Një spot drithërues kundër kancerit të gjirit: mesazhe për çdo grua e nënë

 

Pjesë e fushatës së ndërgjegjësimit për luftën kundër kancerit të gjirit janë bërë edhe një grup aktivistesh muslimane, që përmes prezantimit të një spoti synojnë t’iu drejtohen të gjitha grave dhe vajzave shqiptare, duke i ndërgjegjësuar që të kujdesen për shëndetin e tyre në kohë.

Duke u folur drejtpërdrejt me zërin dhe figurën e tyre, këto aktiviste synojnë të ndërgjegjësojnë edhe burrat shqiptarë, që të kujdesen për nënat, gratë, motrat apo vajzat e tyre.

Gruaja është gjysma e shoqërisë, por për shkak të rolit të saj thelbësor në familje e shoqëri, shëndeti i saj është shëndeti i vetë shoqërisë e për fat të keq, sëmundja e saj është sëmundja e të gjithëve. Jo vetëm në aspektin social dhe psikosocial, por edhe në aspektin ekonomik, shëndeti i gruas është shumë i rëndësishëm. Një grua e fortë dhe e shëndetshme është promotor i një të ardhmeje më të sigurtë e të qëndrueshme.

Kanceri i gjirit është një sëmundje e pabesë që nis dhe zhvillohet në heshtje. Ai prek 1 në 8 gra, por statistikisht 70% e rasteve janë të kurueshme nëse zbulohen në fazat e hershme të sëmundjes, çka do të thotë se kapja e sëmundjes në hapat e parë, rrit mundësinë e kurimit dhe të mbijetesës.

“Kanceri i gjirit është një sëmundje që na rrezikon të gjithave, por ky rrezik nuk duhet të na privojë kurrsesi nga dashuria për jetën! Me zbulimin në kohë dhe me kujdesin e duhur, beteja ndaj kësaj sëmundjeje mund të fitohet plotësisht.”

Këto janë disa nga fjalët përmbyllëse të spotit modest, që për hir të së vërtetës përcjell një mesazh të gjallë e të ndjerë. Për më shumë, ju ftojmë që ta ndiqni dhe ta shpërndani tek miqtë tuaj.

Shpesh, fushata të tilla ndërgjegjësimi kanë shpëtuar jetë njerëzish, duke ndihmuar të prekurit që të ekzaminohen në kohë. /tesheshi.com/