fillimisht vetëm studimet themelore zgjasin 6 vite, pastaj puna fillestare si mjek i përgjithshem pastaj edukimi specialistik që zgjat pothuajse sa edhe vetë studimet themelore. Prandaj për të pasur një mjek të gatshëm për shërbim duhet kohë, punë dhe durim mjaft punë.

Arsyeja e zgjedhjes së Emirateve për punë ishte fakti se me ofrohej një perspektivë e re dhe mjaft e përshtatshme me mundësi të ngritjes profesionale dhe punë në kushte të dinjitetshme.

Ju punoni në Emiratet e Bashkuara në spitalet e ministrisë për punë presidenciale, a mund të na rrefeni pak nga eksperienca atje si është dhe po ashtu dallimin mes kushteve dhepërfitimet në pagë?

Emiratet e Bashkuara arabe janë një vend qe ka investuar shumë në kujdesin shëndetësor, gjë që e rendit atë edhe në mesin e vendeve me kualitet të lartë të shërbimeve shëndetësore. Sot Emiratet janë vendi me numrin më të madh të spitaleve të akredituara dhe strategjia qeveritare parasheh që deri ne vitin 2021 vetëm spitalet e akredituara nga JCI ( Joint Commision International) kanë të drejtë të ofrojnë shërbime shëndetësore për popullatën. Përpos kësaj në Emirate punojnë një numër i madh i mjekëve nga e gjithë bota, gjithashtu nga vendet europiane dhe kontinenti amerikan që kanë sjellë një përvojë shumë të mirë në ofrimin e shërbimeve cilësore. Strategjia e qeverisë së bashku me prezencën e shumë mjekëve kulminantë në Emirate, e bënë këtë vend shumë të përshtatshem për punë, ku përfitimet janë shumë të medha sidomos nga aspekti profesional, e gjithashtu ofrohen edhe paga dinjitoze.

A e njihnit paraprakisht situatën ose gjendjen në këtë spital ku punoni tani,a kishit problem me u sistemu?

Spitalet e Ministrisë së Punëve Presidenciale në përgjithesi njihen si spitale mjaft modern dhe të përshtatshme për punë, prandaj edhe adaptimi aty ishte mjaft i lehtë.

Çfarë mund të na veçoni si suksese të paharrueshme në emergjencën tuaj të shërimit, apo në shërbimin e urgjencës ku tani punoni?

Është  e veshtirë të veçohet diçka në menyrë specifike për shkak se vete puna në emergjencë është mjaft voluminoze dhe kontakti me pacientë është shumë i madh. Poashtu sa i përket suksesit, kisha me thënë se puna në emergjencë është ekipore dhe gjithmonë suksesi është kolektiv. Mendoj se krijimi i një mentaliteti të punës ekipore që ekziston në spitalin ku punoj është suksesi me i madh.

Ne çfarë përqendrohet puna juaj?

Puna e një mjeku të Emergjencës shkurtimisht përqendrohet në trajtimin e të gjitha lendimeve apo sëmundjeve akute, trajtimi i të cilave nuk pret, identifikimi i hershem i sëmundjeve potencialisht të rrezikshme për jetën dhe gjymtyret, si dhe identifikimi i komplikimeve të sëmundjeve ekzistuese dhe trajtimi i tyre në faza të hershme para se të jetë vonë për pacientin.

Cilat ishin momentet pozitive të shpresës dhe çfarë ishte eksperienca më e keqe?

Puna në emergjencë shpesh është një simbiozë e çuditshme mes momenteve të shpresës dhe eksperiencave të këqija me dëshpërim të thellë, ku të dyja gjendjet mund të ndodhin në një kohë të njejtë në pacientë të ndryshëm.Mbijetesa e çdo pacienti paraqet gjithmonë moment shprese dhe satisfaksioni, kurse eksperiencat më të këqija gjithmonë kanë të bëjnë kur humbet një pacient dhe duhet njoftuar familja për humbjen e anëtarit të familjes. E dhimbja është zakonisht shumë e madhe kur viktimat janë fëmijë.

Si koordinohen punët me vendet e tjera?

Punët zakonisht koordinohen sipas rregullave dhe procedurave të shkruara që duhet t’i përcjellë çdo spital dhe institucion shëndetësor.

Angazhimi juaj pa përtesë që nga dita e parë në klinikë. Cfarë mendimi kanë arabët për ju dhe çfarë mendimi keni ju rreth grupit tuaj kolegial në spital? Sa është i nevojshëm një profesion i tillë siç e ushtroni ju atje?

Përshtypjet e banorëve lokale në përgjithësi për shqiptarët janë shumë të mira. Kosova nuk është vend i panjohur për Emiratet sepse ushtria e Emirateve ka shërbyer në Kosovë në kuadër të forcës paqeruajtese, dhe ky mision është përcjellë me vëmendje gjithmonë nga qeveria dhe publiku në Emirate. Bashkëpunimi me kolegë është jashtezakonisht i mirë dhe në nivel. Në Emirate është kuptuar roli qendror që një mjek i emergjencës ka në mbarëvajtjen e shërbimeve cilësore, sepse në emergjencë integrohen të gjitha fushat e mjekësisë dhe kujdesit shëndetësor, prandaj i është dhënë një përkrahje dhe hapesire mjaft e madhe.

Jeni punësuar në spitalet e ministrisë për punë presidenciale në Emiratet e Bashkuara arabe dhe vazhdoni të punoni edhe si specialist i emergjencës. Mund ta na e përshkruani punën tuaj?

Po shkurtimisht, ne jemi linja e parë e kujdesit shëndetsor, ku çdo pacient pavarësisht çfarë semundje apo lëndimi ka kërkon ndihmë tek ne. Ne bëjme prioritizimin e pacientëve, ata që kanë nevojë për trajtim të menjëhershem i trajtojmë, ata që kanë nevojë për hospitalizim i hospitalizojmë në bashkëpunim me repartet përkatëse. Ata pacientë që nuk kanë nevojë për trajtim urgjent i lëshojmë në shtëpi me këshilla dhe përshkrime të ilaçeve sipas nevojës së pacientit.

A keni pasur oferta edhe nga spitale të tjera në shtete të ndryshme dhe çfarë ka qenë përgjigjja juaj si specialist në këtë drejtim?

Profili i mjekut të emergjencës është mjaft i kërkuar prandaj edhe ofertat janë të vazhdueshme, qoftë brenda Emirateve, qoftë nga vendet e tjera. Momentalisht jam akomoduar mirë në spitalin ku punoj dhe nuk mendoj të ndërroj ambientin.

Ku është dallimi në mes të mjekësisë në Emiratet e Bashkuara dhe asaj shqiptare e kosovare. A mund të na përshkruani me pak fjalë?

Po shkurtimisht, kujdesi shëndetësor ka qenë prioritet qeveritar që nga themelimi i shtetit të Emirateve te Bashkuara Arabe, prandaj investimet dhe kujdesi i lidershipit në këtë drejtim kanë qenë shumë të mëdha. Dallimet ekzistojnë sidomos në fushën e infrastrukturës, zbatimit të ligjit, trajnimit të personelit shëndetësor, edukimit të vazhdueshëm profesional, sigurisë në punë.

Çfarë i nevojitet mjekësisë shqiptare dhe asaj kosovare për ta arritur shkallën kualitative shëndetësore në vendet e tjera në botë ?

I nevojiten vëmendje dhe dhënie prioritet nga lidershipi dhe shoqëria si dhe investime optimale. Kosova ka një armate të terë të personelit mjekësor mjaft të talentuar, por fatkeqësisht viktima të një lidershipi joefikas. Kjo edhe ka bërë që personeli shëndetësor të leshojë vendin me të madhe dhe rreziku i mbetjes së vendit pa personel shëndetësor është shumë i madh.

A keni menduar ndonjëherë për ta lëshuar Emiratet e Bashkuara për t’u kthyer në Kosovë apo dëshiron të mbetësh akoma atje?

Sigurisht që kjo më sillet vazhdimisht në mendje, por mendoj se ende nuk ka ardhur momenti i duhur.

A keni pasur ndonjë person që njihet tek masa- publiku që e keni trajtuar si rast?

Po sigurisht, po nuk mund të përmend emra për shkak të ruajtjes së privatësisë.

Si një specialist me eksperiencë të gjatë, cili është mendimi juaj për situatën aktuale në lidhje me mjekësin në Kosovë?

Kjo kerkon trajtim shumë te gjerë. Situata është alarmante mendoj pikë së pari për shkak të ikjes se mjekëve dhe infermierve nga Kosova, sigurise se pamjaftueshme në punë, investimeve të pamjaftueshem, zbatimit të pamjaftueshem të ligjit, pagave jodinjitoze, mungesës se fondeve të sigurimit, etj.

Çfarë raste zakonisht trajtoni ju ?

Gama e rasteve që trajtojmë është mjaft e gjerë, me një fjalë çdo gjë që kërkon trajtim dhe vëmendje urgjente, qoftë lendim, qoftë sëmundje, qoftë helmim. Brenda një ndërrimi p.sh mund të shohim fëmijë me infeksione dhe temperaturë të lartë, plagë që duhet qepur, fraktura e dislokime që duhet stabilizuar, sulm në zemër, sulm në tru,  mbyllje të eneve të ndryshme te gjakut, komplikime akute të sëmundjeve kronike, helmime me barëra ose substancë te ndryshme.

Sa të vështirë e keni t’ia dilni mbanë atje ku punoni, a keni presion?

Presioni në emergjencë është gjithmonë prezent, zakonisht brenda kufijve të pranueshem, por ndonjëherë edhe i tejkalon suazat e normalës. 

Terapia për sëmundje të ndryshme a janë më të lira në Emiratete e Bashkuara arabe apo nuk ka dallim?

Kostoja e trajtimeve ne Emirate është me e madhe se sa në Kosovë, ndonjëherë dallimi është mjaft i madh. Por zakonisht kjo kosto mbulohet nga sigurimet shëndetësore, por ndodh ndonjëherë të kemi pacientë të cilët nuk mund t’i mbulojnë shpenzimet, mirëpo trajtimi emergjent iu ofrohet të gjithëve edhe nëse nuk kanë mundësi pagese.

Spitali ku ju punoni a dallon shumë me ato të Kosovës, nëse po për cilat arsye?

Ka disa dallime sigurisht, kryesisht në mentalitetin dhe organizimin e punës. Dallimet në infrastrukturë nuk janë edhe aq evidente, poashtu niveli i njohurive nuk dallon shumë.

A keni pasur raste që keni trajtuar, që ia keni dalur dhe pastaj edhe ju kanë shpërblyer, nëse po na rrëfeni pak?

Ka pasur edhe raste të tille, edhe pse jo shpesh, njerëzit janë shumë falenderues dhe e vleresojnë punën, por nuk me kujtohet ndonjë rast i veçantë. Në Kosovë shpesh ndodhte të shperbleheshim me darka ose dreka e të tilla.

A mendoni se jemi në një situatë të nevojës për një sensibilizim shoqëror, dhe kjo a do të ndikonte në shtytjen e kufijve të rrezikut të sëmundjeve të ndryshme?

Nevoja për sensibilizim është shumë e madhe dhe mendoj se tashme jemi shumë vonë në këtë aspekt. Ngritja e vetëdijes kolektive dhe shpërndarja e informative mbi kujdesin shëndetësor do të ndikonte shumë pozitivisht në shtytjen e procesve përpara, dhe mendoj se pjesa që më së shumti ka nevojë për sensibilizm është lidershipi i vendit. Jemi shoqëri jashtëzakonisht e politizuar dhe vëmendja ndaj proceseve politike i ka kaluar kufinjtë shumë herë dhe kjo mund të vërehet lehtësisht në media qoftë elektronike qoftë të shkruara.Është koha që njerezit ti kushtojnë vëmendje gjërave që kanë të bejnë direkt me individin dhe shoqërinë, dhe mendoj se kujdesi shëndetësor dhe edukimi duhet të jenë në krye të listës. Kjo sigurisht do të ndikonte edhe në zvogelimin e rrezikut nga sëmundjet.

A mendoni se një jetë cilësisht e shëndetshme, një kontroll rigoroz dhe trajtime konform këshillave të mjekëve, mbajnë larg rrezikun e shendetit dhe garantojnë jetëgjatësine, nëse po, cilat do të ishte urdhëresat tuaja të shëndetit të mirë?

Me gjithë përparimin e mjekësisë dhe sofistikimin e kujdesit shëndetësor, prapë se prapë sfidat ndaj shëndetit mbesin shumë të mëdha.Dinamika e jetës, stresi i jetës së përditshme, ushqimi shumë jocilësor, mungesa e socializimit e të ngjashme, kanë sjellur probleme masive në shëndetin kolektiv.Njeriu modern vuan në shumicën e rasteve nga sëmundje dhe probleme shëndetësore që mund të parandalohen nëse i kushtohet rëndesi edhe gjërave që përmenda më sipër. Një pjesë shumë e madhe e problemeve që ne shohim në emergjencë janë ngushtë të lidhura me stresin dhe stilin sedentar të jetës, gjëra që mund të parandalohen me qasje të duhur. Pra me adoptimin e një stili të natyrshëm të jetës, ku i kushtohet rëndesi jo vetëm karierës dhe grumbullimit të kapitalit, por edhe jetës se integruar në natyrë, aktivitetit fizik, ushqimit natyral etj.

Ju jeni mjaft aktiv tek grup dhe “ Familja dhe Shëndeti”, a mendoni se është duke u rritur dita ditës si familje dhe a e shihni si ndihmë të madhe për këshilla mjekësore?

Kur Dr Ismaili me ka kontaktuar ne fillim dhe me ka shpjeguar idenë e Familja dhe Shendeti, të them të drejtën kam qenë pakëz skeptik, sepse i tillë jam pak edhe nga natyra.Mirëpo ka qenë një befasi mjaft e këndshme për mua kur kam parë se numri i anëtarve të faqes është rritur në mënyrë akute shumë të shpejtë dhe interesimi ka qenë mjaft i madh. Publiku e ka pritur mjaft mirë edhe pse ka pasur dhe vazhdon të ketë disa sfida, por ne do vazhdojmë të jemi afër njerëzve tanë dhe t’u ofrojmë ndihmë brenda mundësive tona.

Dhe për fund cili është mesazhi i juaj, për mjekët dhe studentët specializantë.Çfarë mesazhi mund të na jepni?

Besoj që tashme çdo mjek e student i mjekësise e ka kuptuar natyrën e punës dhe sfidat që i presin në punën e përdishme si mjek. Konsistenca dhe këmbengulja në punë dhe angazhim është rruga e vetme për sukses dhe qëndrueshmeri në karrierë, dhe porosia që kisha dashur të perçoj në këtë moment është orientimi në punë ekipore dhe përkrahje të ndërsjellë larg individualizmave në karrierë.Sekreti i suksesit në mjekësi qëndron në punë ekipore, seriozitet në punë dhe respekt të ndersjelle./familja dhe shëndeti/

© Familja dhe Shëndeti.Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Shpërndaje
  • 512
  •  
  •  
    512
    Shares