Nga Dr. Artizana Dushi dermatovenerologe

Hyperhidroza apo djersitja e tepërt është çrregullim i cili shkakton shumë pakënaqësi në jetën e përditshme dhe i cili paraqet njëherësh edhe një problem social.

Personi i cili vuan nga ky fenomen turpërohet, humb vetbesimin në kontakt me të tjerët dhe si pasojë kemi tërheqje nga jeta shoqërore, gjë e cila mund të çojë deri te një gjendje depresive.

Ekzistojnë dy lloje të hyperhidrozës – hyperhidroza primare dhe sekondare.

Hypehidroza primare lajmërohet në moshë të re. Nuk është pasojë e sëmundjeve apo efekteve anësore te barnave. Lajmërohet kur jemi të zgjuar e jo gjatë gjumit. Përfshin katër zona si shuplakat e duarve (Hyperhidroza palmare), shputat e këmbëve (Hyperhidroza plantare) e cila për shkak te pamundësisë së ajrosjes mund të komplikohet me infeksion mykotik apo bakteror dhe mban erë të rëndë, fytyrë dhe kokë (Hyperhidroza kraniale) si dhe zona e nënsqetullave (Hyperhidroza axilare).

Hyperhidroza sekondare apo e gjeneralizuar është pasojë e sëmundjeve të caktuara apo efekt anësor i barnave. Lajmërohet edhe gjatë natës dhe përfshin sipërfaqe të mëdha trupore. Kryesisht paraqitet te moshat e shtyera. Si shkaktarë të saj numërojmë: Diabetin, sëmundjen Parkinson, gjendjet anksioze, çrregullimet e gjëndrës tiroide, obezitetin, alkoolizmin etj.

Djersitja e gjeneralizuar mund të paraqitet edhe si simptom i gjendjeve shëndetësore mjaft serioze nëse janë të shoqëruara me humbje të peshës trupore, etheve, dhimbjeve të krahërorit etj

Trajtimi i djersitjes – së tepërt bëhet me përdorimin e antiperspirantëve të cilët janë të dedikuar për zona të caktuara problematike si shuplaka, shputa, nënsqetulla.

Jonoforeza është tretman mjaft efikas .

Botoxi – injektohet në zona të caktuara. Ndërpret aktivitetin e rritur të gjëndrave të djersës.

Terapia orale me antikolinergjik

Trajtimi kirurgjik– endoskopia simpatektomike si opcion i fundit.