KANELLA

 

Nga Adelina Kurtolli

FAMILJA: Lauraceae
GJINIA: Cinnamomum
LLOJI: Cinnamomum zeylanicum

Cinnamomum zeylanicum është bimë shumëvjeçare tropikale. Duri i saj është 10-15m i lartë, me lëvore të ngjeshur e të rrudhur. Gjethet i ka vezake të zgjatura. Lulesa cimë përbëhet nga lule të rregullta, shtrati i të cilave ka formë kupe, në buzët e të cilit ngjiten pjesët e rrethlules dhe thekët; në fund të kupës gjendet vezorja.[1]

Kjo specie e ka origjinën nga India Perëndimore dhe Sri Lanka (Ceiloni), por është përshtatur në shumë vende tropikale (Madagaskar, Malejzi, Antile etj.). Plantacionet e Sri Lankës janë më të famshmit.[1]

Kanella është përdorur që nga kohërat antike për arsye të ndryshme[2]. Në mjekësinë tradicionale kineze është përdorur si ilaç për sëmundjet respiratore, digjestive dhe gjinekologjike[3]. Në Egjiptin e vjetër u përdor si aromatizues në pije, u përdor edhe për balsamim dhe poashtu për qëllime mjekësore[2]. Në Evropën mesjetare, kanella ka pasur përdorim të rëndomtë në kuzhinë [2].

Droga përbëhet nga pjesa e brendshme e lëvores së trungut të prerë të bimës[4]. Ajo ka copa të holla, të përkulura në formë tubi, me ngjyrë kafe të hapur, nga jashtë të vijëzuara [5].

Ka erë të fortë karakteristike, aromatike të këndshme dhe shije të ëmbël djegëse[5].

Cinnamomum zeylanicum ka një përbërje të larmishme kimike, ajo përmban[2][4][6]:

  • Vajra të avullueshme: cinamaldehid, eugenol dhe acid trans-cinamik;
  • Komponime fenolike: tanin, katekin dhe proantocianidin;
  • Monoterpene dhe seskviterpene.
  • Përbërës të tjerë: oksalat kalciumi, mucilagje, rrëshira, sheqerna etj.

Përbërësit e shumtë aktiv farmakologjik i mundësojnë kësaj bime të ketë efekte të ndryshme terapeutike, si[2][4][6]:

  1. Antibakterial dhe fungicidal
    Në disa studime të bëra in vitro kanella ka shfaqur efekt kundër një vargu të gjerë të baktereve dhe kërpudhave duke përfshirë Bacillus subtilis dhe Salmonella enterica.
  2. Karminativ
    Vaji esencial i kanellës zvogëlon kontraksionin e muskujve të lëmuar dhe gjithashtu pakëson gazrat e stomakut.
  3. Ndikon në ndjeshmërinë e insulinës, lipideve dhe glukozes në gjak.
    Megjithatë ekziston evidencë e përzier për përdorimin e saj në trajtimin e diabetit.
  4. Veprimet tjera: antioksidant, antiinflamator, antipiretik, anestetik, oreksigjenik, antidiarreik etj.

Ekstrakti i kanellës mund të shfaq interaksion me medikamentet antidiabetike apo antikoagulante.[6]
Përdorimi i kanellës gjatë shtatëzanisë nuk paraqet rrezik nëse doza nuk e tejkalon sasinë që përdoret në ushqim.[2][4]
Kur kanella gëlltitet nga goja tolerohet mirë, por kur aplikohet lokalisht mund të shkaktojë reaksione alergjike[2]. Njihet edhe si irritues i lëkures[4].
Përdoret si pluhur, çaj, kapsulë, vaj apo ekstrakt i lëngët.[6]

___________________

Referencat:

  1. Mersinllari M. Botanika – Sistematika. Tiranë; 2001.
  2. Brown L, Cohen M. Herbs & Natural Supplements. An Evidence-based Guide. 2nd
  3. Ranasinghe P, Pigera S, Premakumara GA, Galappaththy P, Constantine GR, Katulanda P. Medicinal properties of ‘true’ cinnamon (Cinnamomum zeylanicum): a systematic review.BMC Complement Altern Med. 2013;13:275. doi: 10.1186/1472-6882-13-275. [PubMed] [Cross Ref]
  4. Barnes J, Anderson L, Phillipson J.D. Herbal Medicines: A Guide for Health-Care Professionals. 3rd
  5. Papajani V, Sima Z. Analiza morfologo-anatomike e drogave bimore mjekësore dhe atlasi mikroskopik. Tiranë; 2007.
  6. https://nccih.nih.gov/health/cinnamon [updated: April 2012]
Shpërndaje
  • 1
  •  
  •  
    1
    Share