Paraja dhe pacienti në sistemin tonë shëndetësor…

Me respekt:
Mr.Ph Laureta Berisha Kosumi – Farmaciste

Duar të qara nga puna fizike dhe shikim të përvuajtur…

Mu drejtua – Më fal, sa më kushtojnë këto barna, them të drejtën përtova t’ja them çmimin – të kushtojnë 53.7 euro, i thashë.

Më shikoi dhe më tha – mi jep vetëm infuzionet me antibiotikë njëherë, do vi herën tjetër për të blerë barnat tjera.

Hoqa sytë nga ai në mënyrë që të mos ndihej keq, pasi e pyeta se çfarë ankesash kishte dhe pse i është drejtuar mjekut, e pashë edhe diagnozën tij e cila ishte aq e thjeshtë dhe që mund të mjekohej me barna shumë më të lira dhe mjaft efikase, realisht me ato barna që i duheshin, ndërsa receta e tij ishte e mbushur me barna të disa firmave të ndryshme farmaceutike që operojnë tek ne, them të drejtën ishte recetë e njejtë që u përshkruhet pacientëve të ndryshëm, nga po i njejti mjek, në të kishte antibiotikë intravenoz, kortikosteroide, minerale dhe vitamina, antitrombotik (dy lloje madje të cilët ndërveprojnë me njëri tjetrin) dhe analgjetik.


Të gjitha këto për një ndrydhje muskulare (të cilën e kishte nga puna e rëndë fizike) të gjitha këto për një ankesë të thjeshtë të pacientit!

Nuk dua të flas për mënyrën e gabuar të shkuarjes së recetës, as nuk dua të flas për të gjitha ato ndërveprime mes barnave, efekte anësore etj; ngaqë tek ne këto janë tabu çoftë nga mjekët dhe farmacistët tanë, por dua të flas për paturpësinë e shkruesit të recetës, për dëmin që i bën pacientit si në aspektin shëndetësor ashtu edhe financiar.

Pacienti doli nga barnatorja të gjejë të hollat e mjaftueshme për të marrë terapinë e shkruar (i bindur se mjeku kishte të drejtë) të holla të cilat do i marrë borxh, do punojë dyfish për t’i rikthyer ato të holla, do e dëmtojë shëndetin e tij, do kursejë në ushqimin e tij dhe të familjes së tij, të gjitha këto ngaqë i besoi atij që do duhej besuar shëndetin e tij, mjekut.

Të nderuar mjekë, kam shumë respekt për ju të gjithë, ju lutem kur të keni pacientin para vetes, së pari të jeni njerëzor me të pastaj profesional, ju lutem, shikojeni pak, pasiqë ka prej jush që janë gogja të pangopshëm ndaj pacientëve, e dini se sa prej tyre mezi gjejnë të holla të vijnë, sa prej tyre vijnë te ju ngaqë e mendojnë profesionalizmin tuaj, mos u’a theni besimin që kanë kundrejtë jush, në sytë e tyre shihet respekt i madh teksa thonë “mjeku më tha merre” ,sa herë me keni detyruar të mos e dua mantelin tim të bardhë…ju lutem, mos e shihni pacientin si MONEDHË që u’a ofrojnë kompanitë farmacuetike në këmbim të shkrimit të recetës, mosni ju lutem se jemi popull i varfër, i sëmurë dhe me besim maksimal ndaj jush, mendojeni ndonjëherë sikur t’ju rikthehet në shëndetin tuaj, në familjet tuaja, shihni rreh njerëzores jo materiales, mendojeni pak rezistencën në antibiotikë e cila na përfshin të gjithëve, mendoni…

Thoni çfarë të doni, por mendoni paksa sepse po thyeni të gjitha betimet, së pari mos e thyeni betimin te Zoti, i cili u’a dha të mirat, u’a mundësoj shkollimin dhe titullin e prestigjin e lartë.

Kompanitë që blejnë recetat tuaja janë kolegë të mi, zaten shumëherë turpërohem me ta dhe me këtë “biznes” të egër që ka kapluar popullin tonë, jam e irrituar me të gjithë ata që e fusin pacientin e shkretë në këtë rreth vicioz i cili ka besim të verbër ndaj mantelbardhëve, ka besim ashtu siq ish dashur realisht të jetë, turpërohem edhe me shumë kolegë të mi që janë blerës të recetës tuaj, ashtu si shitësi i recetës, si blerësi janë fajtorë.

Andaj turp për blerësin e recetës, shitësin e recetës dhe çdo gjë që qon në dëm të shëndetit të popullit tonë.

Ju lutem, me shëndet të popullit tonë nuk bëhet biznes, me jetë të njerëzve nuk bëhet lojë, të keni kujdes, shihni e mendoni pak më larg të gjithë ju që hyni në zinxhirin e mashtrimit të tillë dhe dëmtimit të njerëzve tanë, ngaqë çdo gjë kthehet. /Familjadheshendeti.com