KUR VIJNË KURBETÇINJTË

Nga Rizah Reshani

Ata vijnë në qershor, korrik, gusht, dhjetor.
Me vetura, autobusë, aeroplanë
Me mallin për nënën që i pret te dera
Përcëlluar për baltën, djepin, për ferra.

Vijnë me fytyrat e rrudhosura nga mallëngjimi
Me sytë e rrëmbushur nga loti
Vijnë natën dhe ditën si zogjtë shtegtarë
Një shekull iu duket mërgimi i një moti!

Vijnë me këngët melankolike për kurbetin
Me fjalët e huaja në fjalorin e shqipes.
Vijnë më fëmijët që ëndërrojnë Diellin
Atdheun atje s’kanë mundur ta mbjellin!

Këtu vetja iu duket mbret në fron
Gjembat iu duken petale trëndafili
Këtu guri iu duket jastëk i pambuktë
Kënga e gjelit i kënaq si bilbili.

Tevona pritueshëm ikin zemërvrerë.
Me nga një copë vendlindje në xhep.
Ikin me çmalljen zhuritëse të prerë.
Rrugëve gjarpërore drejt polit që vret. /Familjadheshendeti.com