UDHËZIME PËR PËRDORIMIN E TEKNOLOGJISË PËR FËMIJËT E TË GJITHA MOSHAVE

 

Nga Dr. Jeton Zenuni – Transfuzion i gjakut

Në të kaluarën prindërit janë ndier të shqetësuar nga fakti se fëmija i tyre po kalon shumë kohë para TV-së ose duke luajtur me video-lojëra. Prindërit ndajnë të njejtat shqetësime edhe në kohën e sotme bashkëkohore, por për dallim prej atëherë, koha që tani fëmijët kalojnë para ekranit është bërë më e gjatë. Smartfonët, tabletat, aplikacionet, mediat sociale, tekstimi, të gjitha këto joshin fëmijët (dhe të rriturit) duke filluar nga mosha shumë e re. Atëherë shtrohet pyetja se çfarë duhet të bëjë një prind në lidhje me këtë? Cila është zgjidhja?

Pa dyshim se zgjidhja është të inkurajuarit e përdorimit të moderuar. Më poshtë mund të gjeni disa këshilla për përdorim të moderuar të pajisjeve teknologjike, të ndara sipas grupmoshave:

 

FËMIJËT SHUMË TË VEGJËL (0-4)

KUFIZONI EKSPOZIMIN – Akademia Amerikane e Pediatrisë (American Academy of Pediatrics AAP) rekomandon që të shmanget qëndrimi para televizionit si dhe përdorimi i mediave të tjera argëtuese për fëmijët nën moshën 18 mujore. Pas 18 muajve prindërit mund të fillojnë të prezantojnë programe “të cilësisë së lartë”, por AAP paralajmëron që prindërit duhet të shikojnë televizionin bashkë me fëmijët e tyre për t’iu përgjigjur çdo pyetjeje që ata mund të kenë. Për fëmijët nga dy deri në pesë vjeç, AAP rekomandon kufizimin e konsumit të medias në një orë të programeve të cilësisë së lartë, përsëri me paralajmërimin që prindërit duhet të jenë prezent gjatë gjithë kohës.

FILLONI TË JENI SHEMBULL PËR TA QYSH HERËT – Edhe para se fëmija juaj të ketë një telefon ose tabletë të vetin, tregoni se si duhet përdorur ato. Mos i kontrolloni mesazhet tuaja në tryezën e darkës. Shikoni në sy njerëzit kur flasin me ju, e jo në telefonin tuaj. Mos harroni se fëmijët tuaj gjithmonë janë duke ju përcjellur dhe fëmijët e vegjël vërejnë gjithçka, zatën kjo është mënyra se si mësojnë ata.

MOS E NËNVLERËSONI RËNDËSINË E LODRAVE TRADICIONALE DHE QËNDRIMIN PËRJASHTA – Është e rëndësishme për fëmijët që të përjetojnë një “lojë të lirë” të pastrukturuar, dhe të luajnë thjesht për hir të lojës dhe jo për të vazhduar në nivelin e ardhshëm të lojës ose për të mësuar ndonjë aftësi të posaçme. Fëmijët duhet të përjetojnë kënaqësinë e lojës gjatë krijimit të rregullave të tyre, duke i thyer ato, gjatë kohës sa zgjat loja. Ky lloj i lojës ua mundëson fëmijëve që të:

• Lëvizin me ritmin e tyre, në vend që të lëvizin ose të nxitohen nga mediat me lëvizje të shpejta
• Zhvillojnë kreativitetin
• Krijojnë përvojë duke marrë vendime
• Praktikojnë ndarjen e gjërave dhe punën me të tjerët
• Mësojnë të jenë lider dhe vetë-përfaqësues
Aplikacionet, sado edukative që pretendojnë të jenë, nuk zëvendësojnë llojin e të mësuarit që u vjen fëmijëve në mënyrë të natyrshme.

MOS E LINI TABLETIN NË SHTËPI – Ndërsa ata janë të dobishëm gjatë një udhëtimi të gjatë me makinë ose aeroplan, tabletat dhe pajisjet e tjera nuk duhet të përdoren në karrocë ose makinë gjatë rrugës prej apo për në institucionin parashkollor. Është e rëndësishme që fëmijët të kenë mundësinë të shikojnë përreth dhe të gjejnë argëtim në botën reale.

 

FËMIJËT E SHKOLLËS FILLORE (5-11)

SHIKONI EKRANIN SË BASHKU – Nëse jeni të shqetësuar se fëmijët tuaj po marrin mesazhe negative nga mediat, mënyra më e mirë për t’iu kundërvënë këtij ndikimi është të shikoni ekranin së bashku me fëmijët tuaj dhe t’ua bëni me dije kur diçka nuk është në rregull. Të komentuarit tuaj dhe përforcimi i vlerave nga ana juaj do t’i mësojë fëmijët tuaj të shikojnë televizionin dhe filmat në mënyrë aktive, jo pasive, gjë që është e mirë për vetëvlerësimin e tyre. Bëni këtë edhe gjatë kohës së reklamave!

VENDOSNI KUFIJ PËR KOHËN E EKRANIT – AAP rekomandon që prindërit të vendosin kufij të ndjeshëm në lidhje me atë se cili është orari më i përshtatshëm i qëndrimit para ekranit për fëmijën e tyre. Po aq i rëndësishëm është edhe përcaktimi i hapsirës së ndaluar për media, si për shembull dhomat e gjumit dhe tryeza e darkës. Krijimi (dhe zbatimi) i këtyre kufijve në një moshë të re i mëson fëmijët të jenë konsumatorë të shëndetshëm të medias.

JINI TË KUJDESSHËM – Përcaktimi i asaj se çfarë është koha cilësore e ekranit dhe çfarë nuk është mund të mos jetë e qartë, prandaj kushtoni kujdes gjërave që:
• Janë të (pa)përshtatshme për moshën
• Angazhojnë imagjinatën e fëmijës suaj
• Që kanë vlerat e duhura
Në anën tjetër, nëse nuk dëshironi që fëmija juaj të luajë një lojë të caktuar ose të shikojë një shfaqje të caktuar, shpjegoni arsyet dhe jini specifik, mos thuani vetëm se është “e keqe”.

MOS I BËNI EKRANET SHPËRBLIM (OSE NDËSHKIM) – Teknologjia është jashtëzakonisht tërheqëse për fëmijët, por kur e bëjmë kohën e ekranit shpërblim për sjelljen e tyre të mirë, ose ndëshkim për sjelljen e tyre të keqe, ne vetëm sa e bëjmë atë edhe më të dëshirueshme, duke rritur kështu gjasat që një fëmijë ta mbivlerësojë atë.

INKURAJONI AKTIVITETE TË TJERA – Ka shumë mënyra për t’u argëtuar. Vrapimi në natyrë, aktivitetet sportive, leximi i librave, angazhimi me ndonjë zanat – shumëllojshmëria është e rëndësishme për një jetë të ekuilibruar. Inkurajoni fëmijët tuaj që të zhvillojnë një gamë të gjerë të interesimeve. Shërbeni vetë si model i mirë. Le t’ju shohin fëmijët tuaj duke lexuar një libër, duke bërë gjëra të dobishme dhe duke pasur një hobi. Së fundi, paraqisni këto gjëra po aq të dobishme sa koha e ekranit, jo alternativa të saj. Faturimi i barabartë është i rëndësishëm.

 

ADOLESHENTËT (12+)

Vazhdoni me modelimin e sjelljes së mirë në raport me teknologjinë. Gjërat mund të na rrëshqasin nga dora kur fëmijët të rriten dhe të kenë pajisjet e tyre, por mos harroni se rregullat e vjetra ende zbatohen. Mos e përdorni telefonin tuaj në tavolinë dhe sigurohuni që fëmijët tuaj të mos kenë nevojë të konkurrojnë me një ekran për vëmendjen tuaj. Përveç se shërbeni si një shembulli i mirë, kjo tregon se jeni të interesuar, që i bën ata të hapen edhe më shumë me ju. Edhe pse po rriten, fëmijët tuaj ende kanë nevojë të flasin me ju, jo vetëm me miqtë e tyre.

INKURAJONI PRIVATËSINË – Sapo fëmijët të kenë mbushur 13 vjet atyre u lejohet të hapin një llogari në Facebook dhe në shumicën e rrjeteve sociale dhe aplikacioneve (disa fëmijë mashtrojnë dhe i marrin ato më herët). Cilado moshë që familja juaj vendos se është e përshtatshme për mediat sociale, sigurohuni që fëmija juaj të jetë shumë i kujdesshëm për privatësinë. Kërkoni rregullat e privatësisë bashkë me të, dhe sigurohuni që ajo të kuptojë kur diçka është publike e kur private, ose diku në mes, dhe se si do të ndikojë kjo në atë që ajo poston. Si rregull i përgjithshëm, ajo duhet të ketë parasysh se, momentin që ajo poston diç në rrjetet sociale, e gjitha bota do të ketë mundësi të ketë qasje në postimin e saj. Përfshirë gjyshen e saj.

PO MIQËSIMIT, JO SPIUNIMIT – Nëse fëmija juaj regjistrohet në mediat sociale, psikologja Donna Wick, autorja e ‘Mind to Mind Parent’ rekomandon që ju ta ndiqni (follow) ose miqësoni atë në rrjetet sociale dhe ta monitoroni faqen e tij/saj. Por ajo këshillon që të mos lexojmë mesazhet përveç nëse ka arsye për shqetësim: “Nëse keni arsye për shqetësim atëherë është në rregull, por duhet të keni një arsye të fortë për këtë”, thotë ajo. “Shoh prindërit që spiunojnë fëmijët e tyre gjatë gjithë kohës. Prindërit duhet të fillojnë të kenë besim te fëmijët e tyre. Çdo dyshim te fëmija juaj mund të dëmtojë marrëdhëniet mes jush”.

SQAROJANI FËMIUT TUAJ SE DUHET PASUR KUJDES GJATË SHPËRNDARJES SË FOTOGRAFIVE INTIME – Ka mundësi që fotografitë që vajza juaj poston në rrjetet sociale mund të bijnë në duar të gabuara. Dhe momentin që këto fotografi bijnë në duar të gabuara, ato mund të dëmtojnë marrëdhëniet e ardhshme dhe perspektivat e punës, për të mos përmendur se ajo mund të bëhet temë e muhabeteve të shkollës.

TEKSTIMI MUND TË JETË I NDËRLIKUAR – Paralajmëroni fëmijët tuaj se njerëzit shumë lehtë mund të keqinterpretojnë mesazhet momentin kur nuk e dëgjojnë tonin e zërit ose nuk e shohin shprehjen në fytyrën tuaj. Shakatë, në veçanti, mund të duken qëllimkëqija. Për të shmanguar çfarëdo keqkuptimesh dhe lëndimin e mundshëm të ndjenjave të personit me të cilin po komunikoni, është gjithmonë mirë që t’ia bëni të qartë atij/asaj kur jeni duke bërë shaka./Familjadheshendeti.com

Shpërndaje
  • 1
  •  
  •  
    1
    Share