Përgatiti: Dr Jeton Zenuni

Nëse keni ethe ose kollë, ekziston mundësia që ju të keni COVID-19. Shumica e njerëzve kanë sëmundje me simptomatologji të lehtë, me mundësi që të shërohen në shtëpi. Përcillni simptomat tuaja. Nëse keni ndonjë shenjë paralajmëruese urgjente (përfshirë problemet me frymëmarrjen), kontaktoni menjëherë institucionin më të afërt shëndetësor.

Hapat që do tju ndihmojnë në parandalimin e përhapjes së COVID-19 nëse jeni i sëmurë

Ndiqni hapat më poshtë: Nëse jeni të sëmurë me COVID-19 ose mendoni se mund të keni COVID-19, ndiqni hapat e mëposhtëm për t’u kujdesur për veten dhe për të ndihmuar në mbrojtjen e njerëzve të tjerë në shtëpinë dhe komunitetin tuaj.

Qëndroni në shtëpi, përveç nëse duhet të kërkoni ndihmën mjekësore

Qëndroni në shtëpi: Shumica e personave me COVID-19 kanë sëmundje të lehtë dhe shërohen në shtëpi pa kujdes mjekësor. Mos dilni nga shtëpia juaj, përveç nëse duhet të merrni ndihmën mjekësore. Mos vizitoni zonat publike.

Qëndroni në kontakt me mjekun tuaj. Thirrni para se të kërkoni ndihmën mjekësore. Sigurohuni që të kërkoni ndihmën mjekësore nëse keni probleme me frymëmarrjen, ose keni ndonjë shenjë tjetër paralajmëruese urgjente, ose nëse mendoni se bëhet fjalë për ndonjë emergjencë.

Shmangni transportin publik: Shmangni përdorimin e transportit publik, ndarjen e mjeteve të transportit me tjerët ose taksitë.

Ndahuni nga familjarët e tjerë në shtëpinë tuaj, kjo njihet si izolim në shtëpi

Qëndroni larg nga të tjerët: Qëndroni larg nga të tjerët, sa më shumë që të jetë e mundur. Nëse është e mundur duhet të qëndroni në një dhomë të ndarë, dhe larg njerëzve të tjerë në shtëpinë tuaj. Përdorni një banjë të veçantë, nëse është e mundur.

Thirrni mjekun tuaj para se ta vizitoni

Telefononi përpara vizitës: Shumë vizita mjekësore rutinë janë shtyrë ose bëhen përmes telefonit ose telemjekësisë. (Nëse keni ndonjë termin të caktuar mjekësor që nuk mund të shtyhet, telefononi mjekun tuaj dhe thuajuni atij që keni ose mund të keni COVID-19. Kjo do të ndihmojë stafin mjekësor të mbrojë veten dhe pacientët e tjerë).

Nëse jeni të sëmurë vëni një maskë që mbulon hundën dhe gojën

Ju duhet të vëni një maskë që mbulon hundën dhe gojën tuaj, nëse duhet të jeni rreth njerëzve të tjerë edhe në shtëpi.

Vërejtje: Gjatë pandemisë COVID-19, maskat mjekësore janë të rezervuara për punonjësit shëndetësor. Ju mund të improvizoni një maskë që mbulon fytyrën duke përdorur një shall apo shami.

Mbuloni kollitjet dhe teshtitjet tuaja

Mbuloni: Mbuloni gojën dhe hundën me një maskë kur kolliteni ose teshtitni.

Hidhni: Hidhni maskat e përdorura në një kosh plehërash.

Lani duart: Lani menjëherë duart tuaja me sapun dhe ujë për të paktën 20 sekonda. Nëse sapuni dhe uji nuk janë në dispozicion, pastroni duart tuaja me një dezinfektues dore me bazë alkooli që përmban të paktën 60% alkool.

Lani duart shpesh

Lani duart: Lani duart shpesh me sapun dhe ujë për të paktën 20 sekonda. Kjo është veçanërisht e rëndësishme pas fryrjes së hundës, kollitjes ose teshtitjes; para dhe pas shkuarjes në banjë; dhe para se të hani ose përgatitni ushqim.

Dezinfektuesi i duarve: Nëse sapuni dhe uji nuk janë të disponueshëm, përdorni një dezinfektues dore me bazë alkooli me të paktën 60% alkool, duke mbuluar të gjitha sipërfaqet e duarve tuaja dhe duke i fërkuar ato së bashku, derisa të thahen.

Sapuni dhe uji: Sapuni dhe uji janë opsioni më i mirë, veçanërisht nëse duart janë dukshëm të ndyra.

Shmangni prekjen: Shmangni prekjen e syve, hundës dhe gojës me duar të palara.

Shmangni ndarjen e sendeve personale shtëpiake me tjerët

Mos ndani: Mos ndani pjatat, gotat, peshqirët apo shtratin me njerëzit e tjerë në shtëpinë tuaj.

Larja e tërësishme pas përdorimit: Pas përdorimit të këtyre sendeve, lani ato tërësisht me sapun dhe ujë ose vendosni në makinë larëse enësh.

Pastroni të gjitha sipërfaqet që “preken shpesh” çdo ditë

Pastroni sipërfaqet që preken shpesh në zonën tuaj të izolimit (“dhoma e të sëmurit” dhe banjo) çdo ditë; personi kujdestar le të pastrojë dhe dezinfektojë sipërfaqet që preken shpesh në zona të tjera të shtëpisë.

Pastroni dhe dezinfektoni: Pastroni rregullisht sipërfaqet që preken shpesh në dhomën dhe banjën tuaj. Lërini që dikush tjetër të pastrojë dhe dezinfektojë sipërfaqet në pjesën tjetër të shtëpisë, por jo dhomën e gjumit dhe banjën e personit të sëmurë (Nëse kujdestari ose ndonjë person tjetër duhet të pastrojë dhe dezinfektojë dhomën e gjumit ose banjën e personit të sëmurë, ai duhet ta bëjë këtë sipas nevojës. Personi kujdestar duhet të veshë një maskë dhe të presë sa më gjatë që të jetë e mundur, pasi që i sëmuri të ketë përdorur banjën).

Sipërfaqet që preken shpesh përfshijnë telefona, telekomandë, sportele, banak, dorëza të derës, pajisje për banjo, tualete, tastierë, tableta dhe tavolina anash shtratit.

Pastroni dhe dezinfektoni zonat që mund të kenë gjak, jashtëqitje ose lëngje trupore në to.

Pastruesit shtëpiak dhe dezinfektuesit: Pastroni zonën ose pajisje me sapun dhe ujë ose një tjetër pastrues nëse është i ndotur. Pastaj, përdorni një dezinfektues shtëpiak. (Sigurohuni që të ndiqni udhëzimet në etiketë për të siguruar përdorim të sigurt dhe efektiv të produktit. Shumë produkte rekomandojnë ta mbani sipërfaqen të lagur për disa minuta për të siguruar që mikrobet të vriten. Shumë gjithashtu rekomandojnë masa paraprake siç janë veshja e dorezave dhe sigurimi që të keni ventilim të mirë gjatë përdorimit të produktit.Shumica e dezinfektuesve shtëpiakë të regjistruar në EPA duhet të jenë efektiv).

Monitoroni simptomat tuaja

-Simptomat më të shpeshta të COVID-19 përfshijnë ethe dhe kollë. Problemet me frymëmarrje janë simptoma më serioze që do të thotë se duhet të kërkoni kujdes mjekësor.

Nëse keni probleme me frymëmarrjen, kërkoni ndihmën mjekësore, por telefononi fillimisht. (Thirrni mjekun ose dhomën e urgjencës para se të hyni brenda dhe tregoni atyre simptomat tuaja. Ata do t’ju tregojnë se çfarë të bëni).

Vendosni një maskë (mbuloni hundën dhe gojën): Vendosni maskën kur të dilni nga shtëpia juaj ose kur jeni përreth njerëzve të tjerë. Nuk ka nevojë të vishni maskën nëse jeni vetëm. Nëse nuk mund të vishni një maskë (për shkak të problemeve me frymëmarrjen për shembull), mbuloni kollitjet dhe teshtitjet tuaja në ndonjë mënyrë tjetër. Mundohuni të qëndroni të paktën 1-2 metra larg nga njerëzit e tjerë. Kjo do të ndihmojë në mbrojtjen e njerëzve përreth jush.

Ndiqni udhëzimet e autoriteteve shëndetësore lokale: Autoritetet tuaja shëndetësore lokale mund të japin udhëzime për kontrollimin e simptomave tuaja dhe si të raportoni informacionin.

Kur duhet të kërkoni ndihmën mjekësore

Nëse zhvilloni shenja paralajmëruese urgjente për COVID-19 kontaktoni menjëherë kujdesin mjekësor. Shenjat e paralajmërimit të urgjencës përfshijnë:

-Lodhje

-Probleme me frymëmarrjen

-Dhimbje të vazhdueshme ose presion në gjoks

Si të ndërprisni izolimin në shtëpi

Njerëzit me COVID-19 që kanë qëndruar në shtëpi (të izoluarnë shtëpi) mund t’i japin fund izolimit në shtëpi në kushtet e mëposhtme:

Nëse nuk do të keni mundësi testimi ndërkohë që jeni akoma ngjitës i infeksionit, mund të largoheni nga shtëpia pasi të kenë ndodhur këto tre gjëra:

-nuk keni ethe për të paktën 72 orë (domethënë tre ditë të plota pa temperaturë, pa ilaçin e përdorur përuljen e temperaturës)

-simptomat e tjera janë përmirësuar (për shembull, kur kolla ose gulçimi juaj janë përmirësuar)

-kanë kaluar të paktën 7 ditë nga shfaqja e parë e simptomave tuaja

Nëse keni mundësi të testoheni për të përcaktuar nëse jeni akoma infektues apo jo, mund të largoheni nga shtëpia pasi të kenë ndodhur këto tre gjëra:

-nuk keni më ethe (pa përdorur ilaçin për uljen e temperaturës)

-simptomat e tjera janë përmirësuar (për shembull, kur kolla juaj ose gulçimi janë përmirësuar)

-keni marrë rezultatet negative për dy testimeme radhë, në distancë 24 orëshe nga njëra tjetra. Mjeku juaj do të ndjekë udhëzimet e CDC.

Në të gjitha rastet, ndiqni udhëzimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar Shëndetësor Publik. Vendimi për të ndaluar izolimin në shtëpi duhet të merret në konsultim me ofruesin tuaj të kujdesit shëndetësor dhe departamentet shëndetësore shtetërore dhe lokale. Vendimet lokale varen nga rrethanat lokale.

Burimi: CDC.gov

Shpërndaje
  • 253
  •  
  •  
    253
    Shares