Nga Mr. Ph. Laureta Berisha Kosumi, farmaciste

Të dashtun mjekë…

“Gabimin e një mjeku e mbulon farmacisti, ndërsa të farmacistit mund ta mbulojë vetëm dheu”.

Sa herë që përmendet emri MJEK, pacienti qëndron tërë respekt dhe madje nuk ta var fare se çfarë e këshillon si farmacist, pasi që “mjeku ma ka dhënë këtë bar, kupton ti apo jo”?!

Andaj, pa pasur qëllim për t’ua ulur reputacionin të cilin e keni në nivel të lartë gjithmonë në popull, do t’ju kisha adresuar disa vërejtje, edhe pse nuk krahasohemi me pozitën tuaj në popull (faji është i yni më shumë se i çdokujt tjetër), jemi ne ata që prodhojmë barnat, japim barnat dhe shpeshherë mbulojmë shumë gabime tuaja!

Por, janë disa gjëra që asnjëherë s’do duhej të shiteshin për para, e ndër to morali i lartë, profesionalizmi dhe humaniteti. Andaj, mendoj se titulli mjek asocohet me të qenurit human. Këtë e kam menduar gjithmonë, derisa nuk fillova të punoj si farmaciste dhe fillova të dëshpërohem për mënyrën shpeshherë të egër të përshkrimit të barit.

Vërtetë kam shumë respekt për mjekët, për mjekët e mirëfilltë siç kanë qenë në mendjen time, për ata mjekë që jetën e tyre e dedikuan në shërbim të pacientit në çfarëdo kohe, pa çmim, pa limit. Por, shumë nga ta ranë pre e kompanive farmaceutike operuese tek ne, duke përshkruar barin në mënyrë shumëherë të paarsyeshme, të panevojshme dhe të padhimbshme, për benifitet që ato i’u ofrojnë (në këtë segment farmacistët janë fajtorët kryesorë, që lejuan veten të bijnë në situatë të tillë dhe të bëhet tregti e egër me barin), e i dëmtuari mbetet gjithmonë pacienti, në 70 % të rasteve i varfër!

“Zotëri barnat e juaja kushtojnë 30 euro”! E vrenjt fytyrën dhe don të niset, pastaj më thotë ” Nuk kam kaq pare mi ble”, ndërkohë që i them ” A t’i japë të një fabrikës tjetër, sepse bari është i njëjtë, do ju bëhen shumë lirë”. Përgjigja është e prerë: “JO se mjeku më tha mos i ndërro, merri vetë këto që të kam shkru, biles m’tha bimi ktu ti shoh a t’i kanë dhanë mirë”. “Por zotëri unë jam farmac….”, ta lënë fjalën në gjysmë dhe niset, duke të thënë “më fal por kur t’i boj paret vi i blej”!

Të dhimbsen në shpirt, ngelin pa marrë terapinë, sepse mjeku u thotë mos i merrni “zëvendësim”! E Turpshme, e pafalshme!

Pyes mjekët:

Pse ulin veten dhe i përshkruajnë barnat e atyre kompanive që i paguajnë, e të mos i shkruajnë me emra xhenerikë?!

Pse të mos kursehet pacienti dhe shëndeti i tij, por të vie edhe deri te fotografimi i recetës nga ana e pacientit dhe t’ju dërgohet, a nuk është mbi të gjitha shëndeti i pacientit?!

Pse ta ktheni pacientin të cilit ja japim barnat me emra xhenerikë të njejtë, madje të na ulni deri në atë masë sa të thuani se u’a kanë dhënë gabim e madje madje t’u thuani se e kanë sa për t’ua shitur, hmmm “shitës”!

Andaj, mos t’ju vie rëndë kur t’ju thërrasim në telefon për ndonjë gabim, pasi që ai mund t’na kushtojë të dyve, mund t’i kushtojë me jetë pacientit, dhe duke bashkëpunuar denjësisht mes vete, do të jemi në radhë të parë humanë dhe pastaj profesionistë. Mos lejoni t’ua ” blejnë” recetën se keni kry gjithë atë shkollë e mund, e nesër po ata “blerës” vijnë në barnatore dhe thonë a po e përshkruan këtë bar filan mjeku sepse e kemi favorizuar shtrenjtë!

Të vie t’ua flakareshësh të dyve dhe t’i zgjosh nga kjo metodë aspak njerëzore!

Mos u prekni aman, sepse nëse unë reagova sot, kjo asnjëherë nuk do të thotë që kam mendim të njejtë për të gjithë, pasiqë platforma jonë ” Familja dhe Shëndeti ” tregon qartë se sa kemi mjekë të mirë, madje të cilët ua zbardhin fytyrën së pari vetes, pastaj shëndetësisë sonë pjesë e të cilës jeni edhe ju.

Lus Zotin të na ndërgjegjësojë e pastaj kur të kemi një ndërgjegje të pastër, suksesi nuk do të mungojë kurrë.

Me respekt, ekzekutuesja e recetës tuaj, Laureta/Familjadheshëndeti