NË RRUDHAT E NËNËS

Nga Dije Lohaj

E trishtuar
Shoh thinjat e flokëve të tua,
E kalamendur gjurmoj
Fijeve të tyre
Secila fije lidh vitet e jetës sime,
Me brenga të derdhura
Viteve të rrebeshta.
Kam frikë t’i prek me dorë!
Oh, kam frikë
Mos po rizgjoj mendimet e çlodhura
Në rrudhat e tua
Ugare të një are pa fund.

E sfilitur ec me farën e jetës në duar
Ta hedh në çdo brazdë,
Unë,
Që nuk mund t’i jap shpirt vdekjes,
Në fund të çdo jete.

Kokën vë në prehrin e nënës,
Në atë palë dheu të atdheut tim,
Se kam mall për ato duar,
Të më ledhatojnë
Me tëra vrazhdësitë e shekujve.
Dhe biem në gjunjë bashkë
E puthim farën,
Ujitur me qumësht nëne. /Familjadheshendeti.com