Dr Valbona Hysenaj Miftari, neuropsikiatre

Personaliteti i një personi nuk përbehet vetëm nga nje „tullë ndërtimi“, por nga disa “tulla” të ndryshme së bashku: të ashtuquajturat tipare të personalitetit. Këto përfshijnë, për shembull: të qenurit i hapur, të qenurit empatik, i shoqërueshëm, i sigurt, optimist, ose e kundërta e të gjithave.
Mbi bazën e këtyre karakteristikave të qëndrueshme mund të përshkruhet karakteri i një personi.

Sa më dominuese të jetë një “tullë” e vetme në krahasim me të tjerat, aq më qartë kjo përcakton pamjen e “ndërtesës së personalitetit” së individit.

Edhe narcizmi bazohet në qëndrueshmërinë e këtyre tullave të ndërtimit. Nëse një person vlerëson vetëm veten e tij, ushqen vetëm nevojat e tij dhe kërkon lavdërim dhe njohje nga njerëzit që e rrethojnë atëherë ky është narcist.
Ai dëshiron të lë përshtypjen që është „i madh“ dhe shpesh flet edhe me zë të lartë, a në fakt në brendi ndjehet i vogël dhe e gjithë kjo arrogancë ndaj atyre që ai i konsideron më ulët apo më të dobët se vetja është reagim kompensator për ta mbrojtur egon e tij të brishtë. Ai funksionon në stilin; “mbrojtja më e mirë eshte sulmi”.

Narcizmin e kuptojnë shumica si „dashuri ndaj vetvetes“ apo „vetëadhurim“ natyrisht duke u bazuar nga e legjenda e Narcis-it, por në fakt narcizmi është nevoja obsesive apo varësia për lavdata dhe për t‘u ndjerë i rëndësishëm.
Narcizmi poashtu karakterizohet nga mungesa e empatisë (paaftësia për të bashkëndjerë), ndjenja e ulët e vetëvlerësimit, pasiguria në vetvete, ndjeshmëria e theksuar ndaj kritikës dhe shpërfaqja e shpejtë e arrogancës dhe agresivitetit.
E përsëris, narcisti duke dashur të kompensojë pasigurinë e tij dhe të maskojë dobësinë e egos reagon në mënyrë kompensatore duke shpërfaqur kështu vrazhdësinë e tij.
Narcistët pëlqejnë të adhurohen, të respektohen nga secili mirëpo nuk tregojnë shenja ndjeshmërie ndaj nevojave dhe ndjenjave të të tjerëve, përkundrazi këta shpesh madje janë të prirë të zhvlerësojnë njerëzit e tjerë në mënyrë që ata të duken si eprorë me nam.

Një “egoizëm i shëndetshëm” ka efekt pozitiv në mirëqenien tonë dhe mund të jetë shumë i dobishëm p.sh. në përformancën tonë profesionale. Megjithatë kur vetëvlerësimi bëhet virtyt qendror dhe dëshira për afirmim, vëmendje dhe adhurim behet varësi, atehere narcizmi bëhet patologjik në kuptimin e plotë të fjalës.

Një çrregullim narcistik i personalitetit mund të bëhet shumë shqetësues e sidomos për rrethin e atyre personave dhe herdokur është arsye e shkatërrimit të marrëdhënieve ndërpersonale.

Në fillim të një marrëdhënjeje narcisti shpesh nuk vërehet, përkundrazi lë përshtypjen e një njeriu me sharm dhe karizëm, sepse për një kohë të caktuar arrin të„shitet“ i sigurtë në vete, duke tentuar me çdo kusht të kthejë vëmendjen e të tjerëve nga ai. Këtë edhe e arrinë në fillim. Me kalimin e kohës, megjithatë, narcisti zbulon egocentrizmin e tij dhe kjo bëhet shumë bezdisëse për rrethin. Atëherë njerëzit përreth fillojnë t’mos ndjehen komod në praninë e tij.
Këtë e vërejnë narcistët dhe kjo ua rrit më shumë pasigurinë. Ky „rreth magjik“ shkon duke u thelluar gjithnjë e më shumë.

Narcizmi është i njohur nga kohërat më të lashta dhe me narcizmin janë marrë psikoanalistët më të njohur ndër shekuj.
Nga narcizmi po vuan një botë e tërë, ngase narcizmi i shfrenuar i njerëzve me ndikim në proceset globale politike, ekonomike, klimatike etj. po sjell të gjitha të këqijat. Ky narcizëm është i shoqëruar me sjellje perfide asociale, sadiste, psikopate, dekadente. Por edhe narcizmi në vendin e punës dhe narcizmi në çift rëndon shumë mirëqenien e secilit.

Simptomet e narcizmit fillojnë në moshën e rritur por në kohën e sotme mund të vërejmë tendencën narcistike edhe tek fëmijët, pasojë kjo e sistemit shtypës që ka instaluar bota kapitaliste, trysnia për të arritur sukses me çdo kusht etj, kritikat e pamenduara të prindërve të lodhur nga jeta dinamike, gabime këto të kushtueshme për personalitetin në formësim e sipër të fëmijëve.

Etiologjia e narcizmit:

Deri më tani janë bërë pak kërkime mbi faktorët biologjikë që çojnë në çrregullimin e personalitetit narcistik, megjithëse dihet që trashëgimi është një komponentë e rëndësishme. Disa teori siq e ceka pak më lartë supozojnë se prindërit janë përgjegjësit më të mëdhenj për zhvillimin e narcizmit tek fëmijët e tyre, çoftë duke i kritikuar rreptë, çoftë duke e lavdëruar në mënyrë të ekzagjeruar fëmijën.
Kështu fėmija krijon një vetëimazh të tillë, “t‘a ndjejë veten të vlerësuar vetëm kur tregon sukses” dhe kështu në të ardhmen koncentrohet jo në vlera të shëndosha por vetëm në sukses duke u bërë rob i adhurimit dhe vlerësimi të tjerëve.

Ne të gjithë njohim prindër të cilët u thonë fëmijëve të tyre se ata janë superiorë ndaj të tjerëve, kështu fëmijët atëherë mësohen të presin trajtim të veçantë nga të tjerët. Këtu duhet pasur shumë kujdes ngase rreziku për zhvillimin e narcizmit të këta fëmijë në moshë të rritur rritet. Pra fëmijët duke u parë nga prindërit e tyre si më unikë në krahasim me fëmijët e tjerë, ata zhvillojnë pikëpamjen se janë më të mirë e më veqantë, virtyt ky tejet i dëmshëm dhe shkak për t‘u bërë narcist. Pastaj orientimi i lartë drejt suksesit dhe kapriciot e prinderve arrijnë t’ua zënë vendin mbështetjes se duhur emocionale. Kjo bëhet shkak i sjelljeve egocentrike tek këta fëmijë më vonë. Pra kontribuon në të menduarit narcistik.

Sipas studimeve të shumta del që rruga e duhur është të tregoni dashuri dhe vlerësim për fëmijët në dozë normale pa u thënë atyre se janë superiorë ndaj të tjerëve dhe pa i kritikuar rreptë në rast të mossuksesit në mësime. Vetëm stil i tillë i prindërimit krijon themelet për një vetëbesim të shëndetshëm.

Secilit ndoshta i ka shkuar ndonjëherë mendja të posedojë tipare narcizmi apo të jetë viktimë e narcizmit por ndoshta nuk e ka marrë guximin ta testojë veten.
Këtu nuk ka asgjë të keqe, përkundrazi një testim mund t’iu hapë një çasje të re ndaj problemit.

Merreni nje copë letër dhe duke iu përgjigjur pyetjeve të mëposhtme zbuloni se sa është i shprehur narcisizmi juaj. Testet në libra dhe në internet janë të panumërta por unë kam zgjedhur disa pyetje me situatat që secili prej nesh i përjeton në përditshmëri.

Përpiquni të jeni të sinqertë para së gjithash me veten tuaj, ngase ndoshta ky test i thjeshtë bëhet nga sot shkak i reflektimit tuaj ndryshe.

Natyrisht ky test nuk zëvendëson një testim klinik, por mund të qesë patjetër në pah tiparet që e karakterizojnë narcizmin.

Ky test është i bazuar në kriteret që përcaktojnë këtë çrregullim të personalitetit sipas Organizatës Botërore të Shëndetit (OBSH).

Kriteret do t‘i lexoni pasi ta keni bërë testin.

  1. A ju pëlqen të flisni në detaje për aftësitë tuaja dhe për atë që keni realizuar dhe më pas të shijoni shikimet admiruese të bashkëbiseduesve tuaj?
    a)Jo, një mburrje e tillë është mjaft e pakëndshme për mua.
    b) Po – sepse për këtë sukses kam punuar shumë.
    c) Po, natyrisht sepse e meritoj për ta fituar admirimin e të tjerëve.
  2. Kur mendoni për të ardhmen tuaj, a humbeni shpesh në fantazi intensive dhe të detajuar duke e parë veten që mund të bëni gjëra të mëdha.
    a) Jo, kjo nuk më ndodh kurrë.
    b) Secili nganjëherë ka fantazira të tilla, por zakonisht kthehem në realitet relativisht shpejt.
    c) Po, kjo më ndodh mua gjatë gjithë kohës dhe kjo më pëlqen aq shumë sa do të preferoja të mos dilja përsëri nga fantazitë e mia.
  3. A mendoni se jeni unik dhe i veçantë?
    a) Jo domosdoshmërisht. Unë konsideroj se jam njëri i rëndomtë.
    b) Sigurisht që unë jam unik dhe i veçantë – por çdokush është unik në mënyrën e tij.
    c) Po, në rrethin tim vështirë është t‘ma kalojë dikush.
  4. Kur ndiheni më të qetë, Kur jemi në qendër të vëmendjes apo kur rrini anash?
    a)Anash – vëmendja e tepërt më bën të pasigurt.
    b) Në të dy situatat. Unë nuk kam asnjë problem të jem në qendër të vëmendjes, por ndjehem poashtu komod në “audiencë”.
    c) Natyrisht në qendër. Më pëlqen vëmendja shumë sepse kjo më bën të ndihem mirë.
  5. Imagjinoni që mbërrini në stacion natën vonë me tren dhe doni të merrni një taksi në shtëpi. Aty gjindet vetëm një taksi dhe papritmas vie një person tjetër në të njëjtën kohë dhe ai e merr taksin. Si sillesh?
    a) Unë e le personin tjetër të shkojë me taksi dhe pres deri sa të vijë taksi tjetër.
    b) Dua t‘a marr taksin dhe filloj ta bind konkurentin tim në një mënyrë miqësore që unë duhet të shkoj i pari. Sidoqoftë, nëse ai insiston të marrë i pari taksin, unë e lejoj por më kaplon një inat.
    c) Unë e shtyhem me konkurentin tim dhe futem në makinë. Taksi më takon mua.
  6. Çfarë është e rëndësishme për ju në marrëdhënie?
    a) Unë dua që partneri/ja im/e të jetë i/ e lumtur. Kjo është arsyeja pse unë e mbështes atë kudo që mundem.
    b) Baraspesha. Unë mendoj që mbështetja e njëri-tjetrit duhet të jetë reciproke për t’i arritur të dy qëllimet tona.
    c) Unë kam nevojë për dikë që më shikon, që më mbron dhe më mbështet pa kushte për të arritur qëllimet e mia.
  7. Mund të bashkëndjeni me njerëzit e tjerë?
    a) Po, shumë mirë. Kur dikush ndihet keq, e vërej shpejt dhe atëherë përpiqem t’i ndihmoj që ai të ndjehet më mirë.
    b) Po, mirëpo në stresin e përditshëm ndonjëherë humbas vëmendjen për ndjenjat dhe nevojat e të tjerëve.
    c) Sigurisht, e kuptoj nëse dikush është i lumtur ose i trishtuar. Por, zakonisht nuk kam as kohë as dëshirë të merrem me ndjeshmërinë e të tjerëve.
  8. A mendoni se njerëzit e tjerë iu xhelozojnë?
    a) Jo.
    b) Nganjëherë.
    c) Po, shumica e njerëzve përreth meje më xhelozojnë. Jam i bindur për këtë.
  9. Ju keni shumë punë për të bërë, por një i njohur apo mik iu thërret, se ka një problem dhe kërkon ndihmën tuaj. Si sillesh?
    a) Edhe nëse nuk më përshtatet koha, sigurisht që i ndihmoj! Miqtë janë për këtë.
    b) Nuk më duket momenti i përshtatshëm, por jam dakord. Mendoj, një ditë do t‘më duhet edhe mua ndihma e tij.
    c) Unë i them atij – dhe atë qartë. I kam punët e mia dhe nuk kam kohë të mirrem me të.
  10. Imagjinoni, një koleg kritikon punën tuaj. Si reagoni ndaj kësaj?
    a) I dëgjoj me qetësi kritikat. Nëse është kritika me vend unë përpiqem të përmirësohem ngase nga kritika e dobishme mund të mësoj shumë.
    b) Unë shqetësohem dhe mërzitem në të njëjtën kohë. Por nëse kritika është me vend përpiqem me zor ta pranoj.
    c) Unë indinjohem, reagoj me zë të lartë sepse ndjehem i fyer. Mendoj, një HIQ i tillë t‘më kritikojë mua.
  11. A të mbisundon mendimi që je tërheqës, i talentuar dhe i popullarizuar?
    a) Jo, kam gjëra më të menqura për të bërë dhe nuk mendoj që jam aq i/e veçantë.
    b) Po, shumë herë sepse e vërej që edhe vetë befasohem me vetveten por edhe të tjerët më konsiderojnë shpesh kështu. Kjo megjithatë është pak e pakëndshme për mua.
    c) Po, kjo më ndodh mua gjatë gjithë kohës por unë kam arsye të mendoj kështu.
  12. A ka rëndësi për ju që të rrethoheni nga personat me prestigj çoftë në jetën private apo në mjedisin profesional. Vendi ku punoni a duhet të jetë nje kompani / institucion i suksesshëm, i rëndësishëm dhe i njohur?
    a) Jo, kjo është sekondare për mua. Mbi të gjitha, është e rëndësishme për mua që të ndjehem rehat në mjedisin tim privat dhe profesional.
    b) Kontaktet interesante dhe një punëdhënës i respektuar janë të rëndësishme për mua por një prestigj i lartë si i vetëm nuk është i mjaftueshëm.
    c)Po, natyrisht. Unë dua të rrethohem me njerëz që janë të ngjashëm me mua sepse unë mendoj që e gjej veten vetëm me njerëzit e suksesshëm sepse vet jam i suksesshëm.
  13. A vonoheni shpesh në takime apo festime, kështu që gjithmonë iu duhet të kyqeni me vonesë në ngjarjen e filluar?
    a) Jo, kjo më ndodh rrallë dhe nëse po, atëherë natyrisht ndjehem keq. Nuk më pëlqen kur të tjerët duhet të më presin ose kur i pengoj nga ardhja ime me vonesë.
    b) Ndonjëherë. Normalisht mundohem të jem në kohë, por nuk arrij ta bëj këtë gjithmonë.
    c)Po, kjo më ndodh gjatë gjithë kohës. Unë vonohem sepse bëj gjëra të rëndësishme tërë kohën. Të tjerët duhet të më presin dhe ata s‘duhet të nervozohen nese i ndërpres.
  14. Partneri/ja juaj ka ditëlindjen, ju e ftoni të dilni së bashku për darkë. Ai/ajo ua propozon një restorant, ju propozoni tjetrin. Ku shkoni?
    a) Sigurisht aty ku dëshiron partneri/ja. Në fund të fundit është ditëlindja e tij/ saj.
    b) Ne e kerkojmë kompromisin, për shembull shkojmë në restorantin që shërben ushqim çfarë na pëlqen dyve.
    c) Në restorantin që dua unë. Unë e kam ftuar partnerin tim, unë po e ia kushtoj mbrëmjen time atëherë unë dua të ha atë që më pëlqen.
  15. Cila është marrëdhënia juaj me kolegët tuaj?
    a) Miqësore. Me shumicën e gjej shumë mirë veten time, ne mbështesim njëri-tjetrin dhe takohemi në kohën e lirë.
    b)Profesioanale. Unë kam një rrjet të mirë profesional dhe kaloj mirë me kolegët e mi. Por ne nuk kemi një marrëdhënie personale të ngushtë.
    c) Neutrale. Unë nuk mund të miqesohem shumë me kolegët e mi. Por më duhen disa për të përparuar për vete. Me keta kuptohem më mirë.
  16. Ti e vëren se një mik nuk po ndihet mirë. Si sillesh?
    a) Unë flas me të, e dëgjoj se çfarë po e shqetëson por mbi të gjitha përpiqem t‘i ndihmoj sa më shumë që të jetë e mundur.
    b) Unë nuk e pyes përpara nëse ai nuk m’a qanë hallin vetë, por përpiqem te jem për të nëse ai ma beson brengën e tij/ e saj.
    c) Perpiqem ta shmang. Nuk kam kohë për problemet e tij.
  17. Keni marrë pjesë në një konkurs, keni punuar shumë por e keni zënë vendin e dytë. Si ndjeheni?
    a) Unë dëshprohem pak por natyrish jam i lumtur për fituesin sepse ai e meriton atë. Mjafton pjesëmarrja, edhe kjo ka mjaft rëndësi.
    b) Jam mërzitur dhe jam mjaft i zhgënjyer. Por e kam parasysh që nuk mund të fitoj gjithmonë.
    c) Unë jam i inatosur, fajësoj të tjerët për mbarëvajtjen e parregullt të konkursit. Kërcënohem që nuk do lejoj që diçka e tillë të ndodhë prapë dhe në mënyrë demonstrative shkoj para ceremonisë së ndarjes së çmimeve.

Rezultati:

Nese keni shumicen e pergjigjeve nën A):

  • Narcismi në ju është shumė pak i theksuar. Ju nuk e vendosni veten dhe interesat tuaja në rend të parë por shpesh shqetësoheni për mirëqenien e të tjerëve, zakonisht jeni me të hapur dhe interesoheni sinqerisht. Nuk insistoni që gjithmonë të keni të drejtë por jeni të gatshëm për kompromis.
    Sidoqoftë, ruajuni që t‘mos e harroni krejtësisht veten, dëshirat dhe nevojat tuaja. Ata që interesat e veta terësisht i vendosin në rend të fundit natyrisht që rrezikojnë të jenë humbës.

Nese keni disa pergjigje nen A por dominojnë përgjigjet nën B:
Atëherë i përkisni grupit të dytë, ju e doni vetveten por prape se prape ndiheni me të qetë ne prapavijë. Ju nuk i doni kritikat por zakonisht mund ti pranoni ato, sidomos kur ato justifikohen.

Është me rëndësi që ta dini. Një dozë e caktuar e „të dashuruarit“ të vetvetes dhe nje dozë jo e tepruar e vetëvlerësimit i shërbejnë një qëllimi shumë të rëndësishëm dhe kjo nuk nënkupton medeomos një perceptim të shtrembëruar. Kjo madje është e dobishme për shëndetin mendor. Ata që i kushtojnë rëndësi vetes dhe aftësive të tyre janë më të fortë në përmbushjen e nevojave të tyre . Ata ndjekin qëllimet e tyre në mënyrë sistematike dhe të shumten e rasteve jetojnë më të kënaqur me të ashtuquajturin “egoizëm të shëndetshëm”.

Nga ana tjetër, nëse tiparet e lartëpërmendura gjegjësisht nëse mbizotërojnë përgjigjet nën C, atëherë kemi të bëjmë me narcizëm të theksuar ose madje edhe me çrregullim të personalitetit narcistik.
Ky grup ka tendencë të mbivlerësojnë veten e vet në mënyrë të paskrupullt dhe pastaj të pësojë kriza serioze nëse të tjerët nuk e vlerësojnë sipas pritjeve të tij. Pra ai pret çdo herë „duartrokitjet“ e të tjerëve.
Po që se ato mungojnë vie tek prishja e marrëdhënieve ndërpersonale çoftë private, kolegiale apo miqësore.

Në kohën e sotme të rrjeteve sociale, narcistët gjejnë një mjedis optimal për ushqyerjen e egos me pëlqime e komente lavdëruese.
Studimet e shumta të kohëve të fundit thonë që rrjetet sociale po demaskojnë gjithnjë e më shumë njerëzit me prirje narcistike. Pre e fenomenit të postimeve kemi rënë të gjithë. Por narcistēt shquhen me nevojën të kenë më shumë miq në Facebook, të postojnë me shumë selfie, të ndryshojnë shpesh profilin e tyre, e gjithë kjo sepse kanë nevojë për afirmim dhe për të rritur vetëvlerësimin e tyre. Pra narcistët parapëlqejnë të jenë figura të njohura ne publik. Selfijet nuk i bëjnë dëm askujt por narcistët e padurueshëm janë ata që suksesin e të gjjthë ekipit ia atribuojnë vetes duke theksuar vazhdimisht epërsinë e tyre mbi të tjerët. Kjo gjë me kohën i iriton shumë rrethin e tyre. Ata zhvlerësojnë të tjerët për ta vlerësuar veten. Ata madje shpesh i shfrytëzojnë të tjerët për të arritur suksesin e tyre.

Kriteret klinike që plotësojnë diagnozën e çrregullimit të personalitetit, të tipit narcistik: (marrë nga MSD Manual 2019)

  1. Ndjenja e madhështisë (sens i ekzagjeruar i talentit të tij).
  2. Nevoja për t’u admiruar dhe mungesa e dhembshurisë.
  3. Fantazitë e suksesit të pakufizuar, ndikimit, fuqisë, inteligjencës, bukurisë ose dashurisë perfekte.
  4. Besimi se janë të veçantë dhe unikë dhe se ata duhet të lidhen vetëm me njerëzit e nivelit më të lartë.
  5. Ndjenja se vetëm ata kanë të drejtë.
  6. Shfrytëzimi i të tjerëve për të arritur qëllimet e tyre.
  7. Mungesa e empatisë ( aftësisë për bashkëpërjetim).
  8. Zilia ndaj të tjerëve dhe besimi se të tjerët i kanë zili.
  9. Arroganca dhe krenaria e tepruar.

Diagnoza diferenciale;

  1. Çrregullimi bipolar: Pacientët me çrregullim narcistik të personalitetit shpesh vuajnë nga depresioni dhe mund të diagnostikohen në mënyrë të rreme si bipolarë për shkak të madhështisë së tyre. Pacientë e tillë kanë depresion, por nevoja e tyre e vazhdueshme për t’u ngritur mbi të tjerët i bën ata të ndryshëm nga njerëzit me çrregullim bipolar. Në rastin e çrregullimit të personalitetit narcistik, ndryshimet në humor shkaktohen kur ata ndjehen të fyer.
  2. Çrregullimi i personalitetit antisocial: Shfrytëzimi i të tjerëve për të arritur qëllimet e veta është karakteristikë për të dy çrregullimet e personalitetit. Sidoqoftë, motivet janë të ndryshme. Pacientët me sëmundje antisociale të personalitetit përdorin të tjerët për përfitimin e tyre material. Njerëzit me çrregullim të personalitetit narcistik përdorin të tjerët për të ruajtur vetëvlerësimin e tyre.
  3. Çrregullimi i personalitetit histrionik (teatral). Të kërkosh vëmendjen e të tjerëve është karakteristikë për të dy çrregullimet e personalitetit. Por pacientët me çrregullim të personalitetit narcistik, ndryshe nga ata me çrregullim teatral të personalitetit, bëjnë çdo gjë për të tërhequr vëmendjen ngase ata duan të admirohen.
  4. Narcistët gjithashtu kanë tendenca sadiste dhe ndihen shumë të kënaqur kur i bëjnë të tjerët të vuajnë.

Terapia dhe trajtimi

Pacientët që vuajnë nga crregullimi narcistik mund të trajtohen me metoda psikoterapeutike, por trajtimi në fakt është shumë i vështirë. Pikë së pari diagnostikimi kërkon një ekzaminim të gjerë dhe të hollësishëm.
Duhet të kuptohet mire kompleksiteti i çrregullimit dhe të bëhet mirë dallimi në mes të vetëvlerësimit të shëndoshë dhe atij patologjik.

Narcizmi morbid njihet dhe trajtohet vetëm pasi një narcist shkon tek psikiatri për njė problem tjetër si p.sh. për shkak të depresionit apo mendimeve suicidale, problemeve në qift apo në punë. Do të thotë ai vjen per të kerkuar ndihme jo pse vete është ‚i sëmurë“ por pse të tjeret jane fajtorë për gjendjen e tij.

Një narcist e ndjen veten inferior t’i drejtohet një psikiatri sepse atëherë do të duket i dobët prandaj duhet të ndodhë dicka e madhe që ai të detyrohet të shkojë tek psikiatri.
Prandaj, në fillim të terapisë puna me narcistët është e vështirë andaj duhet durim që të krijohet nje marrëdhënie e mirë midis pacientit dhe terapistit. Është e rëndësishme që terapisti të tregohet empatik dhe i durueshëm.
Kështu pacienti ngadalë pranon ndihmën dhe fillon të zhvillojë një vetëkoncept realist dhe fillon të reflektojë dhe të mësojë t’i qaset problemeve nga këndvështrime tjera. /familjadheshendeti

Shpërndaje
  • 124
  •  
  •  
    124
    Shares