Pas dy ditësh…

Nga Klodiana SMAJLAJ

Pas dy ditësh do të dhuroj flokët e mi….
E di, ju ngjan çuditshëm kur e lexoni, aq më tepër kur risillni në mendje faktin se unë jam e mbuluar, por kjo është e vërteta.
Kam zgjedhur të dhuroj diçka nga vetja ime, atë diçka që shumë nga gratë, por edhe nga burrat, e konsiderojnë si aureolë të bukurisë. Kam zgjedhur të dhuroj aureolën time të bukurisë për t’u thënë grave me kancer, këtyre heroinave të sprovuara fort nga jeta, se ato nuk janë vetëm. Se ato nuk mund dhe nuk duhet të dorëzohen. Se unë, e shumë si unë, mbase nuk i vuajmë dhimbjet njëlloj në trupat tanë, por zemrat na tronditen fort sa herë që shohim lot e vuajtje në trupat e tyre.
Pas dy ditësh do të dhuroj flokët e mi për gratë me kancer… Sigurisht, jam e vetëdijshme se ato gra s’kanë nevojë për flokët e mi, se lehtazi mund ta zgjidhin problemin e tyre edhe me flokë artificialë, por unë shpresoj fort se dashuria dhe solidariteti që më buron nga zemra duke e kryer një veprim të tillë, do të mund t’u japin atyre sadopak forcë për t’u përballur më tej me sëmundjen.
Pas dy ditësh do të dhuroj flokët e mi… E shumë prej jush mund të thonë: “E çfarë pastaj? Çfarë do të tregosh ti me këtë gjë?”
Oh, Zoti im e di më së miri se s’kam ndërmend dukjen me këtë njoftim! S’kam aspak ndërmend dukjen! Madje, mbase në raport me shpërblimet e Zotit, mund të jem edhe në humbje, sepse e mira është mirë që të bëhet në fshehtësi e pa bujë. Mirëpo kësaj radhe nuk do të zgjedh fshehtësinë. Nuk do ta bëj, sepse me anë të këtij njoftimi, unë dua të zgjoj çdo grimcëz ndjeshmërie e solidariteti që qëndron e fjetur skutave të shpirtrave. Jam e bindur se pasi t’i kenë lexuar këto fjalë të miat, mikeshat e mia flokëgjata do të nisin të mendojnë se një shkurtim i tyre për një kauzë kaq humane, do t’u falte atyre gëzim.
Pas dy ditësh do të dhuroj flokët e mi… Dhe nuk do të shëmtohem, jo! Përkundrazi, do të bëhem më e bukur. Do të ma zbukurojë fytyrën mendimi se ato flokë mund të jenë burim gëzimi për një grua tjetër.
Pas dy ditësh do të dhuroj flokët e mi… Mikeshat e mia shamibukura, që mendojnë se kam dalë nga binarët duke folur të tilla gjëra, i qetësoj duke u thënë se një dhurim i tillë është human dhe fetarisht i lejueshëm.
Pas dy ditësh do të dhuroj flokët e mi…E do t’i dhuroja edhe 100 herë të tjera po të mundja…
Po ti, a do ta bëje këtë gjë? /Familjadheshendeti.com

Shpërndaje