Për përdhunimin dhe shfrytëzimin e një të miture duhej të skandalizohet krejt shoqëria!

Nga Zana Avdiu

Mësuesi- të cilit ia besojmë fëmijën tonë dhe të ardhmen e tij;
Polici- të cilit ia besojmë sigurinë dhe jetën tonë;
Mjeku- të cilit ia besojmë edhe shpirtin tone;
Këta të tre, kanë dhunuar një të mitur për më shumë se një vjet.

Te na, vendet që je më së shumti në rrezik janë këto institucione.

Nuk kalon një ditë e vetme, që nuk ndodh një skandal tronditës, brenda këtyre institucioneve, por ajo çka të çmend edhe më shumë është komoditeti i ministrave të shëndetësisë dhe atij të arsimit, heshtja e drejtorit të përgjithshëm të policisë dhe atij të stacionit në fjalë, heshtja e kryetarit të komunës e drejtorit të arsimit, heshtja e deputetëve e heshtja e të gjithëve që mbajnë përgjegjësi.

Ministri i shëndetësisë, përkundër skandaleve pafund, heshtë dhe nuk flet, të njëjtën e bënë ministri i arsimit, e të njëjtën edhe drejtori i policisë dhe ministri i brendshëm, që kanë përgjegjësi direkt për këtë.

Në momentin që doli ky lajm, është dashur të skandalizohet i gjithë vendi, e do të duhej të deklaroheshin personat përgjegjës, deri tek kryeministri.

Pse duhet të deklarohen? Sepse, lajmi i mbrëmshëm ishte vula e gjendjes së rëndë e mjeruese, dhe të rrezikshme në të cilën gjendet shoqëria jonë e sidomos vajzat dhe gratë.

Dhunimi seksual i një të miture, nga profesori pastaj nga polici, e krejt në fund nga mjeku, do të duhej të çonte disa në shtëpi e disa në burg, menjëherë, e jo të heshtet e të sillemi sikur s’ka ndodh asgjë.

Por, edhe ne (populli) duhet të reagojmë, duhet të ngitemi në këmbë e të kërkojmë drejtësi dhe përgjegjësi, për vajzën e mitur. Ne duhet të jemi zëri dhe mbështetja më e madhe e saj.

E le ta dimë, që nëse sot heshtim, nesër secilit prej nesh do t’i ndodh e njëjta gjë.

Nëse nuk e bëni për vajzën në fjalë, bëjeni së paku për fëmijët tuaj, të cilët nesër mund të jenë viktima të një krimi të ngjashëm. Përgjegjësit, duhet të përgjigjen, për krimet e bëra. Nuk duhet të heshtim! Mos të heshtim! Sepse, nëse sot ne heshtim, nesër do të na ndodh neve e njëjta gjë, por atëherë s’do të jetë askush që do të flet e veprojë, për ne! 

———————————————————————
“Së pari ata erdhën për socialistët, dhe unë nuk thash asgjë – Sepse unë nuk isha socialist.

Pastaj ata erdhën për sindikalistët dhe unë nuk thash asgjë – Sepse unë nuk isha sindikalist.

Pastaj ata erdhën për çifutët, dhe unë përsëri nuk thash asgjë – Sepse unë nuk isha çifut.

Pastaj ata erdhën për mua, dhe nuk kishte mbetur njeri për të folur për mua.” – Martin Niemöller