Hirsutizmi

Nga Dr. Adriana Perjuci-Begolli – Endokrinologe

Hirsutizmi është paraqitja e qimeve te femrat në regjionet androgjen-senzitiv (si mustaqe, faqe; mjekër, përreth gjinjve, në gjinj, vija e mesme e barkut, pjesën e poshtme të barkut, regjioni gluteal, pjesa e brendshme e kofshëve, në pjesën e sipërme te shpinës, pjesën e poshtme të shpinës, në krah) që do të thotë në ato vende ku normalisht femrat nuk kanë qime, por këto vende janë karakteristikë e meshkujve. Paraqitja e qimeve shpesh herë shoqërohet me akne, lëkurë të yndyrshme, rënie e flokëve në pjesën e përparme të kokës, çrregullim të ciklit menstrual.

Gjithsesi duhet te dallohet hirsutizmi prej hipertrikozës që është qimëzim i theksuar në ekstremitete, dhe në shpinë por nuk kushtëzohet nga prodhimi i hormoneve androgjene por është e kushtëzuar gjenetikisht.

Hirsutizmi është manifestim klinik i cili paraqitet si pasojë e hiper-prodhimit të ndonjërit prej hormoneve androgjene si testosteronit, androstenedionit, dehidroepiandrostenedionit, apo edhe si pasojë e rritjes së ndjeshmërisë së indeve të cakut në testosteron. Hormonet androgjene prodhohen nga ovaret dhe nga gjëndra mbiveshkore. Në 95 % të rasteve shkaktarë është Sindroma e ovareve policistike (PCOS) edhe pse ka edhe shkaktarë tjerë. Prandaj, preferohet të bëhen analizat e hormoneve seksuale në ditën 3-5 të ciklit menstrual, OGTT testi dhe insulinemia.

Hirsutizmi ka raste kur mund të paraqitet edhe si pasojë e shkaktarëve tjerë si për shembull përdorimi i disa barnave, anorexia nervosa, hypothyroidismi (prandaj preferohet gjithashtu të bëhen analiza e hormoneve të gjëndrave tiroide)..

Prandaj, diagnoza vendoset pasi të përcaktohet koncentrimi i hormoneve në gjak. Nëse vetëm njëri prej hormoneve androgjene është i rritur në 90 për qind të rasteve vërtetohet hirsutizmi. Po ashtu, bëhet vlerësimi i hirsutizmit me metodën “Ferriman-Gallywey score” që vlerëson shkallën e paraqitjes së qimeve në 11 regjione të trupit dhe nëse i kemi mbi 8 pikë atëherë konstatohet hirsutizmi. Sa i përket terapisë, shumica fillojnë me kontraceptivë të kombinuar si ciproteron acetati + etinil estradiol (Diane 35) por ka edhe terapi tjera. Prandaj, patjetër duhet konsultuar endokrinologu.

Sa i përket heqjes së qimeve me laser: preferohet, por pasi të vërtetohet shkaktari dhe të mjekohet. Së pari duhet të mjekohet baza e pastaj estetika./Familjadheshendeti.com