Përktheu: Jeton Zenuni

“Mami, a do të lozësh me mua?”

Kjo pyetje nuk më shtrohet edhe aq shpesh nga vajza ime, e cila tashmë është 6 vjeçe. Ne luajmë lojëra dhe kalojmë mjaft kohë produktive së bashku duke u marrë me gjëra të dobishme si sporti, arti apo leximi.

Një ditë isha duke pastruar shtëpinë, kur ajo ma shtroi pikërisht këtë pyetje, dhe e dija se më duhej ta ndërprisja punën që isha duke bërë, për t’i ofruar vëmendjen të cilën e kërkonte nga unë.

“Fëmijët nuk thonë ‘sot kisha një ditë të vështirë, a mund të flasim’? Në vend të kësaj ata thonë: ‘A mund të lozim së bashku?’” – Lawrence Cohen.

Herën e parë që e lexova këtë citat nga Lawrence Cohen e ndjeva atë. E dija se ishte shumë e vërtetë.

Ndonëse me kalimin e kohës fëmijët rriten dhe bëhen përherë e më të mençur, shpesh ata nuk dinë të artikulojnë saktësisht atë çfarë ndiejnë dhe cilat janë realisht nevojat e tyre. Kjo është arsyeja përse fëmijët kur kanë ndonjë ankth, nuk tregojnë se janë nervoz, por thonë “po më dhemb stomaku”.

Ata ju tregojnë gjërat në mënyrën që ata dinë.

Ajo çfarë duhet pasur parasysh si prindër, është fakti se ata nuk kërkojnë edhe shumë kohë nga ju. Ata kanë nevojë për vëmendje dhe përqendrim të plotë dhe të pandërprerë për një periudhë të shkurtër kohore.

E dija se, kur vajza ime kërkoi një pjesë të kohës sime, do të kthehesha për të përfunduar punët e mia brenda një gjysmë ore.

Ajo kishte nevojë për mua dhe kjo nuk ishte ndonjë kërkesë e madhe nga ana e saj.

Kur ju gjeni kohë për të luajtur me fëmijët tuaj:

♥ U siguroni atyre hapësirë për të komunikuar me ju.

♥ I lironi ata nga ankthi që mund t’i preokupojë ata.

♥ U ndihmoni në shtimin e vetëbesimit të tyre.

♥ Kjo liron oksitocinën në trurin TUAJ!

Pra, mos harroni: kur fëmija kërkon vëmendjen tuaj përmes lojës, e tëra ajo çfarë ata kanë nevojë, është vetëm që të bisedojnë me ju. /www.familjadheshëndeti.com