“Ata që janë të sëmurë me Down”

Shkruan: Fjolla Rraci

Më thanë: “Ata që janë të sëmurë me Down” –  në vend se me më thanë personat me sindromën Down.

Më thanë: “Ata që vdesin shumë herët, ende pa i mbushë 14 vjet – në vend se me më thanë sa mirë që jetëgjatesia e personave me sindromën Down është përmirsu dukshëm deri në 60-65 vjet.

Më thanë: “Ata që ‘shoqërohesh’ ti me ta janë “t’vonshëm e ju bjen zhitoni ma vonë”- në vend se me më thanë që shokëve tu ju duhet një ndihmesë pak ma e madhe për me e arritë atë çka duan në jetë.

Më thanë: “Të kam pa një ditë rrugës me atë djalin e sëmurë”- në vend se me më thanë të pamë sa e lumtur dukeshe me shokun tënd.

Më thanë: “Duhet të kesh shumë durim të rrish gjithë kohën me ata”- në vend se të më thonin: sa me fat je, që je e rrethuar me gjithë atë dashuri.

Më thanë: “Ata që duken krejt njësoj e që veç rrijnë tuj qeshë” – në vend se me më thanë personat me sindromën Down i kanë disa karakteristika të njëjta dhe i përjetojnë të gjitha emocionet.

Më thanë: “Me ata që merresh ti”- në vend se me më thanë shokët që e kaloni kohën bashkë.

Më thanë: “Ajo shoqja jote që është “me të meta, që nuk është normal”- në vend se me më thanë shoqja jote me nevoja të veçanta.

Më thanë: “Është shumë i egër, e veç çka të dojë ai vetë duhet me ba, edhe kur e ka gabim”- në vend se me më thanë është pak kokëfortë e i pëlqen me e mbajtë mendimin e tij, derisa dikush në mënyrë njerëzore e bindë për ta ndryshu një sjellje a mendim të caktuar për të mirë.

Më thanë: “ Janë barrë e shoqërisë, se gjithë duhet me u  marrë dikush me ata, e të varur prej dikujt”- në vend se me më thanë: me ndihmën tonë,  personat me sindromën Down mund të bëjnë një jetë të pavarur dhe bëhen pjesë aktive e shoqërisë.

Më thanë: “Gjynah familjarët e tyre që i shohin çdo ditë ashtu, shumë e  rëndë për ata”- në vend se me më thanë sa mirë që në familjet e tyre nuk i shohin me sy ndryshe dhe që i gëzohen ekzistencës së tyre.

Më thanë: “Dikur habitesha, tash jam bërë imune!”

/Familjadheshëndeti

Shpërndaje
  • 433
  •  
  •  
    433
    Shares