Fëmija im ka temperaturë të lartë, çfarë duhet të bëjë?

A duhet të filloj më antibiotik apo mund të pres deri nesër?

Si mund ta ndihmoj fëmijën tim në shtëpi ?

Nëse fëmija ka temperaturë a guxojmë ti bëjmë dush ose pastrojmë ?

Fëmija im ka fyt të skuqur ,a duhet të marr antibiotik?

Po afron nata a duhet të kam frikë se fëmija mund të fitoj konvulsione (gërrqe)?

Nga Dr. Ismail Lutolli

Specialist Pediatër

Subspecialist Dietolog-Nutricionist

Në punën time si mjek në Klinikën Pediatrike për çdo ditë shoh një skenar pak a shumë të njëjtë ku prindërit e shqetësuar vijnë me fëmijën e tyre për shkak të temperaturës së larta. Temperatura e lartë tek fëmijët nga prindërit zakonisht shihet si një ngjarje dramatike që tregon një sëmundje serioze të një fëmije. Shpesh gjendja është alarmante edhe kur termometri tregon 37.2 gradë C. E tërë kjo përcillet me rrëfimet e mëposhtme :

“Fëmija im ka ethe dhe kanë filluar para një orë” ose “gjithë ditën duke luftuar me temperaturu të lartë kemi frikë natën” , “ne e ulëm temperaturën por për 1 orë u rikthye prapë”, “ kam frikë që fëmija im do ketë konvulsione (gërrqe)”.

Për shumicën e këtyre prindërve, temperatura e lartë e fëmijës është një nga arsyet më të zakonshme për të mos thënë kryesorja kryesore për vizitën e mjekut.

Sa është temperatura normale e trupit?

Matje nen sqetull (axillare ) 36.5 ° C – 37.5 ° C

Matja rektale 37.5 C °

Temperatura e lartë e trupit 37.5 ° C – 38.5

Temperatura shumë e lartë e trupit (ethe) më e rritur se C 39 ° C – 40 ° C

Temperatura e ulët e trupit :më e ulët se 36 ° C

Si matet temperatura e trupit?

Vlerat normale e temperatures tek fëmijët është (matjes axillary) nga 36.5 dhe 37 °C.

Temperatura matet me termometër dixhitale dhe nën krah (axillary), sublingual (oral), dhe ne pjesën e fundit të zorrës së trashë (rektal ).Këtë të fundit nuk do e preferoja tek fëmijët.
Të fëmijët e vegjël nëse keni bërë matjen rektale (në zorrë të trashë) duhet të kujtoni se termometri tregon 0.5 deri 1 ° C më të lartë se vlerat e matura nën sqetull.

Rritja e temperaturës është një mënyrë e natyrshme e mbrojtjes së organizmit

Në të vërtetë edhe pse mund të duket pak paradoksale, temperatura është sistemi i parë i mbrojtjes së trupit kundër viruseve dhe baktereve. Temperatura e rritur e trupit nuk është një sëmundje, por një simptomë që tregon një sëmundje ose çrregullim në trup.

Rritja e temperaturës pra është një mënyrë e natyrshme e mbrojtjes së organizmit. Ndalon dhe parandalon shumëzimin e shkaktarëve të sëmundjes, zvogëlon aktivitetin dhe zhvillimin e tyre. Temperatura e rritur e trupit njëkohësisht rimëkëmbe, përmirëson dhe fuqizon funksionin e sistemit imunitar të bebit apo fëmijës suaj .

Është e njohur shumë kohë më parë fraza e famshme e “babit” të mjekësisë Hipokratit i cili shprehet :”Më jepni një mundësi për të krijuar një ethe (temperaturë ) dhe unë do të kuruar çdo sëmundje”.

Temperature tek bebet dhe fëmijët mund të jetë pasojë e një gripi që po kalon fëmija ose, angina, bronkiti apo inflamacion të traktit urinar (shkaqet natyrisht, mund të jetë edhe tjera).
Nëse shkaku i temperaturës së rritur është: angina e qelbëzuar (fyt apo bajame të qelbëzuara) ,infeksion të traktit urinar, sëmundja duhet të trajtohet me antibiotik por pasi të jenë bërë analizat përkatëse dhe konstatimi i saktë i gjendjes klinike.

Kur prindërit insistojnë për antibiotik dhe mjeku i përkrah?

Në rast të rritjes së temperaturës, reagimi i parë i prindërve ,mbase edhe këmbëngulja e tyrë është në dhënien e antibiotikëve për shkak të frikës nga komplikimet.Thjeshtë nuk duan të kthehen me duar “bosh” nga kontrolla e fëmijët. Ky qëndrim për fat të keq ndodhë në shumicën e rastev .
Mjeku për fat të keq shpesh bëhet pjesmarrës në tërë këtë proces dhe pa u munduar dy herë përshkruan antibiotikët.

Kjo mënyrë e trajtimit të ngritjes së temperaturës përmes antibiotikëve ka quar në shfaqjen masive të rezistencës së mikroorganizmave ndaj antibiotikëve . Në të ardhmen ky do jetë problem kryesor për mjekimin efikas të gjeneratave të ardhshme.

Përdorimi i panevojshëm i antibiotikëve do të thotë të vrasësh të ardhmen e shëndetit (të ardhmen imunitare) të fëmijët

Fëmija im ka fyt të skuqur, a duhet të marr antibiotik?

Arsyeja më e zakonshme për të vizituar mjekun pediatër është prania e temperaturës së moderuar e cila shoqërohet me skuqje fyti apo edhe rrjedhje të pakta nga hundët. Në 95 % të rasteve këto simptome janë të shkaktuara nga infeksioni virusal dhe nuk ka nevojë për antibiotik.
Për fat të keq shumica e këtyre fëmijëve në Kosovë por edhe më gjerë trajtohen nga antibiotike.

Kjo ndodhe edhe për shkak të presionit të prindërve e shpeshherë edhe për shkak të pasigurisë së mjekut.

Në të gjitha rasteve kur kemi infeksion viral marrja e antibiotikëve vetëm do keqësoj gjendjen e bebit apo fëmijës suaj .Në vend që e tëra të kaloj për 3 ditë pikërisht përdorimi i antibiotikëvë do ndikoj që të kemi përkeqësim për disa ditë ,e disa raste edhe keqësim serioz të gjendjes pasi kemi ndërrim te florës normale baktëriale tëk fëmija si dhe rënie të vet imunitetit nga përdorimi i panevojshëm i antibiotikëve. Kuptohet e tërë kjo mund të çojë në zhvillimin e rezistencës bakteriale ndaj antibiotikëve.

Të gjitha analizat janë mirë por mjeku më përshkruan prapë antibiotik pasi fëmija ka temperaturë?

Nëse analizat e gjakut, urinës, CRP, strisho e hundës dhe fytit janë mirë dhe gjendja klinike nuk është serioze ska asnjë arsye për përshkrim të antibiotikëve. Duhet bërë përpjekje për ulje të temperaturës.

Kur temperatura mund të jetë e rrezikshme për një fëmijë?

– Nëse bebi juaj është deri në tre muaj, është e përgjumur dhe ka temperaturë më të lartë se 38 ° C

– Nëse fëmija juaj ka temperaturën me hundë të bllokuar ose kollë që zgjat tre ose katër ditë.

– Nëse temperatura e ngritur është e pranishme për çdo ditë Brenda 4 ditësh, pavarësisht nga mosha e fëmijës.

– Nëse përpos temperaturës kemi edhe simptomat tjera si: të vjella ose jashtëqitje shumë të shpeshta (diare), dhimbje koke, qafë e ngrirë ose ndjeshmëri ndaj dritës, vështirësi në frymëmarrje, lodhje të theksuar, dhimbje gjatë urinimit. Në të gjitha këto raste, është e rëndësishme që fëmijën të dërgoni patjetër në kontroll të pediatri.

Si dhe kur të ulni temperaturën?

Shoqata Amerikane e Pediatrisë këshillon: “Temperaturat nën 38 ° C në përgjithësi nuk duhet të zvogëlohen nëse fëmija nuk ndihet keq dhe nuk ka pasur ndonjëherë konvulsione febrile. Temperaturat edhe më të larta nuk janë të rrezikshme në vetvete dhe nuk janë shenjë e një çrregullimi të rëndë nëse fëmija asnjëherë nuk ka pasur konvulsione dhe nuk vuan nga sëmundje kronike. Shumë më e rëndësishme se vetë temperatura është mënyra se si fëmija përgjigjet ndaj temperaturës.”

Temperatura e rritur mbrojtje natyrale e vet organizmit ndaj infeksioneve

Rritja e temperaturës është një nga mënyrat natyrale të mbrojtjes së organizmit kundër patogjenëve të infeksionit. Prandaj, rekomandohet të ulni temperaturën vetëm kur temperatura rritet mbi 38 ° C nën krah ose 38.5 ° C me rektale. Një temperaturë që zgjat më shumë se tri ditë gjithmonë kërkon një ekzaminim pediatri dhe vlerësimin e tij për procedurat dhe trajtimin e mëtejshëm.
Vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet temperaturave të pasdites, zakonisht ndodhin në pasdite vonë dhe nuk arrijnë vlera të larta (zakonisht deri në 38 ° C). Ky lloj i temperaturës gjithmonë kërkon një rishikim të detajuar dhe teste shpesh shtesë për të parë mundësinë e infeksioneve atipike ose praninë e llojeve të ndryshme të sëmundjeve apo problemeve hematologjike, reumatike dhe sëmundje të tjera.

Si të ulim temperaturën në shtëpi?

  1. a) Metoda fizike
  • Një metodë shumë efektive dhe e rekomanduar e uljes së temperaturës është që ta lani fëmijën me ujë të vakët. Në vaskë ose përmes dushit e lani ngadalë dhe në këtë mënyrë shkaktoni uljen e temp .Larja duhet të zgjatë 15 deri 20 minuta dhe behet komplet kokën dhe tërë trupin.
  • Vendosja peshqirëve te lagur në trupin e bebit apo fëmijës suaj. Peshqirët ndërrohen çdo 5 deri 10 min.
  • Në asnjë mënyrë nuk bën të fërkohet lëkura e fëmijës me alkool për të ulur temp pasi alkooli mund të kaloj barrierën e lëkurës dhe mund të jetë shume i dëmshëm për organizmin e bebit apo fëmijës suaj. Gjithashtu përdorimi i alkoolit për fërkim të lëkurës shkakton ngushtimin e enëve të gjakut në periferi dhe për pasojë nuk do kemi mundësi të shkaktojmë uljen e mëtejmë të temperaturës.
  • Hidrimi i mjaftueshëm i bebit ose fëmijës ,pra marrja e lëngjeve në sasi sa më të mëdha Në temperaturë të lartë të trupit, trupi humbet më shumë lëngje, kështu që është e nevojshme për të pirë shumë për të shmangur dehidrimin. Uji është më i miri, por nëse nuk mund ta bindni fëmijën tuaj që të pijë ujë, nxiteni që të marrë, çaj dhe lëng.
  • Ajrosja e dhomës ,temperatura e dhomës nuk duhet të jetë më e lartë se 22 ° C.
  • Zhvisheni nga veshjet e tepërta .Rekomandohet rrobat e materialeve natyrale (pambuku) që thithin lagështi dhe lehtësisht e lehtësojnë eliminimin e ngrohjes se tepërt të organizmit.

Nëse fëmija ka temperaturë nuk guxojmë të bëjmë dush ose pastrojmë?

Nuk është e saktë. Fëmija guxon të pastrohet, të bëjë dush dhe gjithashtu guxon dhe duhet të pastrojë edhe kokën. Kontakti me ujin do e ndihmojë, do e relaksojë dhe do ndikojë të vije deri te ulja graduale e temperaturës. Duhet kujdes që të mos vendoset direkt në ujë të vakët por ngadalë duke i fërkuar ekstremitetet, trupin dhe pastaj kokën. Kujdes duhet edhe kur të kemi mbaruar, duket fshirë mirë dhe pastaj e nxjerrim në hapësirën tjetër, dhomën. Kuptohet fëmija duhet veshur para se ta nxjerrim nga banjo.

Në spital nuk bëhet dush, kur fëmija ka temperaturë të rritur, sa është e vërtetë?

Po është e vërtetë pjesërisht. Bëhet friksioni pra ulje e temperaturës me lecka të lagura, kjo bëhet në shumicën e spitaleve dhe është metodë rutinore. Normalisht nuk bëhet shpesh larja e plotë pasi fëmijët në spital janë nën kontrollë dhe nuk ka nevojë të vije deri te temperatura 39.6. Kjo ndodhë shumë rrallë dhe për pasojë shumë rrallë kemi raste kur praktikohet.
Aplikimi i kësaj metode (friksionit apo mbështjelljes me lecka te lagura ) bëhet me shumë në emergjenca pediatrike dhe është mjaft efikase.

Nuk kalon asnjë kujdestari e imja e që nuk e praktikojë këtë metodë së paku në 1 ose 2 raste.
Nuk e praktikojmë dushin për shkak të mundësive teknike, pasi kontrollat janë të vazhdueshme dhe është e pamundur në kushte spitalore të menaxhosh kohën kur ke në koridor 3 ose 5 fëmijë me temperaturë të lartë.

Ne kushte spitalore edhe nëse fëmija përjeton konvulsione, shumë shpejtë intervenohet dhe gjithçka kalon shpejtë. Pra dalloni kushtet spitalore me ato shtëpiake. Në kushte spitalore fëmija ka rrugët venoze dhe brenda pak sekondash mund të ndërpriten konvulsionet ose të ulet temperatura pa pasur nevojë të bësh dush për secilin fëmijë që ka temperaturë.

  1. b) Barnat – Preparatet
  • Ato jepen nëse temperatura tejkalon 38 -38.2° C .
  • Zgjedhja e parë është paracetamoli i cili aplikohet në formën e supozitorëve dhe sirurupeve, në një dozë prej 10-13 mg për kilogram të masës trupore. Veprimi fillon brenda 30 minutash, intervali është 4-6 orë.
  • Kujdes nga përdorimi i Paracetamolit me shije dredhëse pasi mund të provokoj alergji te bebi juaj
  • Një tjetër ilaç është ibuprofen dhe administrohet me një dozë prej 5-10 mg për kilogram të peshës trupore, çdo 6-8 orë.

– Para se të niseni për vizitë të mjeku juaj patjetër sigurohuni që i keni dhënë terapinë e duhur fëmijës suaj pasi rruga deri te mjeku mund të shndërrohet në një “traum” të vërtete nëse fëmija përjeton konvulsione (gërrqe) derisa të mbërrini te mjeku.

Pra së pari do i jepni paracetamol dhe lëngje dhe kur temperature të fillon te ulet vazhdoni rrugën për të mjeku juaj.

 Shëndeti jeta dhe lumturia ka një emër www.familjadheshendeti.com