Nga Dr Flamur Lahu

 -Paraqesin lezione të dhimbshme mukozale të gojës, që rishfaqen herë pas here. Paraqiten tek 30% e njerëzve të shëndoshë. Janë të mërzitshme për pacientët, sepse edhe lezionet shumë të vogla shkaktojnë dhimbje të mëdha. E keqja e tyre është se, pamundësojnë ushqyerjen e rregullt, e që kjo pastaj e zgjatë kohën e shërimit dhe prish kualitetin e jetës .

-Shkaqet e paraqitjes së tyre janë të shumëta: lëndimet traumatike, zvogëlimi i imunitetit, përdorimi i shtuar i ushqimeve me mëlmesa (keçapi), temperatura e lartë, higjiena e dobët orale, etj.

-Klasifikiohen në: afte të thjeshta, kur numri i tyre është 1 deri 3 lezione që paraqiten deri në 3 herë brenda vitit dhe komplekse, kur paraqitja e tyre është e vazhdueshme dhe është e ndërlidhur me sëmundje tjera sistemike. Mund të paraqiten në buzë, gjuhë, qiellzë, faring, nëngjuhë, etj. Zakonisht simptomë shoqëruese është rritja e nyjeve limfatike regjionale (mandibulare apo qafore) e që janë të dhimbshme në prekje.

-Kur numri i lezioneve  është më i madh (më shumë se 3) apo lezionet janë më të mëdha se 1 cm, kur kemi ulçera edhe në zonën gjenitale duhet të merren në konsiderim sëmundjet sistemike si sëmundja Behçet, HIV-i akut, AIDS, Sifilizi etj.

-Duhet të bëhet diagnozë diferenciale me gingivostomatitin primar herpetik, herpanginen, HIV-in, sëmundja Behçet, artriti reaktiv, sëmundja Crohn, lihen planus, sëmundjet bulloze, karcinoma skuamoze e gojës.

-Trajtimi orientohet në disa drejtime. Qëllimi primar është rritja e imunitetit. Kjo bëhet para së gjithash me përdorim të vazhdueshëm të ushqimeve të shëndetshme, pemë dhe perime të pasura me minerale, zink dhe magnez. Përdorimi i jogurtit, karrotave, mollëve, bananeve, papajës ndihmon në shërimin e tyre. Është e rëndësishme që gjatë kohës sa jeni me afte, të merren ushqime të buta, të cilat janë më të lehta për t’u përtypur dhe në këtë mënyrë zvogëlohet mundësia e dëmtimeve plotësuese gjatë ushqyerjes. Duhet të mbahet higjiena e rregullt e gojës, përmes pastrimit të dhëmbëve dhe hapsirës së gojës. Për lirim të shpejtë nga dhimbjet përdorni anestetik lokal në formë geli, që aplikohet në lezione para ushqyerjes dhe para fjetjes.

-Në kushte shtëpie, mund t’i trajtoni duke pastruar gojën me çaj kamomil dhe të aplikoni sodë bikarbone të tretur në ujë. Edhe pse është procedurë e dhimbshme, megjithatë ndikon pozitivisht në shërim.

-Në rastet kur shkaktar i paraqitjes së tyre janë sëmundjet sistemike të përmendura, trajtimit i shtohen edhe barnat e sëmundjes sistemike krahas trajtimit lokal./Familjadheshendeti