Rëndësia e dozimit të duhur të barnave tek fëmijët

Nga: Mr.Ph Laureta Berisha Kosumi Farmaciste

Dhënia e dozës korrekte është shumë e rëndësishme sepse shumica e barnave duhet të merren në sasi të caktuar dhe në kohë të caktuar për të qenë efektive.

Asnjëherë mos përdorni një lugë kuzhine për të matur barin, sepse këto nuk ofrojnë matje standarde. Në vend të kësaj, merrni një pajisje matëse të dizajnuar për të dhënë doza të sakta të barnave (shiringa, dozator).

Cilado qoftë metoda që përdorni, është e rëndësishme që fëmija juaj të marrë çdoherë gjithë sasinë e barit. Nëse humbet një dozë, mos jepni kurrë dy doza përnjeherë.A është në rregull t’i ipet një 4 vjeçari një dozë e barit e rekomanduar për një 6 vjeçar, në dozë më të vogël?
Dozimi zakonisht bazohet në peshë, jo në moshë, megjithëse në shumë fletëudhëzime shkruhet në bazë të moshës dhe peshës, duke gjetur një mesatare.
Pra, nëse fëmija juaj ka peshë shumë më të lartë ose më të ulët sesa mesatarja, doza e rekomanduar mund të mos jetë adekuate për të ( nëse pesha e 4 vjeçarit është e barabartë me të 6 vjeçarit atëherë mund të ipet dozë e njejtë).

Shumëherë në barnatoret tona vijnë receta të dozuara me lugë, madje edhe antibiotikët. Dozimi i tillë është tërësisht jo korrekt dhe i rrezikshëm duke çuar në mos’marrje të dozës adekuate (qoftë dozë më të madhe apo më të vogël) dhe kjo qon në rikthim të infeksioneve nga mos’mjekimi i duhur, duke çuar në përkeqësim të gjendjes së fëmijës.
Nëse nuk dozohet nga ana e mjekut, gjithsesi që duhet të dozohet nga ana e farmacistit. Nëse farmacisti se bën këtë gjë (gjë që do duhej ta bënte patjetër) kërkoni dozim dhe shpjegime të sakta, në mënyrë që fëmija të ketë shërim të plotë dhe marrje të sigurtë të terapisë. /Familjadheshendeti.com