Detyrat e shtëpisë janë një pjesë e rëndësishme e zhvillimit të fëmijëve sepse përmes tyre ata mësojnë të kujdesen për veten e tyre. Ndiqni këshillat e psikoterapeutëve në vijim dhe zbuloni se çfarë lloj pune mund të kryejë një vogëlush/e që nga mosha tre vjeçe …
Sa herë, në vend të fëmijës dhe në mungesë të durimit, keni mbledhur lodrat, palosur gardërobën, rregulluar shtratin, shtruar mëngjesin, … Nëse mendoni se i keni ndihmuar me këtë, e keni gabim.
Punët e shtëpisë janë një pjesë e rëndësishme e zhvillimit të një fëmije, sepse përmes tyre ai mëson të kujdeset për veten e tij, fiton një ndjenjë të përgjegjësisë dhe kupton më shpejt domethënien e fjalës detyrë.
Sapo fëmija fillon të ecën, ai duhet të mësohet të heq rrobat dhe këpucët, të lajë dhëmbët dhe të mbledhë lodrat. Ndërkohë që fëmija rritet, duhet shtuar më shumë përgjegjësi për të cilat duhet lavdëruar më pas, derisa ai veprim të bëhet automatik, dhe më pas vazhdohet me përgjegjësitë e radhës, thonë psikoterapistët.
Ata sugjerojnë që gjithmonë t’i tregoni fëmijës suaj se si duhet të kryhet puna, dhe të kaloni pak kohë derisa ta praktikoni atë bashkë me të.
Për ta bërë më të lehtë, mund të ngjitni një përkujtues me një shpjegim të detyrave në mur. Puna nuk duhet të paraqitet si ankth dhe mundim, por si pjesë integrale e jetës.
Nëse vogëlushi juaj është i përfshirë në punët e shtëpisë, do të jetë shumë më e lehtë për t’u ballafaquar me detyrat e shkollës më vonë, dhe kështu ai do të ndjehet si një anëtar i dobishëm i familjes. Kjo është arsyeja pse shprehitë e punës duhet të krijohen që nga fëmijëria e hershme, dhe fëmija duhet të vazhdojë punët shtëpiake edhe pasi të fillon të shkojë në shkollë.
Fëmijët duhet të mësohen që vetë t’i kryejnë detyrat e shtëpisë. Shumë prindër gabojnë duke u zhytur thellësisht në detyrat shkollore të fëmijëve dhe duke iu ndihmuar atyre më shumë sesa është e nevojshme. Në këtë mënyrë, ata e pengojnë fëmijën që të krijojë shprehi pune dhe të bëhet një person i pavarur.
Mosha 3 vjeçare
Një 3-vjeçar/e duhet të jetë në gjendje të vishet dhe të zhvishet vetë, por edhe t’ju ndihmojë.
Mosha 4 vjeçare
Fëmija përgatitet vet për të shkuar në shtrat, pastron dhëmbët nën mbikëqyrjen tuaj dhe fillon të bëjë banjë vetë, natyrisht, me ndihmën e pashmangshme të prindërve.
Mosha 5 vjeçare
Fëmija mund të shtrojë tryezën për veten e tij, dhe pas mëngjesit, ta heqë mënjanë.
Mosha 6 vjeçare
Përdor aksesorët si lugën dhe pirunin, madje i përgatit vetes një sanduiç. Ai është në gjendje të pastrojë këpucët dhe të shkojë vetë te fqinjët.
Mosha 7 vjeçare
Rregullon dhomën e vet, fshin pluhurin nga tavolina, heq rrobat, rregullon shtratin. Ai mund të hedhë plehrat dhe të shkojë vetë në dyqan.
Përktheu dhe përshtati Jeton Zenuni /Familjadheshendeti