A është qumështi i gjirit gjithçka që i duhet një foshnje?

Nga: Dr. Ismail Lutolli 

Specialist Pediater
subspecialist Dijetolog-Nutricionist

Si ta ushqejmë shëndetshëm një foshnje të porsalindur?

Kam mungesë të qumështit, si ta shtoj sasinë dhe të vazhdojë me gjidhënien?

Dua ta ushqejë foshnjën time me gji, por nuk kam mjaftueshëm, çfarë të bëj ?

Gjidhënia është gjithçka që i duhet një të porsalinduri sa i përket ushqyeshmërisë. Gjidhënia, jo vetëm që siguron ushqimin për foshnjën tuaj, por gjithashtu siguron edhe mbrojtjen më të mirë imunitare, përcjellë ngrohtësinë, dashurinë dhe sigurinë e vazhdueshme për foshnjën, duke siguruar kështu rritje dhe zhvillim të kënaqshëm, ecje të mirë në aspektin fizik dhe psikik për fëmijën tuaj, e po ashtu ka rol shumë të rëndësishëm edhe për vetë shëndetin tuaj si nënë.

Me ardhjen në jetë të fëmijës, mendimet e para të një nënë janë dyshuese:

“A thua do ja dal me gjidhënien?”

“A do i mjaftoj gjiri im?”

“A thua a është duke u ngopur mjaftueshëm?”

Pothuajse të gjitha nënat gjatë gjidhënies kalojnë në këto dilema dhe shpeshherë kanë dyshime për atë se sa dhe çka duhet ngrënë për të qenë më të suksesshme. Ato, shpeshherë nga frika se nuk do të kenë qumësht të mjaftueshëm, hanë më tepër se sa që duhet ose dhe ju shmangen disa llojeve të ushqimit nga frika se ato do të ndikojnë negativisht në gjidhënie. Nënat, shpesh nga frika se nuk kanë mjaftueshëm qumësht gjiri, fillojnë me shtesat duke rrezikuar ose humbur tërësisht vetë procesin e gjidhënies.

Nëna e cila i jep një fëmije gji, duhet ngrënë 500 kcal apo ¼ më tepër sesa që ka ngrënë një grua e rritur dhe e shëndoshë, e cila nuk është shtatzënë ose gjidhënëse. Assesi nuk duhet ngrënë si njihet në popull “sa për dy veta”, ose “ duhet ngrënë dyfishin e asaj që ke ngrënë më herët “ .

Nëse ndiqni 21 udhëzimet e mëposhtme, ju do të jeni në gjendje të siguroni konsum të mjaftueshëm të kalorive dhe për rrjedhojë, një sasi të mjaftueshme të qumështit cilësor për fëmijën tuaj:

Cilësia e marrëdhënies mes në këtë proces , cilësia e kujdesit për fëmijën e vogël dhe lidhja që ndërtohet mes bebes dhe nënës ndikojnë direkt në rritje dhe zhvillim te shëndetin mendor e fizik;

  1. Pini sasi të mjaftueshme uji (lëngje të frutave ) 2 deri në 2.5 litra në 24 orë .Përdoreni ujin para se të jeni të etur, sepse etja është një simptomë e hershme e dehidrimit. Merrni një gotë ujë ose një lëng të freskët, lëngje natyrore të frutave dhe perimeve të shtrydhura, sa herë që ushqeni me gji fëmijën. Evitoni ne mënyrë absolute pijet e gazuara dhe lëngjet e gatshme, pasi që përmbajnë sasi te mëdha sheqeri. Mund të përdorni çaja të ndryshme, por me sasi shumë të pakët të sheqerit ose më mirë edhe pa sheqer.
  2. Pirja e lëngjeve, posaçërisht duhet të rritet kur djersiteni (si gjatë verës apo kur aktiviteti juaj fizik është i rritur). Kujdes për sasinë e kafesë dhe të çajit indian (çaji i rusit), pasi përbërësit e tyre mund të kalojnë në qumështin tuaj dhe të ndikojnë në gjumin e foshnjës ose ta bëjnë atë të bezdisshëm, po ashtu duhet t’iu shmangeni në mënyrë absolute pirjes së pijeve alkoolike.
  3. Mëngjesi jep “energji të plotë” për shpejtësinë metabolike te nevojshme gjate gjidhënies. Mos e tejkaloni asnjëherë ngrënien e mëngjesit. Një ditë e re, duhet të fillojë gjithmonë me ngrënien e mëngjesit. Mëngjesi është vakti më i rëndësishëm i ditës. Pas gjumit te natës, mëngjesi është mjet i përsosur për të filluar metabolizmin dhe sigurimin e energjisë për vijueshmërinë normale të ditës. Duke qenë vakti i parë pas zgjimit, ai duhet të na japë energji të mjaftueshme për gjithë ditën dhe energji për tetë vazhduar me procesin e gjidhënies .
  4. Pushoni dhe bëni gjumë mjaftueshëm, bëni 8 orë gjumë çdo natë. Pushimi e në veçanti gjumi, është i domosdoshëm për funksionimin normal të sistemit nervor, për funksionimin e sistemit endokrin dhe imunologjik i cili është shumë i nevojshëm për gjidhënje të suksesshme.
  1. Te rrisni numrin e gjidhënieve gjatë ditës, sidomos kur foshnja sapo ka ardhur në jetë. Të aplikohet procesi i gjidhënies edhe gjatë natës, sidomos në fillim të jetës. Sa herë që foshnja kërkon qumësht, nëna duhet lënë obligimet tjera dhe të kënaqë kërkesat e tij, sidomos në muajt e parë të jetës.
  2. Përdorni drithëra të cilat janë baza e një vakti sepse ato ndihmojnë gjidhënien dhe parandalojnë problemet digjestive, (në veçanti si kapsllëku i cili është i shprehur pas lindjes dhe gjatë fillimit të procesit të gjidhënies).
  3. Hani një shumëllojshmëri ushqimesh, pasi që shumëllojshmëria e aromës dhe shijes në qumështin tuaj, do ta ndihmojë fëmijën tuaj të pranojë më lehtë ushqimet me ngjyra.
  4. Frutat dhe perimet, veçanërisht janë të rëndësishme sepse përmbajnë mineralet dhe vitaminat e nevojshme(mollë, portokall, dardhë). Hani çdo ditë së paku 2 herë.
  5. Një marrje adekuate e proteinave është gjithashtu shumë e rëndësishme. Mishi është ushqim që siguron sasinë e duhur të proteinave në dietën tuaj. Ai gjithashtu siguron kërkesa në rritje për disa elemente si : vitaminë B6, hekur dhe zink. Proteinat mund të merren gjithashtu nga qumështi, vezët, peshku ose shpendët. Përdorni më shumë mish te bardhë deri 3 herë në javë dhe mish të kuq 2 herë në javë.
  6. Përdorni çdo ditë supë (supë pule dhe supa tjera me perime ).
  7. Përdorimi dy deri tri herë në javë Kinoas (Chenopodium Quinoa) mjaft e pasur me proteina. Bilanci i saj është i ngjashëm me proteinat e qumështi dhe ka më shumë proteina në krahasim me orizin, miellin apo grurin.
  8. Merrni ushqime të pasura me kalcium i cili është shumë i rëndësishme gjatë procesit të gjidhënies. Burimet me ngjyra të kalciumit janë: lëngu i portokallit, drithërat, kungulli.
  9. Përdorni kajsi dhe rrush të thatë disa herë në javë. Kajsia veçanërisht ato të thata, përmbajnë fitoestrogjenë që ndihmojnë në ruajtjen e balancit të hormoneve të përfshira në procesin e laktacionit.
  10. Karota dhe spinaqi janë të njohura për efektin e tyre të dobishëm në prodhimin e qumështit. Lëngu i karotës gjatë gjidhënies e përmirëson cilësinë e qumështit të gjirit sepse është i mbushur me vitaminë A.
  11. Nëse e ushqeni vetëm me gji, foshnja juaj nuk ka nevojë për përdorim të ujit. Nëse duam që prodhimi i qumështit të mos bjerë, në përgjithësi nënat edhe gjatë ditëve të nxehta, nuk duhet ti ofrojnë ujë, por gji sa më shpesh .
  12. Shtimi i theksuar i stresit pas lindjes dhe ndryshimi i gjendjes shpirtërore të nënës, pengojnë daljen e qumështit të gjirit. Nëse nëna nuk ka qetësi të mjaftueshme dhe përkrahje nga të tjerët, kjo reflekton në vështirësi në procesin e gjidhënies, duke ndikuar direkt në pakësimin e prodhimit të qumështit. Baza e prodhimit te qumështit, është një ekuilibër hormonal shumë i ndjeshëm dhe që prishet shpejt nga stresi e shqetësimi i nënës. Një nënë gjidhënëse, ka nevojë për përkrahje. Mos hezitoni të bëni këtë në çdo moment .
  13. Oriz ngjyrë kafe – konsumi i rregullt i orizit kafe mund të ndikojë në rritjen e niveleve të serotoninës në tru. Një nga rolet e shumta të këtij hormoni është stimulimi i sekretimit të prolaktinës.
  14. Shmangni ushqimet e ëmbla dhe të yndyrshme, si dhe lëngjet e ëmbla.
  15. Qëndroni larg ushqimeve të përpunuara dhe ato përmbajnë shumë aditivë
  16. Përdorni bukën e zezë ose integrale . Buka e zezë dhe drithërat e plota përmbajnë fibra dhe hekur. Acidi folik është shumë i rëndësishëm në muajin e parë pas lindjes për të pasur nivele optimale në qumështin e gjirit. Materiet përbërëse të kësaj buke janë kalciumi, hekuri, acidi folik, vitamina B si dhe sasi të madhe të magnezit,
  17. Bëhuni pjesë e grupit dhe faqes” përkrahëse dhe mbështetëse të procesit të gjidhënies:

“Familja dhe Shëndeti”

 Dr. Ismail Lutolli – www.facebook.com/drismaillutolli/

Grupet sot paraqesin qendrat reference për përkrahje praktike dhe profesionale të procesit te gjidhënies.
Çdo nënë e re, ka nevojë për përkrahje ,në këto grupe do gjeni përkrahjen adekuate rreth këtij procesi. familjadheshendeti.com/