Pse ndëshkimi nuk është i dobishëm në disiplinimin e fëmijëve?

Nga Brikena Krasniqi Hoti, specialiste e Psikologjisë Klinike dhe Psikoterapisë

Prindërimi si një ndër sfidat më të mëdha në jetë, shpeshherë ngërthen dilema në vete. Por në disa raste mundet që ne ndihemi të sigurt se kjo është mënyra e duhur për të vepruar më fëmijën. P.sh. keni menduar se një goditje e lehtë mbrapa për fëmijën tuaj nuk është e dëmshme? Ose goditja e fëmijës me shuplakë, në rastet kur ai bën një gabim, është një metodë e mirë e disiplinimit? Epo mund të jetë ndryshe nga ajo që keni menduar. Mund të thoni se të gjithë neve na kanë rrahur prindërit tanë dhe s’na ka gjetur gjë? Në shoqërinë tonë është akoma e pranishme kjo formë e disiplinimit, por bëni mirë të dëgjoni se si e shohin ekspertet e fushës së psikologjisë këtë fakt.

Së pari, duhet të kuptojmë se disiplinimi dhe ndëshkimi nuk janë e njëjta gjë. Disiplinimi ka të bëjë me të mësuarit e sjelljeve të mira dhe të përshtatshme tek fëmijët, në përputhje me rregullat e caktuara. Ndërsa ndëshkimi ka të bëjë me shkaktimin e vuajtjes tek fëmija për sjelljen ose gabimin që ka bërë. Dhe kur flasim për ndëshkimin, i referohemi jo vetëm shuplakës, por edhe bërtimat ndaj fëmijës, kërcënimi apo edhe nëse ia marrim dhunshëm lodrën që ai e pëlqen më së shumti. Vuajtja nuk është një gjë e mirë për zhvillimin mendor të fëmijëve dhe mund të shkaktojë traumë emocionale tek ata. Ky është një lajm i keq apo jo? Kemi edhe një lajm të mirë. Disiplinimi i fëmijës mund të arrihet edhe pa e ndëshkuar atë. Kjo do të thotë që, në vend se ta ndëshkojmë fëmijën sa herë që bën gabime, më mirë do të ishte: “TA INJOROJMË SJELLJEN E PADËSHIRUESHME” me aq sa mundemi, pra të bëjmë sikur se kemi vënë re, dhe ta shpërblejmë atë sa herë që bënë sjellje të mira. Shpërblim mund të jetë edhe një përqafim, një fjalë “TË LUMTË”. Në këtë mënyrë ne “E PËRFOROCOJMË SJELLJEN E DËSHIRUESHME”.

Së dyti, ndëshkimi nuk jep mësim. Një fëmijë i ndëshkuar mund të kuptojë se çfarë nuk duhet të bëjë, por nuk do ta kuptojë kurrë se çfarë ai mund ose duhet të bëjë? Duke qenë se fëmijët kanë shumë energji, ata vazhdimisht kanë nevojë të bëjnë gjëra. Ndëshkimi do t’i lërë ata të hutuar dhe gjasat janë që ata do të bëjnë gabime përsëri. ËSHTË SHUMË NORMALE DHE E KENI PARË VET KËTË GJË, APO JO? Pasi të jeni kapur në mentalitetin e ndëshkimit, është e vështirë të mendoni në mënyrë racionale ose të jeni i mëshirshëm për të shqyrtuar se si të disiplinoni fëmijën tuaj. Dhe kjo nuk ndihmon që fëmija juaj të dallojë të drejtën nga e gabuara. Çfarë mësimi të veçantë mund të merr një krah i pickuar apo një fytyrë e skuqur dhe e tronditur nga shuplaka? Por, trajtimi i një fëmije me respekt, duke folur me të dhe duke e marrë atë për të diskutuar me kujdes situatën, duke e pyetur se pse ai u soll në atë mënyrë, e kthen sjelljen e tij të papërshtatshme në një mundësi për të mësuar.

Së treti, dënimi krijon një marrëdhënie të bazuar në frikë. Një prind që shpesh ndëshkon fëmijën e tij, krijon një marrëdhënie të ndërtuar mbi frikën. Nëse një prind është agresiv dhe i paparashikueshëm, fëmija do të frikësohet dhe shqetësohet për atë që prindi i tij do të bëjë sa herë që fëmija bën një gabim. Për më tepër, kjo frikë dhe ky ankth qëndron me fëmijën edhe më vonë në jetë. Ai mund të ketë vazhdimisht ndjenjën që do të lëndohet apo që diçka e keqe do të ndodhë. Rezultati mund të jetë një fëmijë i ngrysur dhe me vetëbesim të ultë. E ndërkohë, vetëbesimi i lartë është çelësi i një fëmije të suksesshëm më vonë në jetë.

Ju lutem, sa herë që ndiheni i zemëruar apo i lënduar nga sjellja e fëmijës suaj (kjo është e pashmangshme apo jo), merrni frymë thellë dhe vlerësojeni situatën edhe njëherë. Ju nuk dëshironi fëmijë me probleme emocionale në të ardhmen, apo jo? Megjithatë, ne të gjithë gabojmë jo qëllimisht. Sigurohuni që t’ia falni vetës. E rëndësishme është që të mos i përsërisim gabimet e njëjta më fëmijët tanë. Të gjithë ne, duam më të mirën për ata. Pra ju duhet të vendosni kufijtë në sjelljen e fëmijës suaj, por bëjeni këtë në një mënyrë të butë dhe të kujdesshme./FamiljadheShëndeti