Lindi një trim, lindi pushka për atë shtëpi…

“Lindi një trim.”
“Mos se e kemi djalë të vetëm.”
“E kemi dritën e syrit.”
“Lindi pushka për atë shtëpi…”

…dhe shumë fjalë të tjera kur vjen në jetë një djalë.

Sot, kur lexova pak më herët atë se çfarë disa djem i kanë bërë një 11 vjeçare, ndjeva një shtërngim në gjithë trupin, dhe ndjesi shumë të hidhur, ndjeva zemërim, shumë zemërim.

Ndjeva zemërim për ata prindër që mendoj se meritojnë një dënim bashkë me djemtë e tyre (ju lutem mos të themi nuk kanë faj) 😢

Ndjeva zemërim për shoqërinë pa vlera që po ushqejmë, ndjeva zemërim për këdo që mund të ketë vënë re sjelljet e këtyre djemve dhe që bën sikur nuk i shikon.

Ndjeva zemërim për hapësirën dhe ajrin e përbashkët që me ta ndajmë.

Ndjeva zemërim që si të rritur ngelëm jo vetëm duke i bërë sehir budallallëkut, por që atë në emër të modernizimit, edhe e ushqejmë.

Ndjeva zemërim për mundin, njohuritë dhe kohën që ndajmë ne ekspertët e fushës dhe na shkon dëm, ndjeva zemërim ndaj gazetarëve, portaleve, Ministrisë së Arsimit, ndaj influencarve, ndaj aktorëve, kujtdo që ka shumë në dorë që të ndryshoj shumë çka, por nuk kanë kohë t’iu bëjnë vend vlerave.

Ndjeva zemërim edhe që vajzat nuk i mësojmë të mbajnë alltinë në brez.

Ende ndjej zemërim, kur mendoj se si 5 burrecër me “alltitë” e tyre, bëhen burra me një 11 vjeçare, burrëri që e tregojnë në grup, se vetëm nuk janë as çerek burri.

Ndjej zemërim, shumë zemërim që ende nuk e di kur kjo shoqëri do thotë MJAFT!
Shpresa Rupar