Ndikimet e temperaturave të ulëta ne zemrën tuaj!

Nga: Dr.Gojart Xh. Pllana – Kardiolog

Gjatë dimrit, është e rëndësishme të dini ndikimin e motit të ftohtë në trupin tuaj dhe rreziqet për shëndetin e zemrës suaj. Veçanërisht të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike janë me të prekur në muajt e dimrit.

Moti i ftohtë e bën zemrën tuaj të punojë më shumë për ta mbajtur trupin tuaj të ngrohtë. Enët e gjakut pësojne ngushtim (vazokonstruksion), kështu që zemrës i duhet të përqendrohet në pompim të shtuar të gjakut, në menyrë që të furnizoj mjaftueshëm trurin tuaj dhe organet e tjera kryesore.

I ftohti gjithashtu mund të rrisë rrezikun e zhvillimit të mpiksjes (trashjes, koagulimit) së gjakut, ngritjen e tensionit arterial, shfaqjen e dhimbjeve të gjoksit deri në përkeqësimin e simptomave të cilat tregojnë për prezencën e sëmundjes së arterieve koronare.

Prandaj të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike kardiake, preferohet që të kenë kujdes të shtuar ndaj temperaturave të ulëta, të mbajnë të ngrohtë ambientin shtëpiak, të ushqehen shëndetshëm, të vishen mirë dhe të jenë aktiv dhe të bëjnë lëvizje brenda ambientit ku qëndrojnë, në mënyrë që zemra e tyre te kryej funksionin e saj dhe të kalojnë një dimër me shëndet të plotë! /Familjadheshendeti.com