Mbrojtja e lëkurës gjatë stinës së verës

Nga Dr. Artizana Dushi – Dermatovenerologe

Lëkura nuk është vetëm mbështjellës sipërfaqësor por është organi me i madh i trupit të njeriut përgjegjës për mbrojtjen e organizmit ndaj mikroorganizmave të ndryshëm, balancon temperaturën trupore, prodhon vitaminën D dhe ndihmon me balancin e lëngjeve trupore. Lëkura po ashtu refleksion apo pasqyrë e shëndetit dhe stilit të jetesës.

Mbrojta e lëkurës prej rrezeve të diellit, dehidrimit, reaksioneve alergjike, plakjes ka rendësi për një pamje të re dhe shëndet të mirë.

Mbrojtja e lëkurës nga dielli gjate stinës së verës ka rëndësi të madhe. Vera, deti dhe dielli bëjnë mrekulli për organizmin tonë mirëpo, kujdesi jo adekuat për lëkurën lë pasoja të mëvonshme.
Lëkura e fytyrës është pjesa e cila vuan më së shumti nga ndikimi i faktorëve agresiv të ambientit.

Për të pasur një lëkurë të shëndetshme duhet t’i kushtohet rëndësi e veçantë dhe mirëmbajtje adekuate duke u përshtatur me stinën përkatëse.

Gjatë stinës së verës lëkura duhet të pastrohet me pillingje të lehta si uji micelar me anë të cilit mbahet në kontroll yndyra e tepërt. Pillingjet agresive gjatë verës shkaktojnë më shumë dëme se sa dobi.

Kremrat duhen të jenë të lehta, hidratuese me faktor mbrojtës.
Faktori mbrojtës duhet te jetë SPF 30+ ose SPF 50+. Duhet t’i përshtatet llojit të lëkurës, për lëkurë të thatë, të yndyrshme apo akneiforme.

Përveç pastrimit adekuat të lëkurës, kremrave hidratues duhet të konsumojmë sasi më të madhe të ujit për të balancuar humbjen e lagështisë së lëkurës.

Gjatë qëndrimit në plazh duhet të mbajmë kapele, syze dielli për mbrojtje të syve, krem për buzë me SPF 50+.

Të mos ekspozohemi në diell prej orës 10:00 deri në ora 16:00.

Ajri i kondicionuar nuk preferohet gjatë natës në hapësirë ku kalojmë gjumin për shkak se shkakton tharjen, dehidrimin dhe humbet shkëlqimin e lëkurës./FamiljadheShëndeti