Intervistoi: Hafize F. Elshani, gazetare

Është  i njohur fakti që  çdo disiplinë, pavarësisht objektit të studimit, nuk anashkalon dot rëndësinë e njohjes së dimensionit social.

Megjithëse jeta sociale është e gjerë e mjaft e ndërlikuar, shkenca e sociologjisë nuk lë jashtë mureve të përfshirjes së saj asgjë që lidhet me shoqërinë njerëzore, duke e bërë të ligjshëm dhe të argumentueshëm pretendimin e sociologëve se ajo është mëma e të gjitha shkencave.  Në fokusin e saj sociologjia ka kuptimin e veprimit social, dhe si e tillë ajo shihet si një dije universale, që u shërben çdo anëtari të shoqërisë në formimin jo vetëm akademik, por edhe në kuptimin e strukturave, funksioneve dhe ndërveprimit shoqëror. Ndaj sociologjinë e hasim kudo, në formimin fillor si edukim shoqëror, në atë nëntëvjeçar e të mesëm, por edhe në arsimin e lartë, jo vetëm në kurrikulat e disiplinave që lidhen me shkencat sociale dhe humane, por edhe më gjerë.

Kur jemi të sociologjia “ Familja dhe Shëndeti” ka bërë një intervistë me sociologun PhD. Në UP Ferdi Kamberi, sociologu Kamberi ka rrëfyer vështersit që has si sociolog në Kosovë, po ashtu ka treguar në lidhje me librin e tije  ‘Dilemat e tranzicionit’ që është një trajtesë e komenteve sociologjike, që ndahet në gjithsej pesë kapituj, ku secili trajton probleme të ndryshme të njeriut modern në shoqërinë shqiptare.  Temat e shtjelluara në këtë libër janë të ndryshme: tjetërsimi i njeriut dhe rënia e solidaritetit shoqëror tradicional duke marrë forma të reja solidariteti bashkëkohor, rritja e abuzimeve të substancave psiko-aktive nga grupmoshat e reja, martesat e hershme, ndryshimet në strukturën e familjes dhe të farefisnisë, kriza e vlerave dhe ajo identitare, varësia nga mediat sociale, shoundi dhe kiçi, politika dhe arti, diversiteti dhe toleranca, përplasja e religjionit me sekularizmin, disa shpjegime keqkuptuese mbi shkaqet dhe pasojat e divorcit.

Libri fokus ka një audiencë mjaftë të gjerë përfshirë këtu: të dy gjinitë, moshat e ndryshme, komunitetin shkencorë, studentët, organizatat e shoqërisë civile, mediet.

BIOGRAFIA:

Ferdi Kamberi është PhD. Candidat në Universitetin e Prishtinës (Fakulteti Filozofik – Departamenti i Sociologjisë), ish asistent profesor në Kolegjin Universitar ILIRIA, anëtarë i Shoqatës së Sociologëve të Kosovës, Kryetar i Qendrës për Studime Humane, punon në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal. I certifikuar në programin e USAID & AUK – R.I.T lidhur me Zhvillimin e Politikave Publike dhe Lidership dhe Trajner i certifikuar nga IKAP & GIZ në Dizajnimin dhe Menaxhimin e Politikave Publike të Integrimit Evropian.Është autorë dhe co-autor i disa publikimeve shkencore me impakt faktorë në revista ndërkombëtare dhe regjionale, si dhe autorë i librit “Fundamentalizmi i religjioneve të mëdha monoteiste dhe globalizmi”, të botuar në vitin 2016 nga shtëpia botuese Logos – A dhe autorë i librit “Dilemat e Tranzicionit”, të botuar në vitin 2019 nga shtëpia botuese Artini.

PUNA:

Aktualisht punoj pran Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, jam trajner në Institutin Kosovar për Administratë Publike – IKAP, opinionist, hulumtues, konsulent dhe trajnerë në bashkëpunim me organizatat jo qeveritare vendore dhe ndërkombëtare.

Vështirësitë që has në Kosovë me profesionin e sociologut:

Të jesh sociolog në Kosovë, padyshim se nuk është e lehtë, sepse nuk është thjeshtë çështje e profesionit, por është çështje e cila ndërlidhet me pasionin, gatishmërinë, punën, kreativitetin, nuancat që jep përmes vrojtimeve ndaj shoqërisë, si dhe çështje të tjera. Kur elaborohen këto dhe shihet që sociologu si mjek i shoqërisë nuk çmohet ashtu siç do të duhet ose të paktën siç çmohet në vendet në zhvillim, del edhe më vështirë që të bësh punën e një sociologu ose të jesh i tillë. Por, mbi të gjitha dashnia për njerëz, kontributi, gatishmëria për të qenë altruist dhe për të dhënë kontributin për një “shoqëri të mirë” janë disa nga motivet psikologjike të brendshme dhe të jashtme ato që më shtyjnë mua dhe disa nga kolegët e mi që të kemi një profesion të tillë.

 Sociologjia është pikërisht fokusi që njeriu vrojton, monitoron, analizon, shkaqet, pasojat, dilemat, problemet, konfliktet, mikro dhe makro kulturat në dioptrinë shkencore dhe vjen deri tek një analizë se në cilat drejtime duhet të shkoj shoqëria ose cili duhet të jetë orientimi më i duhet i një shoqërie post-konfliktuoze dhe tranzitore. Sociologu është ai që duhet të përdorë imagjinatën sociologjike për të kuptuar përmes saj, “lidhjet dhe ndërveprimet që ekzistojnë mes kushteve reale të jetës dhe biografisë së gjithsecilit prej nesh, nga njëra anë, me zhvillimet dhe tendencat historike kryesore të kohës sonë, ndër to edhe me proceset globalizuese, të cilat të gjithë ne që përjetojmë në çdo aspekt të jetës sonë të përditshme, si dhe lidhjen mes preokupimeve tona personale dhe çështjeve sociale bashkëkohore”. Në kontekstin, kosovar por edhe në përgjithësi atë shqiptarë vlera e sociologu nuk respektohet dhe çmohet aq sa duhet, ndoshta kjo edhe si rezultat i marketingut të vetë sociologëve në raport me fushat tjera apo ndoshta edhe fokusit medial më shumë tek çështjet e analizave të politikës ditore e cila njeriun së fundi e ka dërmuar në masë goxha të madhe. 

RRETH LIBRIT:

Libri konsiderohet si miku më i mirë i njeriut i cili asnjëherë nuk i hidhërohet, nga libri mund të përfitojmë në zgjerimin e diapazonit të diturisë si individ, familje, komunitet dhe shoqëri. Shoqëria kosovare pas vitit 1999 e këtej është transformuar me disa kuazi – vlera, ka pasur një shpërfaqje të problemeve në krizën e vlerave e cila ka atakuar krizën e identitetit dhe tashmë si shoqëri kemi ardhur tek pyetje e cila nuk po mund do t’i jap përgjigje, ajo është Se çka nënkuptojmë me vlerë sot? ose Çka është vlerë dhe çka jo? Një çështje tjetër e cila ka ndikuar në këtë krizë padyshim se është edhe tranzicioni i cili në rastin e Kosovës si duket edhe akoma është zgjatur dhe nuk është kaluar ky transformim siç thotë Dahrendorfi, 6 muaj për të ndërtuar institucione politike, 6 vite për të ndërtuar një ekonomi të shëndetshme dhe 60 vite për të ndërtuar një shoqëri civile, një gjeneratë më ndryshe e kështu me radhë.

Prandaj, libri i dytë i imi “Dilemat e Tranzicionit”, botuar nga shtëpia botuese Artini dhe ndihmuar pjesërisht nga komuna e Prishtinës, me redaktor: Arsimin Murseli, recensentë: Ermir Hoxha, Ilire Zajmi – Rugova, Avni Rudaku dhe Imran Rasimi, është një përprjekje nga sfera sociologjike që përmes eseve të trajtojmë shpërfaqjen e një sërë fenomenesh sociale të cilat atakojnë drejtpërdrejtë individin dhe familjen si strukturë kryesore e një shoqërie të shëndosh. Dilema në kuptimin ontologjik do të thotë pyetje e cila parashtrohet mbi sension filozofik të diçkaje e cila ekziston apo jo, thjeshtë është një situatë në të cilën duhet të bëhet një zgjedhje e vështirë midis dy ose më shumë alternativave, veçanërisht atyre po aq të padëshirueshme.

Kurse, tranzicioni neve paraqitet si një sistem i tërësishëm i cili është në mes të një ngërçi të kalimit nga tradicionalja në modernen dhe pikërisht këtu shoqëria ka ngecur, ka çaluar, ka krijuar një hedonizëm i cili ka shpërfaq një mori problemesh të cilat me disa prej tyre vetëm po bashkëjetojmë. 

Libri si i tillë është përmbledhje e eseve, janë mbi 27 ese të cilat 13 prej tyre janë të reja, kurse pjesa tjetër e tyre janë publikuar më parë, por gjithsesi se janë pasuruar me referenca, studime, analiza, të ndryshme, të cilat lexuesit i ofrojnë një sferë horizonti nga një qasje multi dimensionale mbi problemet me të cilat po jetojmë. Libri thjeshtë është një skaner sociologjike mbi problemet e shoqërisë post- konfliktuoze dhe plagët sociale nga e pas lufta.

Ai trajton 5 kapituj të cilat trajtojnë problemet dhe dertin e njeriut modern në shoqërinë shqiptare sipas fushave përkatëse. Temat e shtjelluara në këtë libër janë të ndryshme: tjetërsimi i njeriut dhe rënia e solidaritetit shoqëror tradicional duke marrë forma të reja solidariteti bashkëkohor, rritja e abuzimeve të substancave psiko-aktive nga grupmoshat e reja, martesat e hershme, ndryshimet në strukturën e familjes dhe të farefisnisë, kriza e vlerave dhe ajo identitare, varësia nga mediat sociale, shoundi dhe kiçi, politika dhe arti, diversiteti dhe toleranca, përplasja e religjionit me sekularizmin, disa shpjegime keqkuptuese mbi shkaqet dhe pasojat e divorcit, etj. Me fjalë të tjera, libri synon që të paraqes një letërnjoftim mbi problemet dhe fenomenet sociale të cilat kanë kapluar shoqërinë shqiptare dhe ajo gjendet në mes të një ngërçi të solidaritetit mekanik dhe atij organik, që nënkupton se lidhjet e vjetra janë duke u zëvendësuar me lidhjet e reja në shoqëri dhe këtu kemi një stagnim gjatë zëvendësimit të këtyre lidhjeve në fjalë. Prandaj, libri adreson tema të rëndësishme dhe aktuale të cilat janë në koherencë me kohën dhe janë të domosdoshme për trajtimin e tyre, në mënyrë që shoqëria shqiptare të t’i minimizoj këto fenomene dhe të orientohet kah vlerat e mirëfillta shoqërore. Libri fokus ka një audiencë mjaftë të gjerë përfshirë këtu: të dy gjinitë, moshat e ndryshme, komunitetin shkencorë, studentët, organizatat e shoqërisë civile, mediet, si dhe shoqërinë e gjerë.

Mendoj se libri ka tema sociale të cilat ndërlidhen shumë me audiencën dhe publikun edhe të portalit gjithëkombëtar “Familja dhe Shëndeti”, sepse prek në shumë segmente çështjen e familjes si agjens i parë i socializimit, problemet bashkëshortore, fenomenologjinë e ngacmimit seksual, shkaqet dhe pasojat, martesat e hershme, si një variant i trashëguar nga e kaluara dhe e drejta zakonore dhe që akoma vazhdon të jetë problem serioz për të dy gjinitë, divorcin si fenomen në vetë, përfshirë këtu të dhënat sipas viteve, shkaqet, pasojat, keqkuptimet, si dhe çështje të tjera. 

Libri shtjellon edhe tema të tjera, si ejxhizmi që ka të bëjë me diskrinimin ndaj moshës së tretë, ku janë zhvilluar edhe hulumtime me personat e targetuar, kulturën e leximit, çështjet se sa dhe si lexohet, sa shpenzohet, ku jemi në raport me shoqëritë tjera sa i përket kulturës së leximit, si dhe shumë çështje të tjera, të cilat ne ua lejmë lexuesit që ai/ajo të vlerëson në dioptrinë e një kritiku. 

Mendoj se libri trajton fenomene të ndryshme, është një letërnjoftim dhe skanim i gjendjes në Kosovë pas vitit 1999 dhe jep disa orientime se në cilin stad jemi dhe në cilin do të donim të ishim. Ai fokusohet në aspektin e humanizmit dhe solidaritetit social, të cilat zbehen apo janë fare pak prezentë, njëherit virtyte këto të cilat sipas Ibën Haldunit janë “çelësi i mirëqenies materiale dhe shpirtërore në një shoqëri”.

 Në këtë segment, libri sjellë një gërshetim të temave holistike (multidimensionale) të cilat shpeshherë trajtohen në portalin e respektuar “Familja dhe Shëndeti” dhe disa herë temat e tilla që kanë buruar nga ky portal gjithsesi se kanë qenë frymëzim dhe kanë reflektuar edhe në një pjesë të eseve të këtij libri, gjë që po e them për herë të parë publikisht.

Kjo tregon se “Familja dhe Shëndeti” është një kolos i madh i cili ka për synim një familje të shëndoshë jo vetëm në aspektin mjekësor, por edhe atë social, kulturor dhe vleror e kështu me radhë. Temat e trajtuara në këtë portal përveç ngritjes së vetëdijes shoqërore, janë tema përmes së cilave ka përfituar shoqëria në emancipim, edukim, kulturë të debatit, këshilla mjekësore, komunikim, respektim, tolerancë, diversitet të ideve dhe mendimeve, si dhe përfitime të tjera, të cilat nuk do të mund të përmblidheshin me pak rreshta. Prandaj, për mua portali “Familja dhe Shëndeti”, mbetet një dritare gjithë shqiptare e cila ka reflektuar tek të gjithë grupmoshat dhe tek të dy gjinitë, duke krijuar kështu një kohezion social ndërmjet tyre, pavarësisht distancave gjeografike, botëkuptimeve kulturore apo ideve të tjera./Familja dhe shëndeti/

© “Familja dhe Shëndeti” .Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.