A janë të uritura foshnjat që kanë ngjyrën e gjelbër të jashtëqitjes?

Dr.Ismail Lutolli.

Specialist Pediatër

Subspecialist Dietolog-Nutricionist

Ngjyra e gjelbër e jashtëqitjes ,a është shenjë që foshnjë nuk po i mjafton qumështi i gjirit?

A duhet të fillojë menjëherë me qumësht shtesë pas paraqitjes së këtij problemi?

Këto dhe mitet e tjera rreth jashtëqitjes me ngjyrë te gjelbër kanë bazë apo…?

Një ditë pas lindjes së fëmijës, befas në jashtëqitjen e tij paraqitet ngjyra e gjelbër! Kjo është “arsye” e alarmimit të familjes dhe rrethit më të gjerë.

Në traditën tonë, besohet se ngjyra e gjelbërt e jashtëqitjes së foshnjave, është tregues që nëna nuk ka mjaftueshëm qumësht gjiri! Kjo është ndër arsyet më të shpeshta që nënat fillojnë menjëherë me dhënien e qumështit shtesë foshnjave të tyre, duke menduar që problemi është zgjidhur.

Kjo është ndër arsyet më të dhimbshme, kur nëna heq dorë komplet nga gjidhënia, duke kaluar në procesin e ushqyerjes së foshnjës komplet me qumësht shtesë, duke besuar se lajmërimi i ngjyrës së gjelbër në jashtëqitje është tregues se s’ka mjaftueshëm qumësht gjiri ose që qumështi i gjirit të saj nuk është i “mirë” sa duhet. Fillimisht, duhet të theksojmë se ky është vetëm një mit, si edhe shumë mite të tjera që lidhen me gjidhënien apo që dekurajojnë nënat në tërë këtë proces!!!

Ku qëndron e vërteta?

Nëse foshnja ushqehet normalisht me qumësht gjiri, ka pirë në sasi të kënaqshme dhe përparon me peshën trupore, s’ka asnjë arsye për shqetësim. Pra, gjithçka është në rregull dhe nuk ka asnjë arsye për të filluar me qumësht shtesë, pasi që në asnjë mënyrë nuk është e nevojshme.

Megjithatë, nëse jashtëqitja e foshnjës është pothuajse gjithmonë me ngjyrë të gjelbërt dhe në anën tjetër kemi foshnjën e cila nuk përparon me peshën dhe zhvillimin, atëherë është e mundur që foshnja të mos pijë qumësht gjiri mjaftueshëm, sidomos në fund të procesit të gjidhënies. Kjo nuk do të thotë që nëna nuk ka mjaftueshëm qumësht gjiri, mirëpo foshnja nuk është duke thithur mjaftueshëm në fund të procesit të një vakti të gjidhënies. Pra, koha që kalon foshnja në gjirin e nënës, është e pa mjaftueshme, shkëputet para kohe dhe nuk arrin të bëjë thithjen e duhur, sidomos thithjen në fundin e një racioni. Arsye të tjera, do përmendim në vazhdim.

Arsyet përse vije deri te paraqitja e jashtëqitjes me ngjyrë të gjelbër?

  1. Ky problem paraqitet, kur nëna ka qumësht gjiri mjaftueshëm, por nuk lejon foshnjën të thithë deri në fund në njërin gji dhe pastaj të kalojë në gjirin tjetër. Pra, bën kapërcim më të shpejtë të kalimit nga njëri gji në tjetrin. Këtu nuk kemi vetëm paraqitjen e jashtëqitjes me ngjyrë të gjelbër, por do të kemi edhe paraqitjen e dhimbjeve abdominale (ngërçeve) të foshnjës, uritjen e shpejtë si dhe një sërë problemesh tjera. Foshnja juaj duhet të zbrazë plotësisht njërin gji dhe pastaj të kalojë në gjirin tjetër. Pra, problemi nuk është në mungesën e qumështi (këtu kemi sasi të mëdha qumështi) por në gjidhënie jo të drejtë nga ana e nënës! Lëreni foshnjën që të kontrollojë gjatësinë e gjidhënies, lëreni të kënaqet dhe të ushqehet deri në fund. Foshnja duhet të marrë sasinë e qumështit yndyror që vije vetëm në fund të procesit të gjidhënies.
  2. Një arsye tjetër e shfaqjes së jashtëqitjes me ngjyrë të gjelbërt tek foshnja juaj, mund të jetë ndjeshmëria që mund të ketë foshnja në ushqime të caktuara që ka ngrënë nëna! Në këtë rast, përpos ngjyrës së gjelbërt të jashtëqitjes mund të kemi edhe lajmërimin e njollave të gjakut apo edhe jashtëqitje të çrregullt si nga përmbajtja ashtu edhe nga viskoziteti.

ARSYET: Mund të jetë mbindjeshmëria ndaj proteinave të qumështit që merr nëna nga produktet e qumështit të lopës. Në këtë rast, nëna duhet të eliminojë nga dieta ushqimore e saj të gjitha produktet e qumështit, duke përfshirë ato nga ushqimet e gatshme. Rezultatet mund të priten vetëm pas 2 deri në 4 javëve, aq sa merr kohë eliminimi i plotë i proteinave të qumështit të lopës nga organizmi i nënës dhe foshnjës. Arsye tjera mund të jenë edhe ushqime tjera, që kanë predispozitë të japin reaksione alergjike si të nëna ashtu edhe të fëmija.

  1. Arsye tjetër mund të jenë preparatet apo barnat që mund të merr nëna (p.sh.. antibiotikët, barna antianemike etj).
  2. Infeksioni viral te foshnja juaj, mund të jetë gjithashtu arsye e shfaqjes së jashtëqitjes me ngjyrë të gjelbërt. Si shkaktarë tjerë mund të jenë infeksionet e Rotavirusëve që mund të zgjasin me ditë të tëra, ku përpos ngjyrës së tillë kemi edhe shfaqjen e diarresë. Në këto raste, kjo ngjyrë nuk zgjatë më shumë se disa ditë. Me përmirësimin e gjendjes së përgjithshme, vije edhe deri te humbja e ngjyrës së tillë në jashtëqitje.
  3. Nëse fëmija është duke kaluar verdhëzën (ka ngritje të bilirubinës), mund të jetë shkak për paraqitjen e ngjyrës së gjelbërt në jashtëqitje por që më kalimin e verdhëzës, do kalojë edhe kjo ngjyrë, pra gradualisht vije deri tek normaliteti.
  4. Ushqimi shtesë tek fëmija pas moshës 6 mujore, mund të jetë si arsye për shfaqjen e ngjyrës së tillë në jashtëqitje./FamiljadheShëndeti