Pse nuk e denoncove?

Shkruan: Hafize Elshani

Pyetja që i shkon si plumb çdo viktime të dhunës, sepse ajo nuk është pyetje, por është fajësim…që meqë nuk e ke denoncuar (sepse të kanë kërcënuar, të kanë shantazhuar, nuk të kanë mbështetur familja, ke humbur besimin tek sistemi i drejtësisë, sepse ke shpresuar se nuk do të përsëritet, sepse nuk deshe që t’i japësh fund lidhjes/martesës, sepse të rri si peng shprehja për hir të fëmijëve, e shumë e shumë SEPSE të tjera), dhe fakti që nuk e denoncuar të bën fajtor/e që dikush të dhunoi qoftë psikologjiksht apo fizikisht.

Nëse është dikush nga rrethi yt që gjendet në këtë situatë, mos guxoni ta pyesni se pse nuk ka treguar, por pyesni veten pse nuk ia dhatë komoditetin asaj/atij që dhunohet që të të tregojë së paku ty.

Nëse nuk i ndihmon dot, së paku mos i bëj keq duke e fajësuar atë grua apo atë burrë që ishte viktimë e dhunës. Them edhe “atë burrë”, sepse ka edhe raste të burrave të dhunuar, që shpesh njerëzit tallen edhe më keq me ta.

Dhuna është dhunë dhe si e tillë duhet dënuar, qoftë kur ushtrohet ndaj grave, qoftë ndaj burrave.