Jepini fëmijës suaj autik këto katër dhurata falas!

1) Dashuri të vazhdueshme pa kushte
Është e lehtë të duash pa kushte një fëmijë të bukur, të sjellshëm me nota të mira etj. por është më e vështirë të duash një fëmijë që qan për orë të tëra apo që nuk ndalon së shtypuri shkarkuesin e tualetit. Dashuria pa kushte nga ana tjetër nuk do të thotë t’i buzëqeshësh fëmijës 24 orë në ditë apo të mos i thuash kurrë “më çmende”. Dashuria pa kushte është ajo dashuri ku veprimet, arritjet dhe sjelljet e fëmijës suaj nuk kanë lidhje me atë që ju ndjeni, mendoni apo veproni kundrejt tij. Do të thotë që fëmija juaj mund të mbështetet tek ju si një prind i dashur për sa të jetë jeta.

2) Besimi tek aftësitë dhe potencialet e fëmijës suaj 
Kur fëmija ka vështirësi në komunikim me anë të fjalëve, bota e gjykon atë si të paaftë për të kuptuar. Kur fëmija ka vështirësi në klasën e tipikëve, ai gjykohet si i paaftë për çdo gjë tjetër. Ju si prind e dini më mirë pasi ju e keni parë fëmijën tuaj të bëjë shumë gjëra: të ndërtojë një kullë, të këndojë një këngë, të ngjitet në mal etj. Ju e dini çfarë mund të bëjë fëmija juaj dhe ju e dini sa mundësi ka ai për të mësuar më shumë. Besimi tek fëmija juaj do ta çojë atë më larg se çdo program shkollor apo seancë terapie!

3) Gatishmëria për ta pranuar dhe për të dalë në komunitet haptas me fëmijën tuaj
Për disa arsye të pashpjeguara mirë, njerëzit kthejnë kokën të çuditur kur shikojnë një fëmijë që shkund vazhdimisht duart, që rrëshket dhjetë herë rresht në rrëshkitëse apo që flet me një intonacon të caktuar. Është e sikletshme të jesh prindi i këtij fëmije kur gjithë të tjerët janë duke e parë atë me çudi. Ju mund t’i jepni fëmijës suaj një ndihmë të madhe duke e pranuar situatën dhe duke dalë së bashku me të për të përballuar me masë dhe me një sens humori vështrimet.

4) Durim, durim dhe shumë durim
Zakonisht prindërit e mendojnë durimin si aftësinë që ata praktikojnë kur fëmija sillet keq. Ky është një lloj durimi,por tek fëmija autik durimi merr të tjera trajta. Për një prind të një fëmije autik, durimi është aftësia për të mbështetur, për të mësuar dhe për të dashur një fëmijë që mund të marrë dhjetë vjet për të mësuar sa është ora apo pesëmbëdhjetë vjet për të zënë një shok. Eshtë një lloj durimi që të lejon të zgjohesh çdo ditë në mëngjes duke menduar se ke një ditë të gjatë para dhe kjo të të duket normale. Eshtë një lloj durimi që të lejon ta mbështesësh dhe t’i mësosh atij çdo aktivitet gradualisht, hap pas hapi, edhe pse do të ishte më e lehtë dhe më e shpejtë ta bëje vetë më mirë.Durimi është çelsi i suksesit.

Autore: Veranda Mataj-Psikologe