Kundër ndërtimit të një lagjeje në Badovc

Intervistoi: Hafize F. Elshani, gazetare

Baton Begollikëshilltar në Këshillin Ndërministror për Ujërat, në një intervistë ekskluzive për Gazetën “ Familja dhe Shëndeti” ka thënë se Kosova është më e varfra në rajon sa i përket ujërave duke shtuar se dhe mostrajtimit i ujërave të zeza është një ndër ndotësit kryesor të resurseve ujore. Tutje tregon dhe për idenë e ndërtimit dhe realizimit të lagjes në Badovc, se nuk pajtohen me këtë ndërtim të planifikuar dhe se presin që kurrë të mos realizohet.

Kjo është intervista e z. Baton Begollit, këshilltar në Këshillin Ndërministror për Ujërat:

Cila është gjendja e resurseve të ujërave në vend?

Në kuptimin e disponueshmërisë me ujëra, Kosova konsiderohet si shtet me stres ujor, e që thjesht do të thotë nuk ka mjaft ujë në dispozicion për të përmbushur kërkesat e një shteti nga kuptimi shoqëror dhe ekonomik. Në fakt, Kosova është më e varfra në rajon sa i përket ujërave, qoftë nga uji i deponuar, qoftë nga të reshurat, pak mbi 40% më pak se shtetet e rajonit për të dyja rastet.
Kurse sa i përket cilësisë së ujërave, fatkeqësisht edhe këtu nuk është se qëndrojmë mirë. Ujërat e Kosovës rrezikohen nga ndërtimet në zonat e mbrojtura ujore, nga shkarkimet e ujërave të zeza të patrajtuara shtëpiake dhe industriale, nga eksploatimi i egër i inerteve në shtretërit dhe brigjet e lumenjve, nga hudhja e mbeturinave sidomos në zonat rurale, etj.

Problemi i mungesës së theksuar të ujit të pijshëm, në kohët e fundit është shpërfaqur në Prishtinë dhe rrethinë.A e shihni si krizë për vendin tonë këtë? P.sh. Fabrika e ujit në Shkabaj a është zgjidhje për furnizimin me ujë të kryeqytetit?

Po, mungesa është e theksuar dhe jo vetëm në Prishtinë. Në Gjilan sidomos theksohet mungesa e ujit. Liqeni i Përlepnicës nga i cili furnizohet pjesa e madhe e qytetit ka rënë në nivele drastike, dhe në mungesë të të reshurave kompania rajonale për ujësjellës do të obligohet të ndërpresë furnizimin nga liqeni, meqë niveli ka arritur në atë që ne e quajmë pjesë e vdekur e një liqeni – ai ujë nuk është i përdorshëm. Vërehen që edhe në qytetet e pellgut të Drinit të Bardhë, që është pellgu me të reshura më të mëdha, ka mungesë të reshurave dhe në disa vende kanë filluar restrikcionet.
Ky është reagim normal, i padëshiruar por i obligueshëm. Kompania nuk do të mund të vazhdojë furnizimin e rregullt kur nuk ka ujë. Këtë më së tepërmi janë duke e përjetuar qytetarët e Gjilanit. Prishtina për dallim nga thatësia e viteve 2012/2013, tani ka një burim të ri – uji nga liqeni i Ujmanit që trajtohet në fabrikën e re në Shkabaj. Po të mos ishte kjo, gjendja në Prishtinë do të ishte edhe më alarmante. Megjithatë, nivelet në akumulimet e Badovcit dhe Batllavës kanë rënë nga 10 m, dhe kompania do të obligohet të merr masa restriktive për të zgjatur disponueshmërinë me ujë, deri sa të shpërblehemi me të reshura.

E thatë edhe ju se në liqenin e Badovcit dhe Batllavës vërehet rënie e nivelit të ujit. A ka rrezik për panik? Poashtu, gjendja në liqenin e Përlepnicës është mjaft serioze – a ka mundësi që të shpallet gjendje emergjente?

Jo, nuk ka nevojë për panik në Badovc dhe Batllavë. Gjithnjë ka nevojë për respekt ndaj një resursi jetik siç është uji. Pra, mos ta ndotim e as mos ta keqpërdorim, si dhe ta kursejmë, sepse këto i kemi në dorë. Të reshurat nuk i menaxhojmë. Me ndryshimet klimatike kjo po bëhet edhe më sfiduese.
Në Përlepnicë gjendja është më alarmante. Kompania atje është në vazhdimësi duke kërkuar burime alternative, kryesisht nga ujërat nëntokësore. Por, duhet ta kemi parasysh se edhe ujërat nëntokësore varen nga të reshurat. Prandaj, në mungesë të tyre kemi pakësim edhe të këtyre ujërave. E që prapë kërkohet kursim maksimal i ujit.

Përveç komunës së Gjilanit e cila ka probleme me rezervat e ujit, a ka zona tjera të Kosovës që janë në rrezik për ndonjë krizë të afërt të mungesës së ujit të pijshëm?

Disa javë më parë kishim gjendjen emergjente në Kamenicë, ku ndërmarrja u obligua që të ndërpres furnizimin sepse burimi nga i cili merrnin ujin u ndotë nga papërgjegjësia e disa shfrytëzuesve të tjerë. Për më tepër, pakësimi i ujit nga të reshurat, e bëri këtë ndotje edhe më të theksuar. Fatmirësisht, kompania gjeti burim alternativ për të zëvendësuar dhe përmirësuar furnizimin. Prandaj, rastet si kjo theksojnë nevojën për ndërtimin e digave të reja. Në përgjithësi, rajonet e Gjilanit dhe Ferizajt kanë mungesa ujore.

Qeveritë e deritashme të Kosovës a i kanë dhënë prioritet projekteve për akumulimin e ujit?

Jo aq sa kemi pa mundësi, ndoshta pjesërisht sepse Kosova është ballafaquar me shumë nevoja gjithandej. Çdo sektor ka qenë deficitar dhe ka pasur nevojë për zhvillim. Tek ne prioritet parësor ka qenë furnizimi i menjëhershëm me ujë dhe këtu kemi pasur përmirësime të dukshme. Por paralel me këto, ka qenë dashtë të përditësohen studimet e mëhershme për ndërtimin e akumulimeve. Ato zona që ishin paraparë për ndërtimin e tyre ka qenë dashtë të shpallen zona me interes të veçantë dhe mos të lejohet tjetërsimi i tyre. Tani më vërehet një interesim shumë më i madh për zhvillimin e akumulimeve të reja dhe kjo është tepër e mirëseardhur ndonëse e vonuar. Ka disa iniciativa të rëndësishme për ndërtimin e disa digave, p.sh. në Kremenatë të Kamenicës, ose digat si pjesë e kompletimit të hidrosistemit të Ibër-Lepencit. Kjo e fundit duhet të shpallet projekt prioritar sepse ofron zgjidhje afatgjate për rajonet e Prishtinës, Gjilanit dhe Ferizajit.

Janë mjaft regjione në Kosovë, të cilat kanë probleme me furnizimin me ujë të pijshëm – pse?

Varet nga këndvështrimi. P.sh. nëse e shikojmë nga disponueshmëria me ujë atëherë duhet cekur se pellgjet e Ibrit, Lepencit dhe Moravës së Binçës janë pellgje me stres ujor ose mungesë të ujërave. Zgjidhja në këto pellgje që kapin kryesisht pjesën qendrore dhe lindore të Kosovës, nëse e ndajmë përgjysmë Kosovën vertikalisht, është ndërtimi i digave. Pa to, nuk ka zgjidhje të rregullt dhe të qëndrueshme.
Nëse shikojmë nga mungesa e ujit në disa vendbanime, sidomos rurale, atëherë janë disa faktorë, p.sh. mungesa e sistemit të ujësjellësit, mungesa e ndonjë burimi ujor ose besoni a jo kemi raste kur kemi dërguar rrjetin por që qytetarët po presin me ju bo edhe lidhjen me sistem. Kyçjet individuale janë obligim vetanak. Sido që të jetë, duhet pas parasysh se në Kosovë nuk bëhet fjalë për vendbanime pa ujë, sepse në mungesë të sistemeve publike banorët kanë puse. Megjithatë, Qeveria në bashkëpunim me kompanitë e ujësjellësve dhe donatorët në vazhdimësi investon në zgjerimin e rrjetit publik dhe në integrimin e sistemeve rurale nën menaxhimin e ndërmarrjeve publike. Kjo e fundit është sidomos e nevojshme për të siguruar qëndrueshmëri në menaxhimin e një sistemi. Sot Kosova qëndron dukshëm më mirë se si ishte pas lufte dhe ka nivelin më të lartë të qasjes në ujësjellës nga shtetet e rajonit.

Si e komentoni idenë e ndërtimi dhe realizimit të një lagjeje në Badovc? Cilat janë masat që duhen ndërmarr në Badovc?

Nuk pajtohemi me këtë ndërtim të planifikuar, i cili presim që kurrë të mos realizohet. Ka një organizim qytetar që po e kundërshton fuqishëm këtë lagje, dhe shumë me të drejtë. Duhet kuptuar që ne nuk kemi ujë të mjaftueshëm. Duhet kuptuar që Badovci dhe liqenet tjera në Kosovë janë liqene artificiale të ndërtuar dhe destinuara kryesisht për furnizim me ujë të pijes, dhe ujitje nga Radoniqi dhe Ujmani. Duhet kuptuar që nuk duhet të lejojmë të krijojmë precedent për ndërtime tjera përreth këtyre liqeneve. Pos moslejimit të çfarëdo ndërtimi, duhet trajtuar edhe dislokimin e pompave të benzinës në hyrje të liqenit dhe ndalimin e qarkullimit të cisternave me derivate apo materiale të rrezikshme përgjatë liqenit. Dhe jo vetëm në Badovc, por edhe në liqenet tjera. Nuk kemi luks me rreziku dhe me luajt kumar me ujin dhe jetën e qytetarëve.

Problemi dhe trajtimi i ujërave të zeza në Kosovë, a është shqetësues?
Mostrajtimi i ujërave të zeza paraqet një ndër ndotësit kryesor të resurseve ujore. Ne jemi në zanafillën e këtij sektori. Sot ekziston vetëm një impiant për trajtimin e tyre në Skenderaj dhe në disa fshatra. Por pritet së shpejti përfundimi i impiantit në Prizren, e edhe ato të Gjakovës dhe Pejës janë në proces të ndërtimit. Gjithashtu janë siguruar fondet edhe për impiantet për Prishtinën me Obiliqin dhe Fushë Kosovën, si dhe për Mitrovicën, Ferizajin, Gjilanin e Podujevën. Domethënë jemi në drejtim të duhur sa i përket ujërave të zeza shtëpiake. Por ka mungesë të veprimit institucional për të obliguar industritë të trajtojnë ujërat e tyre. Këtu nuk ka nevojë të vonohemi. Mjafton që Ministria e Mjedisit t’i obligojë dhe atë menjëherë.

Ndërtimet e hidrocentraleve, si i komentoni dhe si duhet vepruar?

Së pari duhet inkurajuar zhvillimin e energjisë së ripërtëritshme, por pse bash gjithë ky hyxhym përmes ujërave, s’po e kuptoj sinqerisht. Unë e sqarova si qëndrojmë me ujëra, prandaj duhet të evitojmë çdo zhvillim që rrezikon më tej këtë sektor strategjik. Mënyra si po zhvillohen këto hidrocentrale së pari është e kundërligjshme nga këndvështrimi i ligjit të ujërave. Nuk lëshohen këto me leje ujore por me koncesione ujore. Asnjëra nuk është zhvilluar me koncesion. /FamiljadheShendeti.com/

© Familja dhe Shëndeti.Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.