A guxon të pastrohet koka kur fëmija ka temperaturë?

Nga: Dr. Ismail Lutolli – specialist PediatërSubspecialist Dietolog – Nutricionist
Subspecialist Hematolog Onkolog

Të vërtetat dhe mitet rreth temperaturës së lartë

Ndërrimi i temperaturës në trupin e njeriut është një proces i cili varet direkt nga qendra e rregullimit të temperaturës, e cila është e lokalizuar në pjesën e trurit që quhet hipotalamus.

Ngritja e temperaturës është mekanizmi i parë i mbrojtjes së trupit kundër viruseve dhe bakterieve. Temperatura e rritur e trupit nuk është një sëmundje, por një simptomë që tregon një sëmundje ose çrregullim në trup.

Rritja e temperaturës është një mënyrë e natyrshme e mbrojtjes së organizmit. Ndalon dhe parandalon shumëzimin e shkaktarëve të sëmundjes, zvogëlon aktivitetin dhe zhvillimin e tyre. Temperatura e rritur e trupit njëkohësisht rimëkëmbë, përmirëson dhe fuqizon funksionin e sistemit imunitar të fëmijës tuaj.

Është e njohur shumë kohë më parë fraza e famshme e “babait” të mjekësisë Hipokratit i cili shprehet :”Më jepni një mundësi për të krijuar një ethe (temperaturë) dhe unë do të kurojë çdo sëmundje”.

Kur mund të jetë e rrezikshme temperatura për një fëmijë?

– Nëse foshnja juaj është deri në tre muaj, është e përgjumur dhe ka temperaturë më të lartë se 38 °C.

– Nëse fëmija juaj ka temperaturën me hundë të bllokuar ose kollë që zgjat tre ose katër ditë.

– Nëse temperatura e ngritur është e pranishme çdo ditë brenda 4 ditësh, pavarësisht nga mosha e fëmijës.

– Nëse përpos temperaturës kemi edhe simptomat tjera si: të vjella ose jashtëqitje shumë të shpeshta (diare), dhimbje koke, qafë e ngrirë ose ndjeshmëri ndaj dritës, vështirësi në frymëmarrje, lodhje të theksuar, dhimbje gjatë urinimit. Në të gjitha këto raste, është e rëndësishme që fëmijën të dërgoni patjetër në kontroll të pediatri.

Si dhe kur të ulni temperaturën?

Shoqata Amerikane e Pediatrisë këshillon: “Temperaturat nën 38 ° C në përgjithësi nuk duhet të zvogëlohen nëse fëmija nuk ndihet keq dhe nuk ka pasur ndonjëherë konvulsione febrile. Temperaturat edhe më të larta nuk janë të rrezikshme në vetvete dhe nuk janë shenjë e një çrregullimi të rëndë nëse fëmija asnjëherë nuk ka pasur konvulsione dhe nuk vuan nga sëmundje kronike. Shumë më e rëndësishme se vetë temperatura është mënyra se si fëmija përgjigjet ndaj temperaturës.”

Temperatura e rritur mbrojtje natyrale e vet organizmit ndaj infeksioneve!

Rritja e temperaturës është një nga mënyrat natyrale të mbrojtjes së organizmit kundër patogjenëve të infeksionit. Prandaj, rekomandohet të ulni temperaturën vetëm kur temperatura rritet mbi 38 °C nën krah ose 38.5 °C me matje rektale. Një temperaturë që zgjatë më shumë se tri ditë, gjithmonë kërkon një ekzaminim nga pediatri dhe vlerësimin e tij për procedurat dhe trajtimin e mëtejshëm.

Vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet temperaturave të pasdites, zakonisht ndodhin në pasdite vonë dhe nuk arrijnë vlera të larta (zakonisht deri në 38 ° C). Ky lloj i temperaturës gjithmonë kërkon një rishikim të detajuar dhe teste shpesh shtesë për të parë mundësinë e infeksioneve atipike ose praninë e llojeve të ndryshme të sëmundjeve apo problemeve hematologjike, reumatike dhe sëmundje të tjera.

Si të ulet temperatura ?

Ekzistojnë dy mënyra për të ulur temperaturën:

  1. Duke hequr nxehtësinë përmes lëkurës duke aplikuar kompresa me ujë të vakët apo duke realizuar një pastrim në dush si dhe
  2. Duke administruar ilaçe.

Mënyra e parë nuk është e suksesshme kur lëkura është shume e ftohtë dhe fëmija është duke u dridhur,, atëherë temperatura rritet dhe duhet pasur kujdes.

Barnat antipiretike veprojnë në mekanizmat e shkakut të etheve dhe në qendër për të rregulluar temperaturën e trupit në hipotalamus duke frenuar sintezën e prostaglandinës.

Një fëmijë i shëndetshëm me një temperaturë më të ulët se 39°C zakonisht nuk ka nevojë për administrim të veçantë të një ilaçi për të ulur temperaturën.

Aplikimi i kompresave të lagura dhe ftohjes së jashtme kur lëkura është e ngrohtë, ulë temperaturën me një shkallë.

Zgjedhja e antipiretikëve nuk është mjaft e gjerë në fëmijëri dhe çdo dozë duhet të mbahet saktësisht dozën e rekomanduar pasi nuk do të thotë qe nje dozim më i madh ka efekte më të mira. Pra, një lugë më shumë nuk do të thotë se kemi vepruar si duhet, madje pasojat mund të jenë të theksuara.

Përdoren paracetamoli dhe ibuprofeni. Çdo ilaç mund të jetë i dëmshëm në doza më të larta, dhe madje edhe pa to, mund të shkaktojë pasoja të padëshiruara. Vlerësimi i përfitimeve dhe dëmeve duhet të jetë thelbësor kur administrohet antipiretikë.

Marrja e mjaftueshme e lëngjeve është një faktor i rëndësishëm në uljen e temperaturës sepse djersitja dhe frymëmarrja e shpejtë bën që trupi të humbasë ujin. Në çdo gradë të temperaturës nevojat për lengje në organizëm rriten deri në 20 %.

Kujdes i madh duhet treguar me veshje dhe mbulesë, të cilat në shumicën e rasteve nuk kontribuojnë në përmirësimin e gjendjes. Duhet të keni veshja e lehtë, temperatura e rehatshme e ambientit, mbështjelljet sipas nevojës do ta bëjnë fëmijën të ndjehet më mirë. Pra, temperatura e lartë dhe ethet apo dridhjet nuk nënkuptojnë që fëmija juaj duhet të vishet më trash, përkundrazi.

Jo pak raste pikërisht mos zbatimi i këtij rregulli ndikon edhe deri te ardhja e konvulsioneve.

Mitet rreth temperaturës, sa janë të vërteta?

Temperatura e lartë është gjithmonë e rrezikshme.

E pasaktë, temperatura e lartë është një simptomë e dobishme sepse tregon se sistemi imunitar i fëmijës është aktiv. Ndërsa temperaturat rriten, trupi zhvillon një betejë të rëndësishme ndaj viruseve dhe bakterieve. Ethet duhet të monitorohen duke kontrolluar matjet e temperaturës dhe duke respektuar gjendjen e përgjithshme të fëmijës. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për fëmijët në moshë shumë të vogël, të tilla si foshnjat dhe fëmijët deri në moshën tre vjeç, sistemi mbrojtës i të cilëve nuk është krijuar ende plotësisht. Një temperaturë deri në 38°C nuk përbën asnjë rrezik potencial nëse nuk përcillet edhe me simptoma tjera si vjellje, jashtëqitje, molisje etj.

Nëse ethet shoqërohen me simptoma të tilla si përgjumje, të vjella dhe diarre, gjendja e fëmijës është shumë e rëndë, megjithëse temperatura nuk është dukshëm më e lartë se vlerat e 38.5°C kjo gjendje duhet patjetër të jetë nën përcjellje të afërt të mjekut pediatër.

Një rritje e temperaturës tek një fëmijë deri në muajin e gjashtë, kërkon gjithashtu një ekzaminim të detajuar të një pediatri, pasi trupi i tyre nuk ka ende një sistem termorregullues – qendrat në tru janë të papjekura dhe imuniteti është në zhvillim.

Nëse fëmija ka temperaturë nuk guxojmë të bëjmë dush ose pastrojmë kokën?

E pasaktë. Fëmijët lejohet të lahen gjatë kohës kur kanë temperaturë dhe madje koka e flokët e tij mund të lahen. Kontakti me ujin nuk mund të sjellë dëm, ai do t’i japë asaj një ndjenjë të freskët dhe do t’ju bëjë të ndjehet më mirë.

Duhet kujdes që të mos vendoset direkt në ujë të vakët por ngadalë duke i fërkuar ekstremitetet, trupin dhe pastaj kokën.

Pra po e ripërseris koka duhet të pastrohet.

Gjatë pastrimit pa asnjë dilemë duhet pastruar edhe koka ,flokët. Në fund të fundit kush më shumë sesa vet koka e vuan ngritjen e temperaurës.

Ndryshimet e papritura të temperaturës së ambientit duhet të shmangen. Për shembull, një foshnjë nuk duhet të sillet nga banjo në një dhomë shumë të freskët pasi mbaron dushin, pasi ftohja e papritur do të dobësojë mbrojtjen e trupit. Foshnja së pari duhet të jetë e tharë mirë, e veshur dhe e mbështjellë dhe më pas transferohet në një dhomë tjetër, më ftohëse. Kuptohet fëmija duhet veshur para se ta nxjerrim nga banjo.

Në spital nuk bëhet dush, kur fëmija ka temperaturë të rritur, sa është e vërtetë?

Po është e vërtetë pjesërisht. Bëhet friksioni pra ulje e temperaturës me lecka të lagura, kjo bëhet në shumicën e spitaleve dhe është metodë rutinore. Normalisht nuk bëhet shpesh larja e plotë pasi fëmijët në spital janë nën kontrollë dhe nuk ka nevojë të vije deri te temperatura 39.6°C. Kjo ndodhë shumë rrallë dhe për pasojë shumë rrallë kemi raste kur praktikohet.

Aplikimi i kësaj metode (friksionit apo mbështjelljes me lecka të lagura ) bëhet me shumë në emergjenca pediatrike dhe është mjaft efikase.

Në kushte spitalore edhe nëse fëmija përjeton konvulsione, shumë shpejtë intervenohet dhe gjithçka kalon shpejtë. Pra, dalloni kushtet spitalore me ato shtëpiake. Në kushte spitalore fëmija ka rrugët venoze dhe brenda pak sekondash mund të ndërpriten konvulsionet ose të ulet temperatura pa pasur nevojë të bësh dush për secilin fëmijë që ka temperaturë.

Fërkimi i foshnjës me alkool është e dobishme për uljen e temperaturës.

Nuk është e vërtetë. Kur arrihet niveli i temperaturës i vendosur nga hipotalamusi, trupi aktivizon vetëm mekanizmat që e ulin atë: enët e gjakut zgjerohen, lëkura bëhet e ngrohtë dhe e kuqe. Nëse temperatura është e lartë, kompresat e vakët dhe banja do të jenë të përshtatshme.

Alkooli nuk është i mirë për t’u përdorur pasi avullon në lëkurën e nxehtë dhe fëmija thith avujt e alkoolit dhe në raste ekstreme mund të ndodhë helmimi nga alkooli. Helmimi mund të ndodhë edhe nga vetë absorbimi i alkoolit mbi lëkurën!

Vendosja e uthullës në qorape apo patateve e ulë mënjeherë temperaturën!

Jo e saktë, madje është e kundërta. Në shumicën e rasteve në temperatura të ngritura mbi 38.5°C kemi ngrohje të trupit dhe ftohje të shputave të këmbëve dhe duarve. Në këto raste do duhej ti ngrohim shputat e këmbëve duke nxitur fërkimin e tyre, ngjashëm dhe të duarve dhe të ftohim trupin me kompresa në pjesët tjera. Uthulla e vendosur në qorape e ben të kundërtën duke ndikuar në komplikime edhe më të mëdha.

Një antipiretik duhet të jepet gjithmonë kur kemi rritje të temperaturës.

E pasaktë, deri në një temperaturë prej 38°C, e matur në mënyrë korrekte, nuk është e nevojshme të jepni një antipiretik, sepse ato nuk ndikojnë në shërimin dhe në një farë mënyre të ndërhyjnë në mbrojtjen imunitare te organizmit . Sidoqoftë, ato duhet të jepen kur fëmija ka ethe dhe temperaturë mbi (më shumë se 38 C).

Te fëmijët me konvulsione febrile duhet të jipet antipiretik në 37.5°C
E pasaktë, te fëmijët që kanë kaluar njëherë konvulsione febrile në vlera të larta të temperatures psh në temp 39.5°C, nuk ka asnje nevojë qe deri ne temp 38°C ti ofrojmë barna antipiretike e aq më pak terapi si diazepam për preventivë.

Janë raste shumë shumë të rralla kur një fëmijë ka përjetuar më shumë se njëherë konvulsione febrile në 38°C dhe në ato raste barnat antipiretike aplikohen edhe në 37.5°C .Po e ripërseris janë raste shumë të rralla që mjeku pwdiatër duhet ti konstatojë.

Disa antipiretikë janë më të dobishëm se të tjerët.

E pasaktë. Fëmijëve u jepet antipiretikë me bazë paracetamol dhe ibuprofen. Është shumë e rëndësishme që të dy ilaçet, pavarësisht nga mosha e fëmijës, të ndjekin udhëzimet e pediatrit në lidhje me intervalin e dozës dhe dozës në 24 orë:

paracetamoli jepet çdo gjashtë orë por mund te aplikohet edhe cdo 5 orë dhe ibuprofen çdo tetë orë. Ilaçet jepen me gojë në formën e shurupeve, domethënë, ose në mënyrë rektale si supozitorë.

Thithja e ilaçit të marrë nga goja është më e shpejtë dhe më e sigurtë, por nëse fëmija vjellë duhet të përdoren supozitorë.

Aspirina mund të përdoret te temperaturat e larta si bari mjaft efikas?

E pavërtetë. Në të kaluarën ajo është përdorur gjerësisht si një antipiretik tek fëmijët.

Por sot dihet se mund të shkaktojë komplikime shumë serioze andaj nuk përdoret tek fëmijët me rastin e temperaturës.

Por, çfarë nëse temperatura nuk bie pasi të administrohet ilaçi. Duhet të rrisim dozën sigurisht.

E pavërtetë. Mos e rritni dozën fare!
Ndiçni këshillat për uljen e temp si kompresat e lagura ,dushi ose larja (me kusht që lëkura të jetë e ngrohtë!). Dhe marrja e mjaftueshme e lëngjeve do të ndihmojë në uljen e temperaturës, e cila nuk ka pse të bjerë në normalitet. Rritja e dozës së ilaçit gjithashtu mund të rrisë rrezikun e reaksioneve anësore.

Mënyra më e mirë për të matur temperaturën është rektale!

E pavërtetë. Madje në raste të caktuara edhe e rrezikshme nëse nuk aplikohet si duhet. Dikur te fëmijët e vegjël deri në 3 vjeç e bënin matjen e temperaturën në mënyrë rektale sepse rezultati është më objektiv dhe matja më shpejtë nga mosha dy deri në tre vjet.

Fëmijët pas moshës tre vjeçare nuk e pëlqejnë matjen e rektumit, ato shpesh ofrojnë rezistencë dhe për këtë arsye është më mirë të matni në mënyrë aksiale temperaturën dhe vlerat janë 0.5 gradë më të ulëta se ato rektale.

matja aksillare (nën sqetull) është nga matjet mjaft të sakta kur realizohet si duhet.

Matja në vesh apo në ballë me një termometër të veçantë për nënat është mjaft praktike praktike. Ka shumë rëndësi që matja te jetë korrekte dhe rruga më e qëlluar është nën sqetull, ballë apo vesh.

Temperatura duhet të matet gjithmonë në mëngjes.

E pavërtetë- Nuk është e vërtetë sepse niveli i temperaturës varet nga mikroorganizmat që çuan në të dhe aftësia e trupit të fëmijës për t’iu përgjigjur mbrojtjes së infeksionit. Sapo nëna vëren që fëmija po sillet ndryshe (p.sh. është i përgjumur), temperatura duhet të matet. Temperatura matet me siguri në fillim të sëmundjes dhe vazhdon të monitorojë lëvizjet ditore (mëngjes dhe pasdite) dhe nëse është e nevojshme, gjithashtu matet në mbrëmje ose gjatë natës.

Një fëmijë me temperaturë të lartë duhet të qëndrojë i shtrirë në shtrat.

E pavërtetë. Nëse një fëmijë dëshiron të luajë dhe të lëvizë nëpër shtëpi, atij ose asaj duhet të lejohet ta bëjë këtë, sepse padyshim që trupi i tij ose i saj mund të tolerojë ethe dhe nuk ka nevojë për pushim. Veshja e veshjeve të tepërta duhet të shmanget, por nuk duhet të hiqet plotësisht dhe të kujdeset për të mbajtur të freskët, por nuk duhet të mbulohet shumë. Temperatura ideale e dhomës në muajt e ftohtë duhet të jetë 19-20°C.

Çdo temperaturë duhet të shoqërohet në shtëpi pa qenë nevoja me dërgu te mjeku!

E pavërtetë. Ka shumë rëndësi që nëse zgjatë temperatura, të realizoni vizitë te pediatri i fëmijës tuaj, ku përpos ekzaminimit të përgjithshëm mund të realiohet marrja e strishove hundë dhe fyt r analiza mikrobiologjike, pastaj analizat e gjakut, urinës si dhe analizat që tregojnë për procese inflamatore në organizëm.

Kur fëmija është me temperaturë, dieta duhet të jetë e lehtë.

Kur një fëmijë është i sëmurë, dieta e tij duhet të përshtatet me oreksin e tij dhe t’i jepet ushqimit që ai e do. Nëse ai ka një dhimbje të fytit dhe ka vështirësi në gëlltitje, një dietë e lehtë – gjysmë e lëngshme, sigurisht që do të jetë më e përshtatshme, veçanërisht për një fëmijë të vogël.

Në rastin e diarresë, jepen ushqime më të forta – makarona, oriz me pak erëza ose ushqime të veçanta dietike (formula e qumështit).

Lëngjet duhet të merren në secilin rast: lëngu i frutave të shtrydhur më mirë, ujë nga frutat e gatuara (komposto). Fëmija refuzon ushqimin kur është i sëmurë, por duhet të merret lëngu i ëmbëlsuar për të shmangur acetoneminë (aceton në urinë dhe ajrin e nxjerrë) si rezultat i urisë.

Të gjitha analizat janë mirë por mjeku më përshkruan prapë antibiotik pasi fëmija ka temperaturë?

Nëse analizat e gjakut, urinës, CRP, strisho e hundës dhe fytit janë mirë dhe gjendja klinike nuk është serioze ska asnjë arsye për përshkrim të antibiotikëve. Duhet bërë përpjekje për ulje të temperaturës dhe jo pwëshkrim të antibiotikëve. Në të gjitha rastet kur kemi infeksion viral, marrja e antibiotikëve vetëm do keqësoj gjendjen e fëmijës suaj. Në vend që e tëra të kalojë për 3 ditë pikërisht përdorimi i antibiotikëvë do të ndikoj që të kemi përkeqësim për disa ditë, e disa raste edhe keqësim serioz të gjendjes pasi kemi ndërrim të florës normale baktëriale tek fëmija si dhe rënie të vet imunitetit nga përdorimi i panevojshëm i antibiotikëve. Kuptohet e tërë kjo mund të çojë në zhvillimin e rezistencës bakteriale ndaj antibiotikëve. /Familjadheshendeti.com

Shpërndaje
  • 2.3K
  •  
  •  
    2.3K
    Shares