Relacioni bashkëpunues mjek-farmacist- I domosdoshëm

Nga: Mr.Ph Laureta Berisha Kosumi, Farmaciste

Gjithmonë mjeku duhet të ketë relacion bashkëpunues me farmacistin dhe anasjelltas. E gjitha kjo duhet të bëhet në mënyrë që shëndeti i pacientit të vihet në rend të parë, të zbatohet receta me përpikëri (jo të shihet gabim nëse ndërrohet prodhuesi) dhe të edukohen drejtë pacientët se si mjeku ashtu edhe farmacisti janë profesionistë mjekësorë dhe janë në shërbim të duhur ndaj tyre. Me anë të këtij bashkëpunimi mund të evitohen shumë probleme dhe gabime.

Ndër problemet më të mëdha që jemi duke hasur këto ditë si pasojë e këtij mos’bashkëpunimi, është edhe përshkrimi i barnave që janë në mungesë në vendin tonë si dhe barnave që nuk gjinden fare në vendin tonë, pastaj pacientët ngelin duke e kërkuar në tërë Kosovën, derisa të binden që nuk mund të gjindet në vendin tonë. Barnat në mungesë në përgjithësi janë terapitë kronike të përshkruara me emra tregtarë (fabrikues) dhe është shumë e vështirë të ndërrohet bindja e pacientëve që të marrin prodhues të tjerë.

Shumica e pacientëve kërkojnë të marrin vetëm ato prodhime që u’a ka përshkruar mjeku, madje edhe kur të njejtat janë në mungesë në tregun farmaceutik, ngelin pa e marrë barin duke insistuar të marrin vetëm atë prodhues që e kanë të përshkruar në recetë, duke pasur mundësinë të marrin barin nga prodhues tjerë me të njëjtën përmbajtje.

Poashtu, lus kompanitë farmaceutike që të lëshojnë ndonjë njoftim në faqet e tyre ose në rrjetet sociale për produktet që janë në mungesë si dhe të njoftojnë pas ardhjes së tyre në depotë përkatëse. Në këtë formë do e lehtësonin punën e mjekut, mundësinë e pacientit të marrë prodhim tjetër dhe punën e farmacistit i cili përballet direkt me pacientët.

Më poshtë do të cekë disa barna dhe prodhime që janë në mungesë, gjithsesi të konsultohet farmacisti për marrje të barnave me emër të njejtë gjenerik.

Disa nga barnat e prodhuesit bosnjaljek ( Lopril, Tenlop, Diabos etj);

Disa nga barnat e prodhuesit Hemofarm (Monizol, Presolol, Cornelin, Prilinda etj);

Disa nga barnat e prodhuesit Galenika;

Disa nga barnat e prodhuesit Berlin- Chemie (Corvitol, Berlition).

Si dhe shumë tjera, andaj ju lus të mos hezitoni të bisedoni me mjekun dhe farmacistin, në mënyrë që ju apo familjarët tuaj të mos ngelin pa marrë terapitë përkatëse.

Me respekt:
Mr.Ph Laureta Berisha Kosumi, Farmaciste

/Familjadheshendeti.com