Pirja e duhanit vret!

Nga Dr. Gojart Xh. PLLANA – Spz i Kardiologjisë me Angiologji

QKUK/Klinika e Kardiologjisë

Pirja e duhanit na bën keq, këtë e dimë të gjithë! Gjithashtu nga pirja e tij mund të vdesim! Çdo vit në të gjithë botën numri i të vdekurve për shkak të duhanit po rritet me ritme të frikshme. Por efektet e cigareve në trupin e njeriut janë të shumta dhe ato ndikojnë çdo ditë në jetën e duhanpirësit. Duhani gjatë djegies çliron 4 mijë lëndë, që nga nikotina dhe monoksidi i karbonit dhe deri të katranet, substancat me përbërje benzopireni, kobalti radioaktiv, që janë ndër shkaktarët e kancerit të mushkërive.

Në qoftë se do të bëjmë një listë të dëmeve që shkaktohen drejtpërdrejt nga duhani, ato që ndikohen apo rëndohen prej tij, ajo do të jetë tepër e gjatë, por le të përqendrohemi mbi dëmet kryesore.

Ato përfshijnë:

Trurin – duke shkaktuar dhimbje koke, çrregullim gjumi, nervozizem, marramendje etj.

Zemrën – pirja e duhanit është shkaktari kryesor i infarktit dhe i sëmundjeve koronare të zemrës te gratë dhe burrat dhe veçanërisht ajo është e lidhur me 30 për qind të vdekjeve nga sëmundjet koronare të zemrës. Duhani rrit rrezikun e arteriosklerozës dhe të infarktit miokardik, sepse ai favorizon formimin e pllakave dhe formimin e trombeve.

Sëmundja koronare arteriale shkaktohet nga monoksidi i karbonit dhe nikotina. Duhanpirësit rrezikojnë të sëmuren dy herë më shumë sesa ata të cilët nuk e pinë atë. Nder efektet tjera të duhanit në zemër janë edhe ngritja e shtypjes se gjakut (Hypertension), çrregullime të ritmit të zemrës (Arrhythia), të rrahura të shpejtuara të zemrës (Tachicardia) etj.

Mushkëritë – Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 90 deri 95 për qind e tumoreve të mushkërive shkaktohen nga pirja e duhanit. Duke folur po për mushkëritë, pirja e duhanit shkakton bronkit akut afatgjatë, bronkit kronik dhe emfizemë, si dhe incidencën dhe ashpërsinë e episodeve astmatike dhe infeksionet e përsëritura të frymëmarrjes.

Kancer jo vetëm në mushkëri – Pirja e duhanit rrit rrezikun e kancerit të fshikëzës, mëlçisë, laringut, ezofagut, pankreasit dhe gojës. Duhani, përveç këtyre, është një faktor rreziku për zhvillimin e diabetit në kohë të hershme. Kur kombinohet me pirjen e alkoolit ky rrezik shkon 150/1 në raport me popullsinë jo duhanpirëse.

Duhani, duke kontribuar në vazokonstruksionin (ngushtimin) e enëve të gjakut të stomakut rrit përqindjen për ulcerën e stomakut, ndërkohë që rritet 2,7 herë rrezikun për kancer në stomak. Duhani shkakton shumë sëmundje dhe është i dëmshëm për shëndetin e njeriut. Njerëzit mundohen ta lënë duhanin, por nuk munden, pasi ata janë mësuar ta konsumojnë shumë atë. Disa njerëz mendojnë se duhani të largon dhimbjen e kokës, por përkundrazi ai e shton akoma më shumë atë, por ne nuk e ndiejmë.

Impotence – tymi i duhanit është një faktor rreziku shumë i rëndësishëm në mosfunksionimin e organeve gjenitale të meshkujve. Një studim i kryer në Masashuta ka treguar se si pirja e duhanit rrit rrezikun e impotencës, me një incidencë mes 5 për qind dhe 15 për qind më të lartë sesa ajo e jo duhanpirësve. Por duhani nuk ka një efekt të dëmshëm vetëm mbi nivelin e enëve të gjakut, por ai ka një rol të drejtpërdrejtë edhe në indet gjenitale të mashkullit.

Estetike – edhe nga pikëpamja estetike duhan-pirja ka një ndikim negativ mbi trup. Në fakt duhani zvogëlon mbrojtjen imunitare përkundrejt pllakave bakteriale, shkakton një zverdhje të dentinës dhe rrit rrezikun e gingivitit. Përveç këtyre, duhani përshpejton plakjen e lëkurës.

Nëse jeni duhanpirës, ndërprerja e duhanit është gjeja më e mirë që ju do të bënit për trupin tuaj.

“Nuk do të ketë kurrë një moment të përsosur për të lënë duhanin. Mos prisni që jeta të ndryshojë pa u përpjekur fare. Nëse dëshironi të lini duhanin, ju duhet të merrni kontrollin e ndryshimeve që ju nevojiten në jetën tuaj”.

Nëse keni vendosur ta leni duhanin atëherë, URIME!/FamiljadheShëndeti