ROLI DHE RËNDESIA E OMEGA-3

Nga Mr.ph Laureta Berisha Kosumi – Farmaciste

 

Omega-3 janë një grup i acideve yndyrore të pangopura të cilat kryejnë funksione kyqe në trupin e njeriut. Ato janë pjesë e membranave qelizore dhe luajnë rol kyq në prodhimin e hormoneve, të cilat do të kontrollojnë koagulimin e gjakut dhe elasticitetin e mureve të arterieve, duke pasur rol thelbësor për shëndetin tonë.

Acidet yndyrore Omega-3 konsiderohen lëndë ushqyese thelbësore për shëndetin. Megjithatë, trupi nuk mund të prodhojë vetë acide yndyrore omega-3 prandaj, ato duhet të merren nga burimet ushqimore ose në formë të suplementeve. Burimet kryesore të acideve yndyrore omega-3 janë peshqit. Dy lloje të acideve yndyrore omega-3 gjenden në peshk : acidi eicosapentaenoic (EPA) dhe acidi docosahexaenoic (DHA). Për më tepër, disa bimë gjithashtu përmbajnë acide yndyrore omega-3 në formën e acidit alfa-linolenik (ALA). EPA dhe DHA janë hulumtuar gjerësisht për rolin e tyre në uljen e niveleve të triglicerideve dhe shtypjes së lartë të gjakut, përmirësimin e disponimit dhe shëndetit mendor, si dhe ndihmon në reduktimin e dhimbjes dhe inflamacionit.

Acidet yndyrore Omega-3 janë jetike për një numër funksionesh të rëndësishme të trupit, duke përfshirë koagulimin e gjakut, aktivitetin e muskujve, tretjen, fertilitetin, si dhe ndarjen dhe rritjen e qelizave. Përveç kësaj, DHA është çelësi për zhvillimin dhe funksionimin e trurit.

Omega-3 mund të gjendet në peshk, arra, vaj dhe fara liri, si dhe perimet e gjelbra.

Për shkak të rolit të tyre themelor në funksionimin e mirë të trupit të njeriut, omega-3 besohet të ketë një shumëllojshmëri të përfitimeve shëndetësore, veçanërisht në lidhje me sëmundjet e zemrës, hipertensionin dhe kolesterolin e lartë në gjak. Mënyra më e mirë për marrjen e acideve yndyrore omega 3 është përmes peshkut të yndyrshëm siq janë : toni, salmoni apo sardelet, mjafton që ato të merren tre apo katër herë në muaj.

 

Cila është përiudha më e mirë për marrjen e acideve yndyrore omega-3 ?

Si shumica e suplementeve ushqimore, që per tu parë efekti i mirë i tyre duhet të kalojë një kohë, ashtu edhe tek përfitimet e omega-3 duhet të kalojë një periudhë afro 8 javëshe për tu vërejtur efekti, prandaj duhet pasur durim dhe të mos pritet efekt i mënjehershëm por të vazhdohet me marrjen e tyre. Koha më e mirë për marrjen e tyre është përiudha e darkës. Omega 3 mund të ngadalësojë absorbimin (thitjen) e barnave dhe sumplementeve tjera ushqyese, andaj e këshillueshme është të shmangni marrjen e tyre në të njejten kohë.

 

Cila është doza adekuate tek të rriturit ?

Doza e përditshme e vajit të peshkut për të rriturit duhet të jetë nga 2000 deri në 3000 mg EPA dhe DHA të kombinuara. Ky nivel duhet të merret vazhdimisht me ushqim, për rreth 8 deri në 12 javë para se efektet të fillojnë të bëhen të dukshme. Shumica e prodhuesve të këtij suplementi, e shkruajnë në fletëudhëzimet e tyre që duhet të mirren 1 deri 2 kapsula në ditë, megjithatë kanë anën komerciale të tyre, duke rekomanduar dozë më të lartë. Rishikojeni çdoherë dozën ose pyesni farmacistin rreth saj, në mënyrë që të mos e tejkaloni dozën e rekomanduar ditore duke i bërë mirë prodhuesit.

Hulumtimet kanë treguar se marrja e më shumë se 3 g acide yndyrore omega-3 në formë të kapsulave, duhet të bëhet vetëm nën kujdesin e mjekut, për shkak se marrja e lartë mund të shkaktojë gjakderdhje në disa njerëz, ose të përkeqësojë ritmin e zemrës tek individët me aritmi. Prandaj, tek personat me probleme shëndetësore duhet të mirret me rekomandim të mjekut, i cili do e ketë parasysh edhe terapinë që keni me barna tjera.

 

Cilat janë efektet anësore si dhe a mund të ketë nderveprimet me barna tjera të acideve yndyrore omega-3 ?

Efektet e zakonshme negative të shoqëruara me përdorimin e shtojcave të omega-3 përfshijnë : dhimbje lukthi, vjellje, diarre. Efektet anësore në lukth mund të minimizohen nëse shtojcat e vajit të peshkut merren me ushqim dhe nëse fillohet marrja e tij nga doza më të ulëta dhe rriten gradualisht.

Përdorimi i shtojcave të omega-3 është shoqëruar me ndërveprime të ndryshme të barnave duke përfshirë me aspirinë, antikoagulantët dhe disa shtesa bimore. Përveç kësaj, përdorimi i suplementeve të vajit të peshkut mund të shkaktojë një rritje të lehtë në nivelet e glukozës në gjak tek pacientët me diabet, prandaj së pari mjeku juaj pastaj edhe farmacisti duhet t’ju pyes nëse keni probleme të tilla dhe tju japin produkt dijetik. Omega-3 mund të shkaktojë hipotension në disa njerëz.

 

A duhet të marrë omega-3 një grua shtazënë dhe gjidhënëse ?

Përveç marrjes së një vitaminë prenatale, gratë duhet të përfshijnë në dietën e tyre ushqimore edhe një shtojcë të acidit yndyror omega-3 para lindjes.

Një vaj i pastër, me cilësi të lartë të peshkut omega-3 duhet të përfshihet në një regjim shtesë të gruas para dhe gjatë shtatëzanisë si dhe gjatë procesit të gjidhënjes. Të dyja EPA dhe DHA janë të rëndësishme, por DHA është veçanërisht e rëndësishme gjatë gjithë shtatëzanisë dhe gjatë fazave të hershme të jetës së foshnjës. Këto yndyrna omega-3 quhen yndyrna esenciale, sepse ato nuk sintetizohen nga trupi dhe duhet të merren përmes dietës ose plotësimit, prandaj gratë duhet të marrin këtë suplement 6 muaj para planifikimit të shtatzanisë, për të ndërtuar këtë yndyrë esenciale në organizmin e tyre. Poashtu, gratë që kanë pasur shtatzani të shumta dhe afër me njëra tjetrën, mund të kenë zbrazur tërë depoziten e acideve yndyrore omega 3 dhe në veçanti DHA, andaj këshillohet të marrin.

DHA është thelbësore për zhvillim optimal të fetusit, duke përfshrië zhvillimin e trurit, syve, imunitetin dhe sistemin nervor. Prandaj, nuk është e rëndësishme vetëm marrja e tyre gjatë shtatzanisë, por edhe mbajtja e niveleve të mjaftueshme të tyre, pasiqë DHA zvogëlohet gjatë këtij procesi, duke kaluar nga nëna në fetus.

Ekzistojnë disa dëshmi se ngrënia e niveleve të ulëta të prodhimeve të detit gjatë shtatzënisë, ka çuar në rritjen e nivelit të depresionit për nënat gjatë shtatëzanisë.

 

A duhet patjetër tu japim fëmijëve suplemente omega-3 ?

Të gjithë fëmijët kanë nevojë për vitamina, minerale dhe lëndë ushqyese të tjera për të qenë të shëndetshëm dhe të rriten normalisht.

Dhe ashtu si vitamina D, hekuri dhe kalciumi, fëmijët kanë nevojë për acide yndyrore omega-3, të cilin mund të marrin nga vajrat e peshkut. Prandaj piramida e ushqimit rekomandon që fëmijët të hanë peshq të pasur me acide yndyrore omega-3, si salmoni dhe trofta.

Omega-3 janë ndër produktet e pakta që janë vërtetuar si shumë të rëndësishme për zhvillimin normal të fëmijëve, e në veçanti ato omega-3 që vijnë nga burime detare, të tilla si vaji i peshkut.

Rreth 20% e trurit përbëhet nga një acid yndyror omega 3 në veçanti, i quajtur DHA, duke e bërë këtë produkt esencial për fëmijët.

Nëse fëmiu juaj nuk ha peshk dy ose tri herë në javë, pasiqë për shumë fëmijë mund të jetë i padëshirueshëm peshku, ose keni frikë nga pasiguria e peshqve në vendin tonë, pasiqë mund të kenë përmbajtje të lartë zhive, atëherë duhet dhënë shtesë ushqimore në formë vaji omega 3, i cili është tejet i rëndësishëm për shëndetin e syve dhe sistemit nervor tek fëmijët.

Në përgjithësi, është më mirë nëse fëmijët mund t’i marrin përmes ushqimit pasi në këtë mënyrë ata do të përfitojnë edhe nga nga ushqyesit tjerë (si proteina dhe vitamina D në peshk) në të njëjtën kohë.

 

Në cfarë sasie duhet të mirret omega 3 për fëmijët?

Deri tani ekzistojnë vetëm udhëzime, pasi hulumtimi për fëmijët është ende mjaft i kufizuar.

Rekomandohet ky dozim : 700mg ALA në ditë për 1-3 vjeç, 900mg në moshën 4-8 vjeçare. Pastaj midis 1.000mg dhe 1600mg për 9-18, me kërkesa më të larta për djemtë se vajzat.

Ata e llogarisin kërkesën e DHA të jetë rreth 10% e këtyre shumave. Kështu që rritet nga një dozë prej 70mg DHA në moshën 1 deri në 160mg në ditë në adoleshencë të vonë.

 

Cila formë farmaceutike është më e përshtatshme të mirret ?

Vaju i peshkut është veçanërisht i ndjeshëm ndaj përpunimit. Praktikat e dobëta të industrisë nënkuptojnë se një shumë e vajit të peshkut është tepër i përpunuar, i ekspozuar ndaj ajrit, madje edhe i përndryshuar nga koha kur ajo mbyllet në një kapsulë.

Tek fëmijët shumë të vegjël mund të miret në formë sirupi. Madhësia e vogël e kapsulës është e rëndësishme për dy arsye – lehtësinë e gëlltitjes për fëmijët, dhe mundësia për të menaxhuar më mirë dozën. Ju mund të filloni me 1 në ditë, pastaj rriteni në 2 etj, ndërsa fëmijët tuaj të rriten.

 

A ndikon ky vaj në përformancën më të lartë të fëmijëve në shkollë ?

Për shkak se ata luajnë një rol në zhvillimin e trurit dhe funksionimin e trurit, sidomos të mësuarit dhe kujtesës, është sugjeruar që rritja e sasisë së acideve yndyrore omega-3 që fëmijët e moshës shkollore mund të përmirësojnë performancën në shkollë. Në fëmijët që kanë çrregullim të vëmendjes së hiperaktivitetit, ose ADHD, duket se ka më shumë dobi.

Ka pasur gjithashtu dëshmi se vaji i peshkut mund të ndihmojë në parandalimin e astmës në fëmijët.

Përiudha vjetore kur duhet të mirret omega-3, këshillohet të jetë nga fundi i muajit shtator e deri në fundin e muajit mars të vitit tjetër.

Shëndet për të gjithë./Familjadheshendeti.com

Shpërndaje
  • 13
  •  
  •  
    13
    Shares