Përgatiti: Dr Jeton Zenuni

Vetë-izolimi, distanca sociale dhe qëndrimi në shtëpi janë masa absolutisht të domosdoshme për të luftuar koronavirusin. Në anën tjetër, është gjithashtu e domosdoshme që të paktën një anëtar i familjes të shkojë në pazar, ku është i pashmangshëm kontakti me gjësende të cilat preken nga më shumë njerëz.

Prandaj, është e kuptueshme pse shumë njerëz në ditët e sotme po bëjnë panik duke menduar se do të infektohen përmes mjeteve të tjera përveç kontaktit nga personi në person. Paranoja po i shtyn të gjithë të mendojnë se mund ta marrin virusin nga pothuajse çdo gjë, përfshirë rrobat, madje edhe gjërat ushqimore.

Sidoqoftë, Departamenti Shtetëror i Shëndetit në Uashington (DOH) ka lëshuar një deklaratë përmes së cilës hedh poshtë dyshimin se njerëzit mund të marrin COVID-19 përmes gjërave ushqimore. Agjensia madje sqaroi se nuk ka nevojë të dezinfektoni gjërat ushqimore para se t’i prekni me duar dhe t’i çoni brenda shtëpive tuaja.

“Ne nuk kemi prova të cilat sugjerojnë që COVID-19 po përhapet përmes ushqimit fare”, thuhet në deklaratë. Kur të ktheheni në shtëpi nga dyqanet ushqimore, ju lutemi lani plotësisht duart tuaja, por nuk ka asnjë arsye të përpiqeni të dezinfektoni artikujt tuaj. Dhe ju lutem, mos vendosni kimikate si pastrues shtëpiak në ushqimin që do të hani.”

Agjensia e Shëndetësisë gjithashtu vazhdoi të shpjegojë se bazuar në të dhëna shkencore të mbledhura deri më tani nga ekspertët, koronavirusi përhapet vetëm nga një person në person përmes spërklave në ajër, kur një person me COVID-19 teshtit ose kollitet. Dhe, edhe pse virusi mund të përhapet nëpërmes spërklave të vogla që zbresin në sipërfaqe, kjo nuk është mënyra kryesore e transmetimit të sëmundjes.

DOH gjithashtu përsëriti nevojën për të larë duart shpesh dhe për të shmangur prekjen e fytyrës në mes të pandemisë. Për më tepër, agjensia u bëri thirrje të gjithëve që të vazhdojnë të praktikojnë distancimin shoqëror, veçanërisht kur shkojnë në dyqan për furnizime. Gjithashtu, rekomandohet kufizimi i gjërave ushqimore vetëm një herë në javë për të evituar përhapjen e virusit vdekjeprurës.

“Shkenca rreth koronavirusit vazhdon të shpalos në vazhdimësi informacione të reja, por aktualisht nuk ka asnjë provë që sëmundja transmetohet nëpërmes ushqimit”, tha Schaffner për virusin e rrugëve të frymëmarrjes.

Mund të jetë e mundur që një person të mund të marrë COVID-19 duke prekur një sipërfaqe ose objekt që ka virusin mbi të dhe më pas të prekë gojën, hundën ose ndoshta sytë e tyre, por kjo nuk mendohet të jetë mënyra kryesore përmes së cilës përhapet virusi.

Edhe nëse virusi ndodhet në lëkurë, kjo nuk është pika e hyrjes së tij. Nëse i lani duart më pas, kjo është masa e duhur parandaluese. Pra, është e rëndësishme të mos e vendosni dorën tuaj të kontaminuar në gojë, hundë ose traktin e frymëmarrjes.

Prandaj silluni ashtu siç keni vepruar deri më tani. Kur të ktheheni nga pazari, hiqni gjërat nga qeset, dhe më pas lani duart. Pra, thelbi qëndron në masat higjienike, dhe ato lidhen me higjenën e rregullt të duarve. Edhe nëse agjenti infektues (virusi) gjendet në duar, ne nuk do të sëmuremi nëse nuk prekim gojën ose sytë, ose e futim atë përmes rrugëve të frymëmarrjes ose konjunktivës.

Shumica e njerëzve tani i lajnë duart më shpesh, i lajnë duart më gjatë dhe shpresoj që të bëhet praktikë pasi të ketë mbaruar kjo epidemi.

Si të sillemi në dyqan?

Blerësit duhet të ndjekin me përpikëri udhëzimet e distancës sociale brenda dyqanit dhe ta përdorin maskën e fytyrës. Është mirë që të keni me vete një dezinfektues me bazë alkooli në dyqan, nëse është e mundur.

Nëse është e mundur, duhet lënë fëmijët në shtëpi. Nuk dihet shumë rreth asaj se si zhvillohet virusi te fëmijët, por ekspertët thonë se lënia e fëmijëve në shtëpi zvogëlon numrin e njerëzve në dyqan në të njejtën kohë dhe zvoglon kontaktin e tyre me tjerët.

Vazhdoni të praktikoni distancimin shoqëror në çdo hapësirë ​​të mbyllur, përfshirë këtu edhe dyqanet ushqimore. Kur ecni nëpër dyqan, pjesa më e vështirë është kalimi përskaj njerëzve. Shmangni kontaktin e afërt dhe për një periudhë më të gjatë kur të keni mundësi.

Ju rekomandojmë që të keni me vete një listë ushqimesh për të ditur saktësisht se çfarë ju duhet. Kur jeni në dyqanin ushqimor, duhet të prekni vetëm artikujt që planifikoni të blini. Mos i kapni ato dhe t’i ktheni prapa përsëri.

Ka më shumë të ngjarë të infektoheni nga njerëzit në dyqan sesa nga gjërat ushqimore, andaj duhet të zvogëloni ndërveprimin me njerëzit në dyqan, sa më shumë që është e mundur.

Pasi të kthehemi në shtëpi nga dyqani

Çdo herë që hyni në shtëpi nga jashtë, është e rëndësishme të shkoni direkt në lavaman për të larë duart – edhe nëse përdorni dezinfektues dore në makinë pasi të dilni nga dyqani.

Pasi të keni larë duart, është koha që të shpaketoni gjërat ushqimore. Është e rëndësishmeqë pasi të hidhni qeset plastike ose të letrës të fshini banakun ose tryezën ku kanë qëndruar gjërat ushqimore.

Siç do ta bënte secili prej nesh para shpërthimit të koronavirusit, frutat dhe perimet gjithmonë duhet të lahen me ujë para se t’i hani ato. Ekspertët sugjerojnë kundër përdorimit të sapunëve pasi ato mund të shkaktojnë shqetësime në stomak.

Dhe për fund, ju duhet të lani duart në çdo hap: lani duart para dhe pasi të vendosni gjërat ushqimore, para se të lani frutat, pasi të keni fshirë zonat me sipërfaqe me prekje të lartë dhe, natyrisht, përpara se të përgatisni një vakt.

Burimi: https://www.medicaldaily.com/coronavirus-transmission-should-disinfect-groceries-stay-safe-covid-19-451365

https://www.fda.gov/food/food-safety-during-emergencies/food-safety-and-coronavirus-disease-2019-covid-19

Shpërndaje
  • 766
  •  
  •  
    766
    Shares