Emancipim i femrës apo…!!!

Pikë së pari termi emancipim, të drejta të grave, barazi gjinore etj etj…aq shumë ka marrë kahje komerciale saqë më dhimbset femra që viktimizohet për qëllime të tilla sidomos nga gjinia femërore, aq më tepër në kohë fushate…

Nëse dëshironi të “luftoni” për të drejta të femrave, së pari duhet ndërruar statusin e femrës në shoqërinë tonë, duhet të ndërrojë mentaliteti i gjinisë mashkullore, e krejt ky mentalitetit shumëherë dëmtues ndaj femrës si në shkollimin, punësimin, mos respektimin e të drejtës së trashëgimisë, e shumëherë edhe skllavërimin e saj, buron nga edukata familjare e mashkullit, kurse femra si bazë e edukimit në familje dhe shoqëri, është ajo që duhet të mbjellë tek fëmija mashkull ndjenja dhe edukatë të lartë në raport me veten e saj si nënë, në raport me bashkëshorten dhe fëmijët vajza nesër…
Shumëherë janë nënat ato që i edukojnë gabimisht djemt e tyre, me frymën se ti je mashkull dhe të takon të sundosh, të udhëheqësh dhe të sillesh si të duash me gjininë femërore qoftë me motrën apo edhe me bashkëshorten e tij…

Pra, nuk mund të fasadohen mure të kalbura në emër emancipimit, barazisë gjinore…nëse themelet nuk janë të forta, stabile dhe të formuara në baza të mirësjelljes, nëse ne nuk edukojmë dhe formojmë breza që do të dijnë të sillen në familje dhe shoqëri, nuk kemi bërë asgjë për rregullimin e statusit të femrës në vendin tonë, ngaqë fasada të tilla lehtë do të bien me disa reshje dhe madje me disa gërvishtje dhe do të dalin në pah muret pa themele të forta, të cilat nuk janë zgjidhje por keqpërdorim i termit femër dhe feminizëm…

Zoti krijoi mashkullin dhe femrën me fizionomi dhe fiziologji të ndryshme, vuri ndjenjën e amësisë te femra, ndjenjë të cilën uroj ta përjetojë çdo femër, vuri butësinë dhe dashurinë në të, ndërsa po të ishim krijuar të njejtë, bota do të ishte mjaft e pavlerë dhe e shëmtuar.

Teksa sot dëgjoj zëra të ndryshëm se do të bëjmë këtë dhe atë për femrën, për të drejtën e shkollimit të saj, trashëgiminë e saj, të drejta të barabarta me meshkujt, do të luftojmë do të luftojmë… si nënë, bashkëshorte dhe mbi të gjitha femër, kërkoj nga të gjithë ju të mos i gjeneralizoni gjërat, të mos shihni vetëm nga këndi juaj por shihni nga të gjitha anët e prizmit, sepse të jesh femër është bekim, por duhet të sillesh si femër, të mendosh si femër dhe mbi të gjitha të ndjesh si femër, jo të lakmosh të bëhesh si mashkull, si ai të cilin po e “lufton” dhe po e sfidon për barazi…

Me respekt:
Laureta

/Familjadheshendeti.com