Përdorimi i sigurtë i barnave për të rriturit

Nga: Mr. Ph. Laureta Berisha Kosumi, farmaciste

Barnat na ndihmojnë të jetojmë më të shëndetshëm duke na e lehtësuar jetën rreth sëmundjeve dhe problemeve të ndryshme shëndetësore. Por, marrja e tyre në rrugë të gabuar ose përzierja e barnave të caktuara mund të jenë të rrezikshme dhe mund të çojë në përkeqësime të gjendjes shëndetësore.

Pacientët shpeshherë kanë një dozë frike për t’i bërë pyetjet e duhura mjekut tek i cili drejtohen, çoftë në ordinancat e tyre private apo në hapsirat spitalore apo të shtëpive të shëndetit, pastaj kur vijnë në barnatore na drejtojnë shumë pyetje të cilat lehtësisht duhet të jenë të ofruara nga ana e mjekut. Ne gjithsesi që jemi në shërbim të të gjithë pacientëve që na qasen, çoftë me recetë apo edhe vetëm për këshilla rreth përdorimit të duhur dhe të sigurtë të barnave. Mirëpo, pacienti duhet të kërkojë spjegime të detajuara edhe nga ana e mjekut, në mënyrë që mjekimi të jetë në hapa të sigurtë dhe të duhur, e sidomos kur i’u përshkruhet një bar i ri.

Barnat ndahen në dy grupe, ato që janë të përshkruara nga ana e mjekut (pra barna që mirren vetëm me recetë si p.sh antibiotikët, barnat qetësuese, barnat kundër yndyrës, tensionit etj) si dhe ato që mirren pa recetë (analgjetikë të ndryshëm), si dhe shtesat tjera plotësuese (suplementet) që mund të gjinden edhe në dyqane me produkte bimore, vitaminat dhe shtesa të tjera.

Sigurohuni që mjeku juaj të di për të gjitha barnat që merrni. Kjo përfshin edhe ato barna të përshkruara edhe nga mjekët tjerë, si dhe vitaminat, suplementet, apo produktet bimore.

Poashtu, duhet të dihet nëse ju duhet të ndryshoni ose të ndaloni marrjen e ndonjë bari që veq keni qenë duke e përdorur më parë, bashkë me barnat e reja të përshkruara. Përzierja e disa barnave mund të shkaktojë probleme të pakëndshme dhe ndonjëherë serioze, mund të fuqizojë ose të ulë veprimin e barit tjetër, pra mund të ketë ndërveprime të caktuara mes barnave.

Pyetjet që duhet bërë mjekut tuaj apo edhe farmacistit kur t’ju përshkruhen barnat e sidomos një bar i ri?

1. Çfarë sëmundje kam dhe si do të veprojë terapia që do të marr?

• Të gjitha barnat që mirren japin një efekt në organizëm. Disa barna prodhojnë një efekt të fortë, ndërkohë që efektet e barnave të tjera mund të mos jenë edhe të dukshme. Barnat zakonisht merren për efektet specifike për të kuruar, lehtësuar ose parandaluar një gjendje mjekësore. Sidoqoftë, ndonjëherë mund të japin efekte anësore të padëshiruara dhe përfitimet potenciale të barit duhet të peshohen kundrejtë rrezikut të efekteve anësore.

Kur rekomandohet një bar ri nga mjeku ose farmacisti juaj, duhet të diskutoni se cilat barna jeni duke marrë, në mënyrë që të mos përfundoni duke marrë barna të shumta me të njëjtin efekt ose që bashkëveprojnë për të prodhuar efekte të padëshiruara.

2. Nëse jeni shtatzënë apo gjidhënëse?

• Nëse jeni shtatzënë ose gjidhënëse ju duhet patjetër ti tregoni mjekut tuaj kur të shkoni në kontrollë dhe të diskutoni mbi barnat e reja që ju përshkruhen, poashtu duhet ta informoni edhe farmacistin në mënyrë që të evitohen lëshimet eventuale nga ana e mjekut rreth barnave të ndaluara për këto kategori.

3. A mund të jem alergji në këtë bar?

• Nëse keni pasur alergji si: skuqje të lëkurës, vështirësi në frymëmarrje, dispepsi, marramandje apo ndryshim humori gjatë përdorimit të ndonjë bari, atëherë duhet të njoftoni mjekun që të ketë kujdes gjatë përshkrimit të barnave të reja.
Gjithsesi të njoftohet nëse jeni alergji në penicilinë.

4. Çfarë gjendje shëndetësore trajton ky bar?

• Është e dobishme të diskutoni me mjekun tuaj apo farmacistin çdo bar të ri që ju rekomandohet, në mënyrë që të kuptoni se cilat janë efektet e mundshme. Ndonjëherë mund t’ju përshkruhen më shumë barna për të trajtuar aspekte të ndryshme të të njëjtës gjendje.

5. Sa herë në ditë duhet ta marr këtë bar?

• Gjithmonë duhet të siguroheni që të ndiqni udhëzimet se si të merrni barin që i’u është përshkruar nga ana e mjekut. Disa barna duhet të merren në të njëjtën kohë çdo ditë për të siguruar që ju të keni një dozë të qëndrueshme.

6. Në çfarë kohe duhet ta marr barin e caktuar?

• A duhet ta marrë në mëngjes, drekë apo darkë. Si dhe nëse thuhet se barin duhet marrë “4 herë në ditë”, a do të thotë kjo 4 herë brenda ditës apo patjetër çdo 6 orë?
Këto shpjegime bëhen konform barit të përshkruar.

7. Çfarë doze duhet të marrë nga bari i caktuar?

• Sa miligramë duhet t’i marrë brenda ditës, a mund të marrë dozë më të madhe në rast së nuk ndihem mirë edhe pas marrjes së një doze etj.
Të gjitha këto shpjegime bëhen për secilin bar individualisht nga ana e mjekut apo farmacistit.

8. A duhet ta marr barin para, me apo pas ushqimit?

• Shumë barna pihen ose në lukth të zbrazët, gjatë apo pas ushqimit, varësisht nga lloji i barit, andaj përherë duhet pyetur mjekun ose farmacistin se si ti merrni barnat.

9. A ka ndonjë ushqim apo pije që nuk duhet të hani ose të pini kur të merrni barin e caktuar?

• Disa barna mund të ndërveprojnë me barna të tjera, ushqime ose pije të caktuara nëse ato merren në kombinim, ose edhe nëse ato merren disa orë më larg. Ndërveprimet mund të ndryshojnë efektet e barir dhe nganjëherë ndryshojnë
fuqimisht punën e barit.

Ekzistojnë një sërë barnash që njihen për të bashkëvepruar fort me njëri-tjetrin. Prandaj është e rëndësishme të diskutoni me mjekun ose farmacistin tuaj para se të filloni të merrni ndonjë bar të ri dhe t’i tregoni gjithmonë për barnat që jeni duke përdorur. Kjo përfshin kombinimin e barnave madje edhe të vitaminave.

Shumë barna janë të njohura për të ndërvepruar me ushqime dhe pije të caktuara si p.sh grejpfruti ose alkooli dhe kështu mjeku apo farmacisti juaj mund t’ju këshillojë që të jeni të vetëdijshëm për ndërveprimet e mundshme me këto ushqime ose pije para se të filloni të merrni barnat.

Shkrim i detajuar rreth ndërveprimeve të barnave me ushqimit:
https://www.familjadheshendeti.com/nderveprimet-mes-barnave-dhe-ushqimeve/

10. Sa kohë do të marr këtë bar?

• A duhet ta marrë për kohë të shkurtër (disa ditore) apo deri në kontrollën e ardhshme. E tëra varet nga lloji i barit dhe kohëzgjatja e mjekimit.

11. Çfarë do të thotë termi “sipas nevojës“?

• A duhet ta marrë vetëm në rast të dhimbjeve, apo formave tjera të përkeqësimit të shëndetit apo në formë të vazhdueshme, e tëra varet nga bari që është duke u marrë.

12. Nëse harroj të marr barin çfarë duhet të veprojë?
• Gjithsesi edhe te kjo pyetje duhet dhënë përgjigje individuale rreth atij bari që jeni duke marrë.

13. Çfarë efekte anësore mund të më shfaqen?

• Të gjitha barnat kanë një efekt në trupin tuaj. Zakonisht një ilaç merret për një efekt të dëshiruar për të trajtuar një gjendje të caktuar, por nganjëherë njerëzit gjithashtu do të përjetojnë efekte anësore.

Mjeku ose farmacisti juaj mund të diskutojë me efektet anësore të mundshme me ju para se të filloni të merrni një ilaç të ri. Megjithatë ju duhet të mbani në mend se jo të gjithë pacientët do të përjetojnë efektet anësore të renditura.

14. Çfarë përbërësish aktiv ka ky bar?

• Emri i përbërësit aktiv identifikon kimikalin në barin e caktuar (në formë farmaceutike përkatëse) që prodhon efektin e duhur në organizëm.

Shumë barna me të njëjtin përbërës aktiv janë në dispozicion nga prodhues të ndryshëm dhe shiten nën emra të ndryshëm tregtarë.

15. A duhet patjetër të mirret ky prodhim që më është përshkruar apo mundem të marrë edhe “zëvendësim“?

• Ndonjëherë prodhuesit e ndryshëm të të njejtit bar, me të njëjtin përbërës aktiv mund të kenë një formulim, ngjyrë, shije dhe paketim paksa më ndryshe. Është e rëndësishme të kuptohet se barnat me përbërës të njëjtë aktivë, do të veprojnë në të njëjtën mënyrë për të dhënë të njëjtin efekt, edhe nëse ato shiten me emra të ndryshëm të prodhuesve dhe vijnë në paketime të ndryshme. Pra, nuk ka logjikë dhe nuk është as etike e as profesionale që mjeku të kërkojë nga ju të merrni vetëm prodhimin që u’a ka përshkruar, kjo ndodhë me ngulm të ne në Kosovë dhe në mënyrë të vazhdueshme, për arsye përfituese siq e kam cekur shumëherë në shkrimet e mia.

Nëse farmacisti ju ofron një prodhues alternativ të barit me të njëjtin përbërës (emër të njejtë gjenerik) aktiv, ju duhet të jeni të sigurtë se do të ketë efekt të njejtë.

16 Si ti ruajë barnat dhe a duhet patjetër ti mbajë në frigorifer?

• Barnat duhet të ruhen në përputhje me udhëzimet e prodhuesit, të cilat përgjithësisht shtypen në paketim ose në fletëpalosjen e informacionit. Zakonisht barnat duhet të ruhen në një vend të ftohtë dhe të thatë, jashtë nga rrezet e diellit, megjithatë kushtet e ruajtjes ndryshojnë dhe disa barna duhet të mbahen në frigorifer ( temperaturë 2 deri 8°C).

Është e rëndësishme që barnat të ruhen larg nga mundësia që mund ti kapin fëmijët për të parandaluar gëlltitjen aksidentale, gjë që mund të çojë në pasoja të rënda. /Familjadheshendeti.com