Cilat ushqime nuk guxojmë t’i ngrijmë?

Ushqimi i ngrirë (nuk) është i shëndetshëm!

Cili është dallimi në vlera ushqyese në mes ushqimit të freskët dhe atij të ngrirë?

Sa kohë mund të ruhen ushqimet në ngrirje të thellë?

Nga Dr. Ismail Lutolli 

Specialist Pediatër

Subspecialist Dietolog-Nutricionist

Pyetja që shpeshherë na sillet në mendje ka të bëjë me ngrirjen e ushqimeve të ndryshme dhe përgatitjen për sezonin e dimrit. Kjo pyetje bëhet edhe më domethënëse nëse kemi gjëra të shëndetshme nga bahçet tona. Ngrirja është proces i ruajtjes së ushqimit me ndihmën e temperaturës së ulët, ku vije deri te ndalimi i ndryshimeve biokimike dhe fermentative si dhe zhvillimin e mikroorganizmave.

Ushqimi i freskët është më i shëndetshmi!

Në fillim duhet të sqarojmë se ushqimi i freskët gjithmonë është më i miri dhe me i shëndetshmi sidomos kur ai është sezonal. Pra, çdo ushqim sezonal dhe i freskët dhe vendas është gjithmonë më i shëndetshëm sesa ushqimi i ngrirë.

Provoni që gjithmonë t’i jepni përparësi ushqimit të freskët. Në ngrirje nuk ndodhë ndonjë proces magjik i veçantë apo rikuperimi i ushqimit që po prishet. Aty thjeshtë ndalojmë kohën për atë produkt.

Nga ngrirja do të nxjerrim ushqimin që do të fusim, në mos edhe me të dëmtuar.

Është fare e pakuptimtë të mbajmë një sasi mishi për disa ditë në frigorifer dhe pasi të konstatojmë se “i ka bërë ditët” ta fusim në ngrirje të thellë për ta pasur për më vonë. Kur ta shkrijmë do të konstatojmë se do të jetë i njëjti produkt, por më një gjendje edhe më të keqe sesa ishte para se ta fusnim në ngrirje të thellë.

Pra, nëse doni të hani gjithmonë produkte cilësore e te shëndetshme, gjëja më e mirë që mund të bëni është të konsumoni racionin e planifikuar për atë ditë dhe pjesën që ka ngelur apo që nuk do të konsumoni, të fusni menjëherë në ngrirje.

Duke ditur se një pjesë të ushqimeve është e pamundur ti sigurojmë të freskëta ne sezonën e dimrit, atëherë ngrirja ngelet alternativë e përshtatshme. Ka ushqime që jo vetëm që është e lejuar por edhe rekomandohet ngrirja e tyre nëse dëshirojmë ruajtje cilësore.

Ushqimet që nuk bën te ruhen ne frigorifer me ngrirje të thellë

Eksitojnë disa ushqime të cilat nuk do të duhej të ruhen në frigorifer me ngrirje të thellë, pasi do të vije deri te ndryshimi i strukturës së tyre, shijes si dhe ekziston rreziku për dëme mbi organizmin e atyre që i përdorin.

Ato ushqime janë si më poshtë:

  1. Ushqimi i cili në brendësinë e tij përmban sasi të mëdha lëngu

Shalqiri, portokajtë, kastravecët, assesi nuk bën t’i ngrini. Këta artikuj kanë sasi të madhe të lëngjeve dhe nëse i vendosim në ngrirje të thellë, ,gjatë procesit të ngrirjes kristalizohen dhe pas shkrirjes plotësisht ndryshojnë strukturën dhe bëhen të qullët sikur pure. Pra, kemi humbje edhe të cilësisë e edhe të strukturës sa gati bëhet e papërdorshme për tu ngrënë.

  1. Ushqimi i fërguar dhe i pjekur

Ushqimi i përgatitur dhe i fërguar në sasi të madhe vaji apo ushqimi i pjekur në mënyrë klasike apo në skarë, pas ngrirjes, struktura e tij kërcëlluese dhe shija do të ndryshojë dhe për këtë arsye nuk preferohet ruajtja në ngrirës të theksuar.

  1. Produktet e qumështit

Është mirë që produktet e qumështit si jogurtët, djathërat të përdoren të freskëta pasi mundësia për t’i blerë ekziston në çdo kohë të vitit. Pra, nuk preferohet ruajtja e tyre me ngrirje te thellë. Nëse kjo ndodhë, pas shkrirjes do humbasin goxha në strukturën e tyre dhe në veçanti shijen e tyre.

  1. Vezët e freskëta dhe ato të ziera

Vezët sot ka mundësi të blihen gjatë tërë vitit dhe është tërësisht e panevojshme ruajtja në ngrirje të thellë. Nëse kjo ndodhë, do të kemi humbje të cilësisë dhe ndryshim të strukturës se tyre. Në ngrirje vezët do të bymehen dhe lëvozhga e tyre do të çahet. Nëse behet ruajtja duhet hequr lëvozhga para se ti fusim në ngrirje te thellë.

  1. Perimet

Perimet të cilat kanë përqindje të madhe uji, si sallata jeshile, spinaqi, trangujt, kungujt, kërpudhat, etj. Struktura e këtyre ushqimeve do të dëmtohet në mënyre të dukshme për shkak të kristaleve të panumërta të akullit që do të formohen brenda tyre, kështu që nëse planifikoni të bëni sallatë me të tilla produkte, nuk rekomandohet ngrirja e thelle.

  • Sallata e freskët e gjelbër në frigorifer me ngrirje të thellë do të vyshket dhe do të marrë ngjyrë të gështenjtë dhe do të pësojë edhe ndryshime strukture. Për këtë arsye nuk preferohet ruajtja në ngrirës të thellë.
  • Domatja – vendosja e domates në frigorifer do ‘të ngrijë’ dhe ndalojë edhe pjekjen e tyre. Kjo do të bëjë që shija e domates të humbasë.
  • Patatet – Mbajtja e patateve në frigorifer mund të ndryshojnë sasinë e sheqerit brenda saj. Kjo jo vetëm do të ndryshonte cilësinë e patates, por gjithashtu do të bënte që ajo të ketë shije shumë të ëmbël kur të gatuhet.
  • Qepët – hudhrat nuk preferohet mbajtja e tyre në frigorifer, pasi pësojnë ndryshime si nga struktura ashtu cilësia e tyre .Ato duhet te ruhen në një vend të freskët dhe të thatë.
  1. Erëzat e freskëta për të njëjtën arsye nuk rekomandohet ngrirja e thellë. Është tërësisht e panevojshme
  2. Salcat me bazë vezë si majoneza dhe nënproduktet e saj do të priten dhe ndahen në ngrirje. Kjo do të bëjë që pas shkrirjes ato të jenë praktikisht të pakonsumueshme.
  3. Buka

Ngrirja e përkohshme e një fete buke, e ndalon atë përkohësisht të humbasë shijen. Por lënia në frigorifer e një buke përshpejton zhvillimin e mykut. Temperaturat e ulëta kristalizojnë niseshtenë e pranishme në bukë, duke bërë që ajo të humbasë shijen dhe vlerat ushqyese. Është e panevojshme ruajtja e bukës në ngrirës.

  1. Vaji – tërësisht e panevojshme ruajtja e vajit në frigorifer.
  2. Kafeja – Ruajtja e kafesë në frigorifer do te ndikojë qe ajo të humbasë përfundimisht shijen duke thithur aromat e frigoriferit. Pra, ruajtja në frigorifer nënkupton se nuk do shijoni kafen si më parë.
  3. Pjepri – Pjepri mund të ruhet në frigorifer vetëm nëse është prerë. Kërkimet kanë treguar se duke e mbajtur pjeprin në temperaturën e dhomës, ruhen më mirë vetitë e tij antioksidante.
  4. Avokado, banane – Ruajtja në frigorifer e këtyre dy frutave, ndalon pjekjen e tyre dhe ndikon në humbjen e shijes por edhe cilësisë.
  5. Mjalti – Temperaturat e ulëta nxisin kristalizimin duke bërë që mjalti të ngurtësohet.

 

Sa kohë mund të ruhen ushqimet në ngrirje të thellë

  1. Djathërat e fortë të grirë (pecorino, parmigiano, grana, kaçkavall i maturuar, etj) mund të ruhen shumë mirë deri në 4 muaj dhe mund të përdoren direkt nga ngrirja.
  2. Supa: 2-3 muaj;
  3. Akullorja: 2 muaj;
  4. Mishi i zier: 2 deri në 3 muaj;
  5. Mishi i pa gatuar i pulës i qengjit: 6 deri në 9 muaj;
  6. Pula e zier: 4 muaj;
  7. Proshuta e zier: 1 deri në 2 muaj;
  8. Bifteku i pa gatuar: 6 deri në 10 muaj;
  9. Buka dhe ëmbëlsirat: 3 muaj;
  10. Gjalpi: 6 muaj;
  11. Pemët: 6-10 muaj;
  12. Peshku 3-6 muaj;
  13. Qumështi te nënat gjidhënëse deri 6 muaj;
  14. Pemët dhe perimet e ngrira: Përmbajtjet ushqyese të pemëve dhe perimeve të freskëta, fillojnë të përkeqësohen nga çasti kur vilen. Nëse vendosen në ngrirje të thellë pa u vonuar, mund të ruajnë pothuajse plotësisht cilësinë e tyre dhe vlerat nutritive. Nivelet e mineraleve esenciale siç janë: magnezi, kalciumi, zinku dhe hekuri gjithashtu nuk dallojnë shume nga këta artikujt të freskët dhe ata të ngrirë.
  15. Artikujt e ngrire : misri, borania dhe boronica, kanë përmbajtje më të madhe të vitaminës C në krahasim me artikujt e freskët.
  16. Brokoli i ngrirë ka pasur nivel më të lartë të riboflavineve në krahasim me brokolin e freskët, derisa bizelja e freskët ka pasur sasi më të madhe të kësaj pjese komplekse të vitaminës B se sa bizelja e ngrirë.
  17. Mollët, luleshtrydhet, fiku, kumbullat dhe rrushi: deri në 12 muaj;
  18. Kungulli, agrumet, kungull i njomë: deri në 10 muaj;
  19. Manaferrat dhe boronicat 10 deri në 12 muaj.

Shëndeti jeta dhe lumturia ka një emër www.familjadheshendeti.com

Shpërndaje
  • 79
  •  
  •  
    79
    Shares