A jam një nënë e mirë pasiqë nuk i’a dola me gjidhënie ?

Nga Dr. Ismail Lutolli
Specialist Pediatër
Subspecialist Dietolog –Nutricionist

 

A do të rritet fëmiu im me shëndet pasi e ushqej me shtesa ?
Çfarë të bëj më tutje që të zë hapin me fëmijët tjerë që rriten me qumështin e nënës ?
Ndihem në faj dhe e mërzitur, çfarë të bëj ?

Të gjithë ne e dijmë dhe është qëndrim unanim në fushën e shkencës së mjekësisë që gjidhënja ka nje rol esencial për rritjen dhe zhvillimin normal të të posalindurve. Është shumë e rëndesishme si proces deri në vitin e parë dhe gjithashtu më shumë rëndësi deri në përfundim të vitit të dytë. Megjithatë, këtu do të flasim se çka nëse një nënë nuk ka pasur sukses në procesin e gjidhënjes?

 

Çfarë po ndodhë me mua ?

U bët nënë për herë të parë. Gjatë tërë shtatzanisë kishit lexuar për rritjen e fëmiut, për gjidhënjen e për të gjitha që do të ballafaqoheshit me ardhjen në jetë të fëmiut tuaj.
Fëmiu erdhi në jetë dhe trishtimi filloj.
Për nëntë muaj më radhë ishe e qetë, e qeshur, keni besuar në ato që dije, besoje në një lindje normale pa operim, keni besuar në laktacionit që fillon mënjëherë pas lindjes – e gjithë kjo për shkak se ju kishit një optimizëm të madh.
Sa e sa netë keni ëndërruar se si do e mbani bebin tuaj në gji e si do e ushqeni me qumështin tuaj. As në ëndrrat më të këqija nuk e mendoje se e gjitha kjo mund të përmbyset sapo të dëgjoni vajin e parë të foshnjës tuaj.
Lindja mbaroi me proces (operimi) normal dhe gjithqka u përmbys për pak orë. Të qajturit e foshnjës e fshiu nga mendja juaj tërë atë që kishit mësuar Me qarjen e parë, ju duket se nuk keni lexuar asnjëherë, ju duket se nuk keni më siguri fare.
Pyesni veten : çfarë po ndodhë, ku janë ato që dija ?
Shumë afër qëndron edhe bashkëshorti i cili do të jetë edhe më frikacak sesa ju dhe i cili shikon nga ju me shpresë se ju do ja dilni. Frika vazhdon e procesi i gjidhënjes fillon të luhatet apo nuk arrihet fare.
Një nënë në pasigurinë totale, më shumë lehtësi do e humbasë mundësinë për gjidhënje.
Sa lotë e dëshpërim që ndjejnë shumica e nënave në këto momente të cilat, nëse gjërat shkojnë duke u komplikuar nuk do të arrijnë procesin e gjidhënjes.
Kemi raste edhe me probleme me majat e gjinjëve apo të ngjashme të cilat nuk ja dalin me gjidhënjen. Si përfundim, këto nëna përfundojnë në procesin e ushqimit me shtesa, formulat eksistuese në treg dhe këtu fillojnë dilemat…

 

A ishte e nevojshme të fillohet me shtesat ?

E kam sqaruar shumë herë se me ndihmën profesionale dhe vullnetin e një nëne për gjidhënje, këtë proces mund të realizojë pothuajse çdo nënë në mbi 95 % të tyre. Shumë janë të rralla rastet kur përkundë të gjithave, një nënë nuk i’a del. Mjerisht kur rrethanat janë të pafavorshme dhe kur ndihma e atyre familjarëve që duhet të jetë nuk eksiston, gjithashtu mungesa e ndihmës profesionale, të gjitha së bashku ndikojnë që një nënë të mos i’a dalë mbanë me procesin e gjidhënjes,më së paku per fajin e saj .
Në këtë shkrim nuk do të ndalemi të analizojmë pse ka ardhur deri te kjo, por do të analizojmë pasi ka ndodhur ky proces dhe fëmiu vazhdon të rritet me shtesa.
Çfarë të bëjmë më tej dhe si të rrisim me sukses këta fëmijë ?

 

Për të gjitha nënat që nuk i’a dolën me gjidhënjen

Për të gjithë ju qe bëtë përpjekje, por nuk ia dolët në procesin e gjidhënjes, mos harroni si fillim se nuk ju bënë vetëm gjidhënja nëna të mira.
Nuk ju bënë vetëm te qenurit nënë gjidhënese një nënë të përkushtuar.
Janë një sërë hapash që do të dëshmojnë përkushtimin tuaj si nënë.
Nëse nuk keni arritur të realizoni procesin e gjidhënjes, është koha të koncentroheni tërësisht në rritjen e shëndoshë të fëmiut tuaj.
Ju mund ti ofroni qumësht shtesë duke i ofruar dashurinë tuaj.
Ju mund ti ofroni qumështin shtesë duke i folur me fjalët më të ngrohta gjatë ushqimit shtesë, derisa foshnja juaj thithë biberonin me qumësht.
Ju mund ti ofroni qumështin shtesë duke ja përkëdhelur kokën dhe duke e mbështetur në krahërorin tuaj.
Ju mund ti ofroni qumështin shtesë duke i ofuar dëgjimin e të rrahurrat e zemrës suaj me kokën mbështetur tek ju.
Ju mund ti ofroni qumështin shtesë duke ngopur urinë e fëmijës tuaj me butësinë e ngrohtësinë e një nëne.
Ju mund ti ofroni qumështin shtesë duke i ofruar tërë dashurinë e botës.
Ju mund ti ofroni qumështin shtesë duke ja kenduar ninullat më të bukura.
Pra, nuk ka arsye të ndjeheni e dorëzuar e as e dështuar, por vazhdoni ti ndiçni ato që janë të dobishme për foshnjën tuaj.

 

Paragjykimet vazhdojnë

Presioni që shoqëria filloi për të gjeneruar lidhur me gjidhënjen nga nënat që për çfarëdo arsye nuk mund (ose Zoti na ruajt, nuk duan) të ushqejnë me gji fëmijën e tyre, e bënë shpeshherë nënën një „përbindësh“.
Kjo nuk është e drejtë, nuk është korrekte dhe normale.
Nënat që nuk kan pasur sukses me gjidhënjen, shpeshherë rreth tyre dëgjojnë fjalët :
Çdo nënë mund ta ushqejë me gji, veç kush nuk do ” ;
” A nuk keni pasur qumësht gjiri a, sa keq ?! ” ;
” Gjynah prej fëmijës tuaj që nuk paske gji ” ;
Ju nuk keni qumësht, kjo nuk është e mundur, paske përtuar me ushqy me gji “.
Unë e di se tërë këto fjalë ju vrasin dhe ju bëjnë të ndiheni jo mirë. Sidoqoftë mos i merrni parasysh, pasi kjo nuk ndërron asgjë por ndiqni hapat e duhur për të dëshmuar se vërtetë jeni një nënë meritore, pavarësisht se nuk i’a dolët dot me gjidhënjen. Une jam i bindur se mund të bëni këtë në mënyrë shumë të mirë e të suksesshme.

 

Si të zeni hapin e duhur me fëmijët që nuk ushqehen me gjidhënje ?

Nuk është e thënë si fillim të bëni konkurencë apo krahasim, pasi fëmijët nuk ndahen në ata me gjidhënje dhe ata me shtesa. Nuk ndahen as nënat në këto dy kategori. Është e vërtetë se me gjidhënje është fillim i mbarë dhe hapet porta e shëndetit, por kjo nuk do të thotë asesi se fëmijët me shtesa nuk do kenë mundësitë për rritje të mbarë dhe për të ngritur shëndetin e tyre tani dhe në fazat mëvonshme.

 

Ndicni hapat e meposhtem :

  • Gjatë tërë kohës kushtoni rëndësi gjumit të foshnjës tuaj. Një gjumë i rehatshëm dhe komod sjellë dobi shumë të medha për shëndetin.
  • Kujdes edhe me ambientin ku jeton foshnja juaj, të jetë sa më larg gjërave që e dëmtojnë si tymi i duhanit dhe ngjashëm.
  • Komunikimi me fëmijën tuaj e ngritë në aspektin psiqik dhe ka rëndësi të madhe për rritjen dhe zhvillimin normal.
  • Nga muaji i gjashtë çdo nënë ka mundësi të tregojë tërë përkushtimin e saj në ushqimin e fëmiut. Përgaditja adekuate dhe e shëndetshme do rikthejë një ekuilibër të munguar me lindje si pasojë e shtesave.
  • Pra, muaji i gjashtë është muaj shumë i rëndësishëm për fëmijët me shtesa ,që të fillohet ushqimi adekuat për moshën dhe të fillohet në mënyrën e duhur. Siq po e shihni, janë një sërë hapash që mund ti ndërmerrni dhe fëmiu juaj do të ketë rritje të mbarë përkundër një fillimi jo të duhur.

 

Një nënë me shtesa,nuk duhet të ndihet e paragjykuar dhe nuk duhet të dekurajohet se fëmiu i saj nuk do të rritet shëndetshëm. Një nënë me shtesa,duhet të bëjë tërë hapat e nevojshëm për rritje dhe zhvillim të mbarë të fëmiut të saj.
Kurrë mos i thuani një nëne të tillë : “Ti nuk ja dole me gjidhënje ose ti nuk je nënë e mirë“.
Nëna ngelet nënë me copëzat e saja të dashurisë së pakufishme, mëshires, dhimbjes e vuajtjeve për fëmiun e saj. Të ushqyerit me shtesa nuk zbehë asgjë nga madhështia e një nëne, e jeta më të cilën ndriçojnë jetën e një fëmije që vjen në këtë botë. Nëna ngelet përgjithmonë dhe në çdo rrethanë thesari më i çmuar për të gjithë ne./Familjadheshendeti.com