KIMIKATET TEK PRODUKTET KOZMETIKE

Nga Blerta Kryeziu Thaqi- Kimiste

Cila është e vërteta e shqetësimeve të shumta publike rreth kimikateve që përdoren në produkte kozmetike?

A janë këto shqetësime të bazuara në dëshmi të vërteta, kërkime, apo janë keqkuptime?

Materialet e rrezikshme në kozmetikë nuk janë diçka e re. Jo të gjitha kimikatet janë të këqija dhe të dëmshme, por është gjithmonë rreziku i efekteve anësore të papritura, ku një produkt rezulton të ketë disa përbërës vrasës, andaj neve na mbetet të bëjmë përzgjedhjen e duhur me përbërës të pa dëmshëm.
Kemi shpjeguar edhe më parë se si të zgjedhin mirë blerjet tona, por tani duke menduar edhe për kujdesin e trupit, është e rëndësishme për të mbrojtur shëndetin tonë.
Jo vetëm kaq.
Shumë shpesh ne jemi të ballafaquar me produkte që premtojnë gjëra të cilat nuk mbajnë në përbërje atë që thuhet, për shembull shampo natyrorë që ende përmbajnë përbërës kimikë , të cilat janë të dëmshëm për mjedisin.
Në këto situata duhet lexuar pikërisht atë që është shkruar në etiketa, ku përmes këtij hapi mund ti bëjë konsumatorët të vetëdijshëm dhe të hapë sytë për atë që kemi para nesh. Më e mirë që ne si konsumatorë mund të bëjmë për të mbrojtur shëndetin tonë është për ti lexuar listat e përbërësve me kujdes.
Kjo do të na lejojë ti shmangemi kimikateve potencialisht të dëmshme.
Shumë shqetësuese në vendin tonë është fakti se dyqane të vogla janë stërmbush me produkte kozmetike me çmime minimale vetëm 1€ e që në realitet nuk kanë as një përshkrim të produktit, origjina e vendit, e më e keqja që as afati i përdorimit nuk ceket. Kjo është shumë shqetësuese meqenëse kemi të bëjmë me pjesën më të ndieshme të trupit, fytyrën. Shpesh here dëgjojmë edhe fjalë ku thuhet “më skuqen sytë”, “më lotojnë”, “me krijohet kruarje, alergji” e në realitet sa i kemi kontrolluar përbërësit e atij lapsi që po i shkakton këto dhe a është i testuar dhe kontrolluar nga dermatologët që nuk ka substanca të dëmshme.
Produktet kozmetike me firmë që ndoshta janë më të shtrenjta në çmim po më të mira në cilësi duke garantuar që produkti është i testuar si i padëmshëm dhe i kontrolluar nga dermatologët. Për një produktë cilësor ja vlenë të investohet kur është çështja tek shëndeti.

Më poshtë janë disa kimikate që sugjerohet të shmangen në kozmetikë:

PARABENI – funksionon si agjent anti-bakterial për të mbajtur produktet kozmetike të freskëta. Ajo që është shqetësuese për të se studiuesit kanë gjetur disa lloje parabenësh në kancerin e gjirit te pacientet femra, dhe e lidhin praninë e tij me aplikimin e produkteve kozmetike që e përmbajnë.

SULFATET – gjenden më së shumti në produktet e flokut, por edhe në produkte lëkure. Ato janë kryesisht të mira nëse nuk keni ndjeshmeri ndaj tyre. Por nëse jeni të ndjeshëm, pasojat mund të jenë të rënda. Reagimet e mundshme përfshijnë dermatitin, dhembjet e barkut, reagime asmatike etj.

FORMALDEHIDET – gjenden në produktet për problemet e flokut. Ka pasur studime për lidhjet midis përthithjes së formaldehideve nëpërmjet frymëmarrjes dhe zhvillimit të kancerit të sinuseve ose në hundë. Problem më i madhë është irritimi.

PTALATET – përdoren në produktet e flokut, thonjve dhe në parfume për ti bëre përbërësit me të butë dhe me tretës. Ptalatet ndërhyjnë në gjendjen normale të hormoneve të njeriut. Mund të shkaktojnë probleme riprodhuese dhe defekte në lindje.

MERKURI – gjendet në shumë produkte zbardhese të lëkurës. Merkuri njihet që ka veti helmuese që prej shumë kohësh. Njerezit që i nënshtrohen ekspozimit të merkurit zakonisht diagnostifikohen me probleme mendore. Pra merkuri shkakton helmim.

FORMAL – është një substancë që konsiderohet të jetë kancerogjene dhe irrituese. Më mirë është të jemi të kujdesshëm dhe të kontrollojmë praninë e saj në produktet si: ngjyra e flokëve, qerpikët e rremë, shampo.

GLIKOL POLIETILENI (PEG): një substancë e përdorur për të lehtësuar thithjen e produkteve, shpesh të lidhura me 1,4-dioksane dhe etilen oksid, dy kancerogjene të njohura.

Këshillë: mos harroni ti lexoni etiketat gjatë çdo blerje. Ja vlenë të paguash më shumë për një produktë meqenëse kemi të bëjmë me të bukurën por që produkti është më i sigurtë me kimike të padëmshme./Familjadheshendeti.com