Përgatiti: Dr. Jeton Zenuni

Të gjithë ne prekim fytyrën tonë herë të panumërta, për çdo ditë. Një hundë e kruar, sytë e lodhur, fshirja e gojës me pjesën e pasme të dorës, janë prej veprimeve që ne bëjmë në vazhdimësi pa u menduar dy herë.

Sidoqoftë, prekja e fytyrës tuaj mund të rrisë ndjeshëm rrezikun e infeksionit me ftohje të zakonshme, grip, e veçanërisht me koronavirus të ri.

Goja dhe sytë tuaj janë zona ku viruset mund të hyjnë më lehtë në trup, dhe gjithë ajo çfarë nevojitet është prekja e tyre me një gisht, i cili tashmë mban një infeksion.

Dy mënyra për të transmetuar një infeksion

Sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), koronavirusi i ri, i quajtur SARS-CoV-2, transmetohet nga një person në tjetrin, si shumë infeksione të tjera të frymëmarrjes.

Kjo nënkupton spërklat e frymëmarrjes kur dikush teshtin, e të cilat thithen në mushkëritë e të tjerëve, si dhe duke prekur një sipërfaqe të kontaminuar me virus, e më pas me të njejtën dorë duke prekur sytë ose gojën.

Ndërsa ne mund të shmangim lehtësisht të qenit afër dikujt që duket qartë se është i sëmurë, ose të ndërmarrim masa paraprake kundër viruseve të ajrit duke përdorur maskë, të shmangurit e kontaktit me virus, kur ai ndodhet në një sipërfaqe, është pothuajse e pamundur.

Ne prekim fytyrën gjatë gjithë kohës

Shkencëtarët që studiojnë këtë shprehi, kanë zbuluar se njerëzit prekin në vazhdimësi fytyrën e tyre.

Në një studim të vitit 2008 nga Trusted Source, 10 subjekte u vëzhguan për 3 orë në një zyre. Studiuesit zbuluan se ata prekën fytyrat e tyre mesatarisht 16 herë brenda një ore.

Një studim tjetër i vitit 2015 nga Trusted Source vëzhgoi 26 studentë të mjekësisë në një universitet në Australi, për të zbuluar se ata prekën fytyrat e tyre 23 herë brenda një ore. Pothuajse gjysma e prekjeve të fytyrës përfshinte gojën, hundën ose sytë, të cilat paraqesin rrugët më të lehta të hyrjes së viruseve dhe bakterieve në trupin tonë.

Edhe profesionistët mjekësorë, të cilët duhet të dinë më mirë, u gjetën duke prekur fytyrat e tyre mesatarisht 19 herë brenda 2 orëve, duke u treguar kështu jokonsistent në respektimin e higjenës së duhur të duarve.

“Gjatë kohës sa ​​punojnë në mënyrë aktive, njerëzit shpesh tundin këmbën e tyre, luajnë me flokët e tyre, ose në këto raste, prekin fytyrat e tyre. Pa dyshim se është e rëndësishme që gjatë aktiviteteve të këtilla të përpiqeni të qëndroni të vëmendshëm, pra gjatë takimit, telefonatës, ose kur jeni të zhytur në punë”, thotë Dr. Alex Dimitriu.

Larja e duarve është thelbësore

Pra, ne duhet të marrim masa preventive si larja e shpeshtë e duarve, në kohëzgjatje prej të paktën 20 sekondave. Por kjo mund të ndihmojë vetëm nëse ne shmangim prekjen e fytyrave tona, pasi nuk ka asnjë mënyrë që ta kuptojmë kur kemi prekur virusin potencialisht vdekjeprurës.

Sipas CDC, larja e duarve efektive përbëhet nga pesë hapa të thjeshtë:

• lagia e duarve

• shkumosja me sapun

• fërkimi

• shpëlarja

• tharja

Sidoqoftë, ne i prekim fytyrat aq shpesh saqë shanset për të rikontaminuar duart mes larjeve të tyre janë jashtëzakonisht të larta. Mjafton që të prekni dorëzën e derës ose të ngjashme dhe ju jeni përsëri në rrezik të infeksionit.

“Një unazë e re, bizhuteri, apo edhe një shirit gome rreth kyçit të dorës mund të shërbejë si një përkujtim për të rritur ndërgjegjësimin, që të mos prekni fytyrën tuaj,” thotë Alex Dimitri, psikiatër amerikan. “Sidoqoftë, duhet sjellë diçka ndryshe për të inkurajuar sjelljen “ndryshe” dhe joautomatike.”

Është një shprehi që mund ta zhdukni

Zachary Sikora, psikolog klinik në Spitalin Northtlewest Medicine në Huntley, Illinois, ofroi këshillat e mëposhtme për të mos prekur fytyrën tuaj gjatë shpërthimit të koronavirusit.

“Jini të vëmendshëm t’i mbani duart larg fytyrës suaj. Mjafton një pauzë e shkurtër që t’ju ndihmojë të jeni më të vetëdijshëm për atë që po bëni me duart tuaja”, tha ai.

Ai shtoi se, ajo që ju ndihmon poashtu, janë shënime të ngjitura nëpër shtëpinë ose zyrën tuaj, në mënyrë që kur t’i shihni ato do t’ju kujtohet të mbani duart larg fytyrës suaj.

“Mbani diç në duart tuaja, qoftë edhe një faculetë, që t’ju përkujtojë të mbani duart larg fytyrës tuaj”, tha Sikora.

Ai gjithashtu rekomandoi të përdorni një dezinfektues dore me aromë ose një sapun aromatik të duarve për t’ju ndihmuar që t’ia përkujtoni vetes që të mbani duart larg fytyrës suaj. Aroma do t’ju tërheqë vëmendjen e vendndodhjes së duarve.

Nëse jeni në ndonjë takim ose ulur në klasë, ai ju rekomandon që të lidhni gishtat së bashku dhe t’i vendosni në prehër.

Më në fund, nëse e prekni shpesh fytyrën tuaj, Sikora thotë se veshja e dorezave mund të jetë një përkujtues fizik efektiv.

Për fund

Sytë, hunda dhe goja juaj janë rrugët më të lehta për hyrjen e një virusi si SARS-CoV-2 në trup.

Mjafton prekja e këtyre zonave me duart tuaja, pasi të keni rënë në kontakt me virusin në një sipërfaqe të cilën e keni prekur më herët.

Masa më e mirë parandaluese, natyrisht, është të mos prekni fytyrën sa më shumë që është e mundur.

Burimi: Healthline/Familjadheshëndeti