DHIMBJA SHPIRTËRORE

Nga Dr. Valbona Hysenaj Miftari

Të gjithë ne në jetën tonë përjetojmë mërzinë, pikëllimin, zhgënjimin, frustrimin apo dështimin mirëpo duhet pasur kujdes që trazimi shpirtëror i shkaktuar nga këto mos të na kalojë në dhimbje. Këto përjetime a disfata nuk duhet t’na gjunjëzojnë përkundrazi duhet t’na bëjnë të fortë.

DHIMBJA SHPIRTËRORE ËSHTË NJË PLAGË E BRENDSHME QË ASKUSH NUK E SHEH DHE PËR TË CILËN NEVOJITET KOHË E GJATË PËR TA SFIDUAR. Nga thyerja shpirtërore nuk rrjedh gjak, “thyerja e zemrës” nuk shihet objektivisht ndonëse zemra është e “ndarë copë copë” dhe dhimbja dërmon tërë trupin. Ende nuk është gjetur një gips për zemrën e thyer.
Ne të gjithë kemi një plagë të tillë, ndoshta edhe më shumë se një. Ne megjithatë nuk duhet ta shohim atë si dobësi ose disfatë, mirëpo TA PRANOJMË SI PJESË TË QËNIES SONË DHE TË MËSOJMË NGA AJO.

Gjatë jetës sonë përballemi me shumë situata të vështira. Nganjëherë humbim personat e dashur, nganjëherë një diagnozë e sëmundjes së rëndë ose një fatkeqësi komunikacioni na e ndërron kahun e jetës. Nganjëherë për shkak të një problemi në punë nuk na bëhet të zgjohemi në mëngjes. Askush nuk është imun ndaj vuajtjes gjegjësisht dhimbjes shpirtërore.

Dhimbja shpirtërore mbetet pothuaj gjithmonë në kujtesë dhe na përkujton që aty ishte njëherë një plagë akute.

Mund të them që ne në jetën tonë takojmë dy lloje njerëzish.

  • Ata të cilët dhimbjen shpirtërore e ndryjnë thellë në vete dhe atë dita ditës e mundin duke mos u dorëzuar dhe duke mos ia treguar gjithkujt vrragët e shpirtit.
  • Ata të cilët dhimbja shpirtërore i mposht dhe arrin t’iu bëhet “ushqim”. Ata ndihen të lënë anash, të dëmtuar dhe e bartin disponimin e keq në rrethin e tyre. Ata e kanë humbur vetëbesimin si dhe besimin tek të tjerët dhe i shohin gjërat vetëm negativisht.
    Nganjëherë na bie të dëgjojmë nga ta; vetëm ai që e ka provuar këtë dhimbje e di se çfarë do të thotë, sidomos në mentalitetin tonë. Kjo më duket paksa e tepërt.
    Secili prej nesh përjeton ato dhimbje që gjatë jetës na dalin përpara. Nëse nuk arrijmë ti sfidojmë ato, arrijmë në një shkallë të caktuar që në gjuhen mjekësore quhet somatizim d.m.th. atëherë dhimbja shpirtërore manifestohet me dhimbje trupore, dhimbje e cila megjithatë nuk ka origjinë organike.

Simptomet kryesore janë;
– kokëdhëmbjet nga tendosja e muskujve.
– dhimbjet e gjoksit që ngjajnë me dhimbjet e zemrës me të vetmin dallim, lehtësohen gjatë aktivitetit fizik.
– sëmundjet e aparatit lokomotor.
– dhimbjet e barkut.
– çrregullimet e tretjes
– humbja e apetitit.
– çrregullimet e gjumit.
– Frika.
– Marramendja etj.
Ata të cilët arrijnë në këtë stad e sidomos kur kanë dhimbje të gjoksit ndodh shpesh që nga frika e infarktit ta thërrasin urgjentisht autoambulancën.
Nëse na ndodh kjo, mund të themi që dhimbja shpirtërore ka filluar ta diktojë jetën tonë.

Njeriu që për shkak të problemeve të përditshme reagon me dhimbje trupore nuk është pra patjetër hipokondrik ose simulant mirëpo bëhet fjalë për një reaksion normal fiziogjik të organizmit tonë ku dhimbja e rezultuar njëjtë sikurse dhimbja e dhëmbit ka një funksion të caktuar dhe atë që personin ta sinjalizojë për të ndërmarrë ndryshime.

Është shumë me rëndësi që dhimbjen shpirtërore ta marrim aq seriozisht sa dhimbjen e fshikëzes së tëmthit apo të veshkës, të lukthit apo të vezoreve.
Mjeku familjar duhet që ta eksplorojë dhimbjen në mënyrën më të mirë të mundshme dhe nëse përjashtohen shkaqet organike pacientin duhet ta udhëzojë për të pranuar ndihmë adekuate nga psikiatri apo psikologu që sa më parë të fillojë me psikoterapinë.

Shumica e njerëzve tanë nuk e kanë idenë se dhimbjet trupore mund të kenë natyrë qind për qind psikogjene.

Nëse keni dikënd në rrethin familjar a shoqëror i cili po kalon nëpër një situatë të rëndë shpirtërore duhet ta inkurajoni dhe ti qëndroni pranë aq sa keni mundësi. Sidomos ta inkurajoni për të kërkuar ndihmën adekuate mjekësore.

Nëse vet po kaloni një fazë të vështirë të shoqëruar me dhimbje shpirtërore ju lutem STOP barërave qetësuese, alkoolit, drogës për ti larguar dhimbjet me zor, konfrontohuni me dhimbjen, filloni psikoterapinë. Mjekimi buron në TY sepse shpirti YT është i mbushur me resurse. Me ndihmën e substancave psikotrope jo vetëm që nuk do t’ia dalësh por do të thellohesh në pellgjet e depresionit.

Disa këshilla praktike;

– Qani nëse iu qahet. Ne kemi të drejtë të qajmë sikundër që kemi të drejtë edhe të jemi të zemëruar. Ne jemi njerëz dhe duhet ti shprehim emocionet tona. Nganjëherë nuk mund të shtiremi kinse nuk ka ndodhur asgjë. E qajtura është e nevojshme, e shëndetshme dhe çliruese. Emocionet kërkojnë ajër për tu ndjerë. Ata të cilët I ndrydhin emocionet më gjatë herdokur do të dekompenzohen.

– Ne kemi të drejtë që vetveten ta konsiderojmë prioritet, para se gjithash të gjejmë kohë për vetveten dhe për nevojat tona. Trupi jonë është tempulli i shpirtit tonë prandaj duhet kujdesur për të me fanatizmin më të madh.

– Dëshirojmë të ndjehemi të dobishëm për veten, familjen, rrethin, atëherë duhet të vendosim vetë për veten tonë dhe tia caktojmë vetes qëllimet. Kur t’a arrijmë këtë kënaqësia nuk do të mungojë.

– Nëse dëshirojmë të jemi të lumtur, atëherë duhet të jemi më të guximshëm, më të sigurtë në vetvete. Ne e dimë kush jemi, tani duhet menduar se si do të dëshironim të ishim. Pra tani duhet rigjetur vetveten e jo gjithmonë të mbetemi duke kërkuar vetveten. Për ta rigjetur vetveten na duhet investim në dijen tonë dhe në gjërat që na përmbushin.
Nuk është kurrë vonë për ndryshime, gjegjësisht për rigjetjen e vetvetes.

– Duhet të rrimë me personat të cilët na përkrahin për tu ngritur emocionalisht, me ata që na ndihmojnë dhe nuk na vendosin gurë në rrugën tonë. Duhet t’u shmangemi përsonave që mundohen ta dëmtojnë imazhin dhe vetëbesimin tonë.

Jeta vazhdon përkundër t’gjitha përjetimeve dhe ia vlen të jemi optimistë, të jetojmë që të kënaqemi me gjërat e mira që patjetër do të vijnë. /Familjadheshendeti.com